KRITIKU/ Eksperti i pavarur: Kryeministri gënjen, performanca e qeverisë nuk është shumë e mirë, por e shkëlqyer!

11 Gusht 2026, 13:07Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Eksperti Sufllaq Kaqoli duke kritikuar qeverinë

TIRANË – “Nuk e di, unë prej natyre jam skeptik dhe nuk mund të marrë të mirëqenë se çfarë thotë kryeministri, apo ministrat,” deklaroi mendueshëm gjatë intervistës së fundit televizive eksperti i njojtur i ekonomisë, Sufllaq Kaqoli.

Dihet që specialisti i pavarur i gazetarisë ekonomike dhe ekonomisë gazetareske ka vënë gjithnjë në dyshim statistikat e herëpashershme mbi PBB-në për frymë, të dhënat e investimeve të huaja, nivelin e jetesës, shifrat e punësimit etj, duke e vënë në siklet edhe vetë qeverinë shqiptare me ekspertizën e tij.

“Ja për shembull,” vazhdoi i vrenjtur eksperti, “ministria e Financave thotë që rritja ekonomike këtë vit ka për të qenë 4.2 përqind. Unë dyshoj shumë, dhe i bëj thirrje ministrit t’i vërë gishtin kokës. Sepse sipas përllogaritjeve të mia, rritja ka për të qenë të paktën 4.9 përqind”.

Në vijim Sufllaq Kaqoli bëri leckë të dhënat e INSTAT-it për nivelin e mirëqenies, punësimin e të rinjve e kështu me rradhë.

“Na del INSTAT-i dhe mburret se 20 përqind e grup-moshës 15-29 vjeç rezultojnë jashtë sistemit arsimor, pa punë dhe pa përfshirje në formim profesional. Ore zotëri, nga i nxjerr këto shifra ti? Apo thjesht do t’i bësh qejfin qeverisë? Sepse të dhënat e mia thonë se niveli i papunësisë në këtë grupmoshë është mbi 7.5 përqind”.

Eksperti Kaqoli nuk ngurroi edhe të kritikojë kryeministrin për modesti të tepruar kur vjen puna për performancën e qeverisë.

“Unë kam llogaritur se niveli i modestisë së Zotit Kryeministër kur flet për arritjet e kabinetit të tij spektakolar, është 53 përqind, ose 10 përqind më i lartë se të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo modesti po kthehet në ves dhe na rrezikon si shtet. I bëj thirrje të marrë masa dhe ta ulë modestinë nën 10%, për t’u përshtatur me parametrat e Bashkimit Europian,” theksoi Sufllaqi duke treguar disa grafikë të krijuar për këtë qëllim. 

*** 

Qëndrimet kritike, antipatike dhe skeptike të Sufllaq Kaqolit ndaj qeverisë shqiptare dhe institucioneve të saj në lëmin e ekonomisë, financës, investimeve të huaja, import-eksporteve, turizmit, bujqësisë etj, janë bërë proverbiale në Tiranë.

Ai gjen gjithmonë diçka për t’u gërricur, një detaj që nuk ja mbush mendjen, një element që nuk i lë shije të mirë, një shifër për të cilën mendon se qeveria është treguar e pasaktë.

Por vrulli i vërejtjeve të tij është shtuar sidomos pas lajmeve për mega-investimin e dhonrrit të Trampit në Zvërnec-Sazan.

Kanë bërë xhiron e opinionit publik artikujt e tij polemikë, si: “Pse qeveria gënjen kur thotë se Ivanka do hapë 7 mijë vende pune, kur në fakt janë 15 mijë!”, “Resorti i Kushnerit do japë punë për 10 mijë fermerë? Jo zoti Kryeministër, janë 23 mijë!”, apo “Qeveri mashtruese: Investimi 4 miliardë euro në Zvërnec nuk është thjesht ‘një mundësi e mirë’, por Unikale”, e kështu me rradhë.

Po ashtu, luftarak dhe i ashpër ishte Sufllaq Kaqoli edhe lidhur me investimin strategjik të afaristit filantrop Alabar në Marinën e re të Durrësit. Siç ju kujtohet të gjithëve, kryeministri ishte disi i stepur për këtë projekt 2 miliardë eurosh.

“Po ja, do lëvizim portin e vjetër dhe do ta çojmë në Porto Romano, do ndërtohet marina e re për jahtet luksoze, do ngrihen pallate të reja, do punësohen mijra vetë…. Ça t’ju them më unë i ziu, nuk më duket projekt i keq,” thoshte me gjysmë zëri kryeministri palluqe në drekën pasi u prezantua projekti.

Atëherë Sufllaq Kaqoli iu hodh si skifter: “Si ore tallesh ti me shqiptarët? Si ore guxon e thua që nuk është projekt i keq? Po ky është kryevepër more zullap! Durrësi do shtojë turizmin me 500 përqind, Spitalla do bëhet mini-qytet modern, do hapen 130 mjë vende pune, durrsakët do kenë në çezma shurup trëndafili në vend të ujit, në sajë të mikut të shqiptarëve, Alabarit!”

Kryeministri ngeli keq nga ky gozhdim, por Sufllaqe Kaqoli nuk kishte mëshirë:

“Se ta kam thënë dhe herë tjetër. Si guxon e thua se performanca e qeverisë është shumë e mirë? Me kë luan ti, kujton se hanë bar njerëzit? Nuk e shohim ne se ç’bëhet përditë?”

Kreut të qeverisë, që ishte duke u përtypur, i mbeti sufllaqja në grykë: “Ke të drejtë, zoti Kaqol, kemi bërë dhe ndonjë gabim…”    

“Po ça gabimi ore derdimen! Qeveria po punon shkëlqyer të them, shkëlqyer! E kam me statistika”, dhe tundi një tufë fletësh, “Ndaj të lutem shumë, mos gënjeni njerëzit se nuk i hamë këto ne!

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike jo dhe aq kritike ndaj qeverisë, krahasuar me gardianë vigjilentë të opinionit publik si Sufllaq Kaqoli


Video