Avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Plarent Ndreca, ka folur në një lidhje të drejtpërdrejtë nga burgu i Fierit për emisionin “Studio Live”, ku ka deklaruar se kishte pritur për rreth një orë e gjysmë për të takuar Veliajn, por nuk ishte lejuar të hynte nga autoritetet e institucionit.
Sipas tij, arsyeja e moslejimit të takimit i është komunikuar për shkak të mungesës së forcave policore dhe e personelit për shoqërimin e të paraburgosurve. Ndreca pretendoi se kjo nuk përbën një bazë ligjore për kufizimin e së drejtës së avokatit për t'u takuar me klientin e tij.
Gjithashtu ai shprehet se ditën e nesërme ka një seancë gjyqësore dhe takimi sot ishte i domosdoshëm për të konsultuar me klientin e tij. Po ashtu ai e cilësoi rastin si një kufizim të së drejtës së mbrojtjes dhe të komunikimit mes avokatit dhe klientit, duke e konsideruar përgjegjësinë si institucionale.
Fjala e plotë e Ndrecës:
Në fakt u bë një orë e gjysmë që jam këtu duke pritur për të takuar klientin. Nuk po lejohem dhe vazhdon akoma e njëjta histori që ‘nuk kemi forca policore dhe njerëz për të shoqëruar’. Ndërkohë që ligji parashikon se hyrja e avokatit ndodh në çdo kohë. Vazhdon paligjshmëria e veprimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe kufizimi i takimeve edhe me avokatin. Unë nesër kam një seancë gjyqësore dhe duhet të takohesha patjetër me klientin. 1 orë e gjysmë në pritje siç e shihni dhe nuk lejohem. Asnjë bazë ligjore, asnjë përgjigje zyrtare. Kërkoj të mbajnë procesverbal për këtë fakt. As procesverbal nuk japin.
Një situatë skandaloze dhe një situatë që nuk e meriton shteti shqiptar që të shkojë në këto nivele që s’kanë asnjë përputhje e asnjë lidhje me asocimin dhe standardet europiane. Kjo është një situatë e paprecedentë. Një cenim i rëndë i standardeve të mbrojtjes dhe cenim i rëndë i të drejtës së klientit tim, për çdo të paraburgosur, apo i çdo personi nën hetim apo në cilësinë e të pandehurit, për t’u takuar në çdo kohë me avokatin e tij. Pra unë nuk kam asnjë mundësi të konsultohem dhe të flas me klientin për seancën e nesërme, duke dëmtuar edhe strategjinë që ne kemi për nesër, apo për komunikimin që kemi për një vendim të mundshëm apo potencial që Gjykata nesër mund të japë për zgjedhjen e spitalit nga Veliaj.
Këtë situatë unë e konsideroj institucionale. Një sjellje e rëndë e paligjshme institucionale. E një institucioni në varësi të qeverisë, të kryeministrit, i cili ka bërë ato deklarata që ka bërë në Asamblenë Kombëtare dhe të Tiranës. Ja ku është prova që standardet nuk janë ato që thotë Rama. Ja kush është standardi. Avokati në 2026-ën nuk lejohet të hyjë e të takojë klientin e tij. Një e drejtë bazike që besoj se edhe vendet që janë pa asnjë pretendim për të hyrë në Europë, besoj se i respektojnë. Unë po pres edhe pak, jam i detyruar të kthehem në Tiranë. Është konsumuar ky udhëtim dhe unë nuk kam arritur të bëj takimin për të cilin erdha. Përgjigje ka me telefon, por nuk bëjnë një procesverbal.