Biznesmeni Klodian Allajbeu, pronar i Spitalit Amerikan dhe Hygeia-s, ka paditur portalin investigativ VNA.al, duke kërkuar 5 milionë lekë (rreth 50 mijë euro) dëmshpërblim, fshirjen e artikujve investigativë dhe përgënjeshtrimin e tyre.
Sipas VNA-së, padia është depozituar më 28 shtator 2026 në Gjykatën e Tiranës dhe lidhet me një seri investigimesh mbi tenderët, koncesionet dhe kontratat publike në sektorin e shëndetësisë, ku përmenden kompani të lidhura me biznesmenin.
Biznesmeni kontrovers Allajbeu pretendon se publikimet i kanë dëmtuar reputacionin dhe imazhin, duke kërkuar madje edhe caktimin e një eksperti psikolog për të vlerësuar dëmin jopasuror që pretendon se ka pësuar.
Investigimet e VNA-së kanë ngritur pikëpyetje mbi procedura prokurimi, përfshirë një tender ku kompania “Evita” rezultonte ofertuesja e vetme, me një ofertë sa 99.7% e fondit limit, si dhe një tjetër procedurë ku ishte skualifikuar operatori me ofertën më të ulët.
Redaksia e VNA-së e konsideron padinë si një përpjekje për të ushtruar presion ndaj gazetarisë investigative, duke e cilësuar si një proces me tipare SLAPP (Strategic Lawsuit Against Public Participation).
Paditë SLAPP njihen si procese gjyqësore që mund të përdoren për të frikësuar ose penguar gazetarët dhe mediat që raportojnë për çështje të interesit publik.
VNA deklaron se investigimet e saj mbështeten në dokumente dhe se do të kërkojë rrëzimin e padisë. Ndërkohë Allajbeu njihet dhe si një nga përfituesit e dy koncesioneve në Shqipëri, atë të hemodializës dhe laboratorit, që çuditërisht SPAK mbylli sytë dhe nuk i hetoi asnjëherë.
Rasti ngre një shqetësim për lirinë e medias në Shqipëri: a mund të kthehen kërkesat për dëmshpërblime të mëdha dhe fshirjen e investigimeve në mjete presioni ndaj gazetarëve që hetojnë përdorimin e fondeve publike?/VNA