Dy miqtë e kahershëm, Erion Veliaj dhe Elisa Spiropali, ndonëse sot në llogore të ndryshme politike, duket se kanë gjetur më në fund një kauzë të përbashkët: Belinda Ballukun!
Madje, pikërisht tani që Belinda po përballet vetë me probleme serioze penale, Erioni dhe Elisa duket se e kanë zbuluar si burimin e të gjitha fatkeqësive të tyre.
Se çfarë pushteti të jashtëzakonshëm zotëron Belinda në ditët më të vështira të karrierës së saj zyrtare, këtë duhet ta dinë më mirë Erioni dhe Elisa.
Megjithatë të vijojmë pak llogjikën që na sugjeron Elisa dhe Erioni.
Elisa duket se nuk e ka kapërdirë ende shkarkimin nga posti i ministres. Dhe fajin, me sa kuptohet nga qëndrimet e saj, ia faturon Belindës.
Mirëpo, ka një hollësi të vogël në këtë histori, Elisën ministre e bëri Edi Rama dhe po Edi Rama e shkarkoi. Belinda, me sa dimë, nuk firmos as emërimet, as shkarkimet e ministrave.
Natyrisht, gojët e liga flasin edhe për një muhabet klubi kinez në Berlin. Por këto mbeten muhabet kafenesh. E vetmja gjë e sigurt është se vendimin e mori Rama.
Tani, llogjika ta do, që po të kishte Belinda aq pushtet mbi Ramën, sa pretendon Elisa se e ka, lind pyetja, përse e lejoi fare Elisën të bëhej ministre?!
Se zakonisht të fortët i pengojnë kundërshtarët të ngjiten, jo presin të ngjiten që pastaj t’i zbresin, brenda pak, shumë pak muajsh në detyrë.
Nuk duket si punë Belinde kjo. Ndoshta është por Elisa vetëm shan, nuk na tregon se si Belinda e shkarkoi. Por ka zgjedhur një logjikë më komode, sipas të cilës Rama e shkarkoi, Belinda e ka fajin!
Pra, mjafton të largohet Belinda dhe Elisa shërohet politikisht. Rama mbetet aty ku është, ndërsa përgjegjësia transferohet te dikush tjetër. Një lloj terapie politike pa prekur shkaktarin e vendimit.
Në këtë kauzë antibelindë shfaqet edhe Erioni. Ky i fundit, nga burgu, na sjell lajmin e një kaviljeje të dëmtuar duke luajtur futboll dhe të një ndërhyrjeje kirurgjikale të planifikuar për të hënën.
Një kavilje e thyer, një karrierë ministrore e ndërprerë dhe një Belindë që duhet të mbajë përgjegjësi për të gjitha!
Natyrisht, askush nuk e lidh mjekësisht kaviljen e Erionit me Belindën. Por politikisht, në këtë histori, duket se gjithçka lidhet me të.
Kështu kemi një aleancë të çuditshme qëndrimesh ku, njëri kërkon të shërojë këmbën, tjetra plagën politike. Të dy, në mënyra të ndryshme, duket se presin largimin e Belindës si ilaç.
Ndërkohë, ndonjë tezë politike, ide qeverisëse apo alternativë për publikun nuk po duket gjëkundi. Sepse në këtë histori nuk diskutohet çfarë duhet të ndryshojë në qeverisje, por kush duhet të largohet që të qetësohen ata që kanë mbetur jashtë saj.
Me pak fjalë, nëse ikën Bela, Elisa qetësohet. Nëse operohet Erioni, shërohet kavilja. Dhe nëse ndodhin të dyja, ndoshta shpëton edhe demokracia e partisë dhe e Shqipërisë nga kjo dramë ortopediko-ministrore.
Ndaj, meqë Erioni do të operohet të hënën, i urojmë shërim të shpejtë.
Dhe, mbi të gjitha, të shkuara Elisës!