E drejta për të protestuar

18 Nëntor 2026, 20:29Pikëpamje SHKRUAR NGA SUELA HASANI
E drejta për të protestuar
Pamje nga nje proteste ne Tirane

Sa herë që qytetarët dalin në shesh, nis numërimi. Sa janë? Kush i solli? Kush i financon? Kujt i shërbejnë?

Pyetja "përse kanë dalë?" mund të presë. Përgjigjja ndaj kërkesave të tyre mund të presë edhe më gjatë. Ndërkohë, qytetarit i kërkohet të shpjegojë zemërimin, të justifikojë praninë, të deklarojë bindjet dhe të dëshmojë se meriton të dëgjohet.

Sa kushte duhet të plotësojë njeriu për të thënë se vendi i tij po qeveriset keq?

Në një demokraci, fjalia "vendi im po qeveriset keq" duhet të mund të thuhet lirisht: me shkrim, me zë, me pankartë, në marshim; në një shesh plot njerëz ose përballë një godine prej së cilës askush nuk denjon të dalë.

Duhet të mund të thuhet edhe kur qeveria sapo ka fituar zgjedhjet. Edhe kur opozita është e dobët. Edhe kur televizioni e ka mbyllur debatin dhe shumica parlamentare e ka hedhur votën.

Sepse qytetari vazhdon të ekzistojë edhe pasi mbyllen kutitë e votimit.

Mandati që i jepet qeverisë ka një afat. E drejta e qytetarit për t'i kërkuar llogari nuk ka: ajo ushtrohet çdo ditë. Kur paguan taksat, kur kërkon një shërbim, kur kundërshton një vendim, kur bashkohet me të tjerë dhe kërkon që dikush, më në fund, të përgjigjet.

Çfarë kuptimi do të kishte sovraniteti i popullit, nëse populli do të lejohej të fliste vetëm kur pushteti shpall datën e zgjedhjeve?

Kushtetuta e Shqipërisë garanton lirinë e tubimit paqësor dhe pa armë. Kjo garanci i ngarkon shtetit detyrime: policia duhet ta mundësojë ushtrimin e kësaj lirie, ndërsa çdo kufizim duhet të ketë bazë ligjore, qëllim të ligjshëm dhe të jetë proporcional. Fakti që një protestë e shqetëson qeverinë është pjesë e kuptimit të saj politik. Qeveria duhet ta përballojë atë shqetësim.

Megjithatë, në Shqipëri një qytetar u dënua në shkallë të parë pas një proteste në Shkodër. Kodi Penal kërkonte "leje" për tubimin, ndërsa ligji për tubimet kërkonte vetëm "njoftim". Protesta ishte zhvilluar në vitin 2017; Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi formulimin për lejen në vitin 2021. Katër vjet për të sqaruar një fjalë. Katër vjet gjatë të cilave një qytetar mbarti pasojat e saj.

Kur një fjalë e paqartë në ligj mund ta çojë njeriun para gjykatës, qartësia bëhet çështje lirie. Kur një procedurë zgjat aq shumë, sa ngjarja që e shkaktoi protestën ka marrë fund ndërkohë, shpejtësia bëhet çështje drejtësie. Kur një vendim i policisë i çon protestuesit atje ku askush nuk i dëgjon, vendi bëhet çështje demokracie.

Një protestë ka një arsye. Ka një çast. Ka një adresë.

Prandaj mbrojtja e protestës përfshin edhe kohën dhe vendin e saj. Standardet ndërkombëtare kërkojnë që pjesëmarrësit, për aq sa është e mundur, të shihen e të dëgjohen nga ata të cilëve u drejtohen.

Në Shqipëri këtë të drejtë duhet ta marrim me seriozitet të veçantë. Brishtësia e demokracisë shfaqet edhe në llogaritë që njeriu bën përpara se të dalë nga shtëpia. A do të më shohin? A do të më njohin? A do të kem pasoja në punë? A do t'ia vështirësoj jetën familjes?

Një demokraci duhet të jetë në gjendje t'u përgjigjet këtyre frikërave. Për qytetarin që druhet të shfaqë bindjen e vet, liria e shkruar në letër mbetet një premtim që ende pret të përmbushet.

Dhe kur ai e kapërcen frikën, del në shesh dhe e bën publik qëndrimin e tij, institucionet nuk kanë përballë një armik, por një njeri që kërkon të marrë pjesë në jetën e vendit të vet.

Ai mund të gabojë në analizë. Mund të ketë një kërkesë që ne e kundërshtojmë. Mund të mbajë flamurin e një partie që nuk do ta votonim kurrë. E drejta e tij për tubim mbetet.

Sa lehtë e duam lirinë kur ajo flet me fjalët tona! Sa shpejt fillojmë t'i vëmë kufij kur e ushtron kundërshtari!

Për këtë arsye, mbrojtja e tubimit duhet të përfshijë çdo formë të shprehjes kolektive: protestën e organizuar dhe reagimin spontan, marshimin dhe qëndrimin ulur, tubimin e madh dhe grupin e vogël, protestën me fjalime dhe protestën në heshtje.

Rendi publik kërkon punë nga institucionet: planifikim, komunikim, mbrojtje të kalimtarëve dhe të pjesëmarrësve. Një ambulancë duhet të kalojë. Një person i kërcënuar duhet të mbrohet. Ai që ushtron dhunë duhet të mbajë përgjegjësi për veprimin e vet.

Për veprimin e vet, dhe vetëm për të.

Qytetari që qëndron paqësisht në shesh i ruan të drejtat e tij edhe kur dikush pranë tij kryen dhunë. Detyra e institucioneve është të dallojnë, të provojnë dhe të veprojnë në mënyrë proporcionale. Sa më e madhe fuqia që kanë në dorë, aq më e madhe përgjegjësia për mënyrën si e përdorin.

Por përgjegjësia për dhunën duhet kërkuar edhe te dora që mban uniformën. Çdo goditje ndaj qytetarit kërkon shpjegim. Çdo tejkalim kërkon hetim. Uniforma e bën këtë përgjegjësi edhe më të rëndë, sepse, bashkë me forcën, shteti i ka besuar policit detyrën të mbrojë njeriun që ka përballë.

Institucionet u përkasin qytetarëve, edhe atyre që protestojnë përpara tyre. Sa herë që qytetari trajtohet si armik vetëm pse kundërshton, marrëdhënia mes tij dhe shtetit shpërfytyrohet. Prandaj duhet kundërshtuar me vendosmëri çdo sjellje që e trajton policinë si pronë private, institucionin si zotërim klanor dhe protestuesin si pengesë që duhet shtypur.

Vende të tjera i kanë dhënë përgjigje këtyre pyetjeve.

Në Itali, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi që në vitin 1979 dispozitën që lejonte ndjekjen penale të atij që merrte fjalën në një tubim, ndonëse e dinte se mungonte njoftimi paraprak. Njeriu që do të flasë duhet të mund të flasë.

Në Francë, në tetor 2023, një gjykatë pezulloi të premten ndalimin e një proteste që do të zhvillohej të shtunën në Metz. Autoritetet nuk kishin provuar as rrezikun konkret, as pamundësinë për të garantuar rendin. Drejtësia mbërriti përpara protestës.

Në Bosnjë-Hercegovinë, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar shkelje kur autoritetet nuk i mbrojtën pjesëmarrësit e një tubimi nga dhuna e të tretëve. Edhe ky është detyrim i shtetit.

Këto vendime flasin për gjëra që qytetari i kupton menjëherë: të mund të marrësh fjalën, të gjesh drejtësi në kohë, të qëndrosh në shesh pa u sulmuar.

Kaq konkrete bëhet demokracia.

Ka një çast kur qytetari pushon së pyeturi nëse pushteti do ta dëgjojë dhe fillon të pyesë veten nëse ia vlen ende të flasë. Aty demokracia ka marrë një plagë të thellë, sepse fjalia "asgjë nuk ndryshon" e lë çdo padrejtësi të vazhdojë pa kundërshtim.

Njeriut që ka humbur besimin nuk i mjafton t'i thuash të shpresojë. Duhet të ketë pranë dikë që e hedh hapin bashkë me të. Dikë që qëndron kur ai flet. Dikë që del kur ai thërret. Guximi merr forcë kur ndahet me të tjerët, dhe prej atij guximi mund të lindë sërish shpresa.

Prandaj ka rëndësi të dalësh. Edhe kur dyshon. Edhe kur ke frikë. Edhe kur ke dalë më parë dhe nuk të kanë mbetur më forca. Prania jote mund t'i japë dikujt tjetër arsyen për të dalë. Fjala jote mund t'ia bëjë më të lehtë një tjetri të flasë.

Askush nuk mund të premtojë se një protestë do të ndryshojë gjithçka. Por çdo njeri që i bashkohet e bën kundërshtimin më të dukshëm, kërkesën më të zëshme dhe shpërfilljen më të vështirë.


Video