
IdentiTek ka sqaruar ndryshimin e vërejtur në pasaportat e reja shqiptare, ku shënimi i mëparshëm “P” është zëvendësuar me kodin “PP”. Sipas kompanisë, ky ndryshim nuk përbën gabim në printim, por është rezultat i përditësimit të standardeve ndërkombëtare për dokumentet e udhëtimit.
Në një reagim publik, IdentiTek bëri të ditur se ndryshimi lidhet me zbatimin e kërkesave të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), e cila në mars të vitit 2024 miratoi përditësime në standardet teknike për pasaportat dhe dokumentet e udhëtimit që lexohen nga sistemet automatike.
Sipas standardeve të reja, pasaportat e zakonshme identifikohen me kodin “PP”, në vend të shënimit të mëparshëm “P”. Ndërkohë, pasaportat e shërbimit kanë kaluar nga kodi “PS” në “PO”. Shkronja e parë identifikon llojin e dokumentit, ndërsa e dyta përcakton kategorinë e pasaportës.
Kompania sqaron se formati i ri ka nisur të aplikohet në Shqipëri që prej dhjetorit 2025, përpara afatit të përcaktuar nga ICAO, më 1 janar 2026. Deri më tani, sipas IdentiTek, janë prodhuar mbi 300 mijë pasaporta me kodet e reja identifikuese.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm i përmendur në reagim është anëtarësimi i Shqipërisë, në mars të vitit 2025, në Drejtorinë Publike të Çelësave të ICAO-s (PKD).
Ky sistem mundëson verifikimin elektronik të autenticitetit të pasaportave biometrike dhe të të dhënave të ruajtura në çipin e tyre, duke rritur sigurinë e dokumenteve dhe duke ndihmuar në parandalimin e falsifikimit.
Në përfundim, IdentiTek thekson se përdorimi i kodit “PP” është një përshtatje me standardet ndërkombëtare dhe nuk duhet interpretuar si defekt apo gabim në prodhimin e pasaportave shqiptare.