
Një aleancë që ndihmoi në përcaktimin e Lindjes së Mesme moderne ka arritur në një pikë kritike
Mehul Srivastava, Abigail Hauslohner, James Shotter - Financial Times
Njoftimi e kapi Izraelin në befasi. Ishte dita e zgjedhjeve në Amerikë dhe presidenti Donald Trump bëri një koment që dukej thuajse i rastësishëm: ai do të ndërpriste subvencionin vjetor prej 3.8 miliardë dollarësh që SHBA-ja i jep ushtrisë izraelite.
Në kohë paqeje, kjo ndihmë përbën rreth një të gjashtën e buxhetit të mbrojtjes së Izraelit. Ajo është gjithashtu një nga shtyllat kryesore të aleancës SHBA-Izrael, duke i lidhur ngushtë ushtritë e të dy vendeve.
Deri në mëngjesin e asaj dite, zyrtarët izraelitë besonin se ishin në mes të negociatave për zgjatjen e një memorandumi mirëkuptimi 10-vjeçar për ndihmën ushtarake amerikane, i cili ishte miratuar fillimisht nga ish-presidenti Barack Obama.
Pastaj erdhën deklaratat e Trump në televizionin Fox News.
“Pra, kaq ishte? Ai e anuloi kështu, menjëherë?”, shprehet i habitur një zyrtar ushtarak izraelit, i cili sapo ishte kthyer nga Washingtoni, ku kishte udhëtuar për të diskutuar zgjatjen e marrëveshjes përtej vitit 2028.
Ky ishte një ndryshim i jashtëzakonshëm dhe publik i qëndrimit amerikan ndaj Izraelit, veçanërisht ndaj kryeministrit të tij prej shumë vitesh, Benjamin Netanyahu.
Ky i fundit e ka bërë marrëdhënien me presidentin amerikan, i njohur për ndryshimet e paparashikueshme të qëndrimeve, gurthemelin e identitetit të tij politik. Por duket se Netanyahu më në fund mund ta ketë tepruar.
Si Dennis Ross, ish-negociator amerikan me Izraelin, ashtu edhe Peter Welch, senator demokrat nga Vermonti, i thonë gazetës Financial Times se në marrëdhëniet mes dy vendeve ka ndodhur një “ndryshim rrënjësor”. Bëhet fjalë për një aleancë që ka ndihmuar në përcaktimin e Lindjes së Mesme moderne dhe më gjerë. Shumë zyrtarë të tjerë, aktualë dhe ish-zyrtarë, ndajnë të njëjtin vlerësim.
Amerika, e cila u rreshtua fuqishëm në mbështetje të Izraelit pas katastrofës së sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023, tashmë është tërhequr nga mënyra se si Izraeli e ka zhvilluar luftën pasuese në Gaza dhe nga pasojat e luftës me Iranin, të cilën shumë amerikanë besojnë se e nxiti Izraeli.
Perceptimi në rritje, nga nivelet më të larta të administratës amerikane deri te qytetarët e zakonshëm në shtetet e Mesperëndimit, është se fuqia më e madhe e botës është manipuluar nga aleati i saj më i vogël dhe është futur në një konflikt jashtëzakonisht të kushtueshëm, nga i cili tani po përpiqet të dalë.
Zemërimi i amerikanëve për luftën SHBA-Izrael kundër Iranit ishte një nga faktorët kryesorë që ndikuan në rezultatin katastrofik të republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit të javës së kaluar. Rezultati ishte shumë më i keq nga sa kishin pritur.
“Publiku në Shtetet e Bashkuara e ka mbështetur gjithmonë Izraelin”, thotë Ross. “Tani, për herë të parë, 60 për qind e publikut amerikan shprehet kundër Izraelit dhe politikave të tij.”
Përçarja shkon shumë më larg se njoftimi i Trump për ndihmën ushtarake, pasojat praktike të të cilit ende nuk janë të qarta, dhe rënia e vlerësimit të Izraelit në sondazhet e opinionit publik amerikan.
Grupe të mëdha brenda të dyja partive politike amerikane, demokrate dhe republikane, tashmë po e kritikojnë hapur marrëdhënien mes SHBA-së dhe Izraelit. Organizata Aipac, lobimi më i madh pro-Izrael në Amerikë, është kthyer në një barrë politike për disa kandidatë gjatë zgjedhjeve të mesmandatit.
Gjithnjë e më shumë zëra në SHBA, përfshirë edhe brenda vetë administratës Trump, po kërkojnë një shkëputje thelbësore nga marrëdhënia më shumë se gjysmëshekullore mes dy vendeve.
Zëvendëspresidenti JD Vance, një nga favoritët për kandidaturën republikane në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028, tashmë e ka fajësuar luftën për humbjet historike të partisë së tij në zgjedhjet e mesmandatit.
Në një postim në platformën X, ai tha se një nga kërkesat kryesore të votuesve ishte që SHBA-ja të “ndryshojë marrëdhënien e saj me Izraelin”.
Edhe djali i Trump, Donald Trump Jr, deklaroi se ishte plotësisht dakord: “100, 100, 100”.
Eric Levine, një donator republikan pro-Izraelit, shpreh keqardhjen se “Izraeli nuk mund të bëjë absolutisht asgjë, sepse shtypi dhe mediat në Amerikë e urrejnë. Ata nuk mund ta fitojnë luftën mediatike”.
Ai nuk e fajëson qeverinë izraelite për veprimet e saj në Gaza, ku janë vrarë më shumë se 74 500 palestinezë që nga momenti kur Hamasi nisi luftën me një sulm ndërkufitar, duke vrarë rreth 1 200 persona në Izrael dhe duke marrë peng 251 të tjerë.
Në vend të kësaj, ai argumenton se Izraeli ka dështuar rëndë në shpjegimin e arsyeve që qëndrojnë pas shkatërrimit të infrastrukturës civile dhe dëmeve anësore.
“Njerëzit janë të tmerruar”, pranon Levine.
“Imazhet janë ato që janë. Por duhet një shpjegim për t’u thënë njerëzve: ‘Ne e bombarduam atë pallat, sepse poshtë tij Hamasi kishte tunele’.”
Tensionet në aleancë janë shtuar gradualisht gjatë një periudhe në të cilën Netanyahu ka dominuar politikën izraelite, sipas politikanëve dhe diplomatëve që kanë kaluar vite duke ndërtuar marrëdhëniet mes dy vendeve.
Shumë zyrtarë dhe analistë thonë se përçarja është pjesërisht rezultat i vendimit të kryeministrit izraelit për të braktisur praktikën tradicionale të Izraelit për të mbajtur marrëdhënie dypartiake në SHBA. Në vend të kësaj, ai zgjodhi të afrohej me republikanët, si Trump, duke dëmtuar lidhjet me presidentët demokratë, si Barack Obama dhe Joe Biden.
Të tjerë theksojnë rolin e luftës me Iranin.
Disa ditë pas zgjedhjeve të mesmandatit, në të cilat republikanët e Trump humbën si Dhomën e Përfaqësuesve, ashtu edhe Senatin përballë demokratëve, një gazetar televiziv e pyeti presidentin se cilët faktorë, sipas tij, kishin shkaktuar humbjen.
Trump u përgjigj drejtpërdrejt.
Amerikanët ishin të pakënaqur me luftën kundër Iranit dhe me çmimet e larta të karburantit, i tha ai televizionit CBS. Pastaj shtoi edhe një arsye tjetër:
“Ka një antipati të madhe, çuditërisht, ndaj Izraelit”, tha ai.
Një marrëdhënie më shumë se e veçantë
Për pjesën më të madhe të historisë së tij, gati 80-vjeçare, Izraeli ka mundur të mbështetet në karakterin e qëndrueshëm dypartiak të marrëdhënies me SHBA-të.
Kjo marrëdhënie mbështetej në konsensusin e dukshëm në Uashington se Izraeli jo vetëm që meritonte një partneritet të veçantë me Amerikën, i cili përfshinte shuma të mëdha ndihme dhe mbështetjeje amerikane, por se ky partneritet ishte thelbësor për të dyja vendet.
Amerikanët e kanë mbrojtur Izraelin nga kritikat dhe dënimet në Kombet e Bashkuara, e kanë mbrojtur nga armiqtë dhe kritikët e tij, si dhe kanë financuar dhe armatosur Forcat e Mbrojtjes së Izraelit.
Ndërkohë, Uashingtoni ka toleruar numrin e viktimave civile që ushtria izraelite ka shkaktuar te fqinjët e saj dhe ka njohur të paktën disa nga pretendimet territoriale të Izraelit mbi tokat e vendeve fqinje, veçanërisht në Lartësitë e Golanit në Siri.
Një marrëveshje publike garanton se Izraeli do të ketë gjithmonë një “epërsi cilësore ushtarake” ndaj armiqve të tij rajonalë.
Ndërsa një marrëveshje sekrete, e negociuar mes kryeministres izraelite Golda Meir dhe presidentit amerikan Richard Nixon, i lejon Izraelit të mbajë një arsenal bërthamor të padeklaruar zyrtarisht.
Në përgjithësi, që nga Lufta e Dytë Botërore, Izraeli ka marrë më shumë ndihmë të huaj amerikane se çdo vend tjetër.
Sipas Shërbimit Jo-partiak të Kërkimeve të Kongresit Amerikan (Congressional Research Service), kjo ndihmë tejkalon 300 miliardë dollarë në asistencë dypalëshe dhe financim për mbrojtjen nga raketat, nëse përshtatet me inflacionin.
Mes viteve 2023 dhe 2025, SHBA-ja siguroi rreth 17 miliardë dollarë ndihmë ushtarake, sipas të dhënave të CRS-së, ndërsa transportoi me avionë mijëra bomba, pjesë avionësh dhe pajisje të tjera thelbësore ushtarake drejt Izraelit.
Kjo përfshinte pagesat e rregullta sipas memorandumit të mirëkuptimit, të cilin Trump njoftoi javën e kaluar se do ta anulonte, si dhe ndihmën emergjente të dhënë gjatë viteve 2024 dhe 2025.
Udhëheqësit izraelitë kanë pasur mosmarrëveshje me Shtëpinë e Bardhë edhe më parë, për ndërtimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, për operacionet ushtarake në Liban dhe Gaza, si dhe për ndërhyrjen e mundshme në politikën e brendshme amerikane.
Por asnjëherë më parë Izraeli nuk është gjendur në qendër të një stuhie të tillë politike, duke u fajësuar për një ndryshim historik në politikën amerikane.
Ky ndryshim vjen në një kohë kur Izraeli është më i izoluar ndërkombëtarisht se në çdo moment tjetër gjatë dekadave të fundit, pavarësisht se Trump e ka shpallur veten presidentin më pro-Izrael në historinë e SHBA-së.
Gjatë mandatit të tij të parë, ai njohu Jerusalemin, statusi i të cilit është i diskutueshëm me palestinezët, si kryeqytet të Izraelit. Ai njohu gjithashtu pretendimin e Izraelit për sovranitet mbi Lartësitë e Golanit të pushtuara, duke përmbysur dekada të tëra të politikës amerikane.
Megjithatë, edhe ai është bërë gjithnjë e më i irrituar me Netanyahun.
Ehud Olmert, i cili ka shërbyer vetë si kryeministër i Izraelit, thekson se Netanyahu ka krijuar qeverinë më të ekstremit të djathtë në historinë e vendit dhe ka humbur mbështetjen e hebrenjve amerikanë.
“Gjatë gjithë kohës që unë isha kryeministër, nuk e kemi marrë kurrë si të mirëqenë se Izraeli mund të gëzonte mbështetjen e plotë të popullit amerikan, të qeverisë amerikane, të Shtëpisë së Bardhë apo të Kongresit”, i thotë Olmert Financial Times.
“Kjo ishte diçka për të cilën duhej të kujdeseshim shumë dhe që kërkonte një ndjeshmëri të madhe. Ne ishim gjithmonë të vetëdijshëm se humbja e kësaj mbështetjeje do të kishte një kosto të rëndësishme për interesat, sigurinë dhe mirëqenien tonë”.
Kjo nuk do të thotë, argumenton Olmert, se Izraeli duhej t’i bindej plotësisht shtetit që e mbështeste. Por duhej të gjente një ekuilibër mes strategjisë kombëtare dhe parimeve politike të Izraelit, nga njëra anë, dhe “garantimit që ne të mos ndërmerrnim masa të tepruara përtej asaj që ishte e arsyeshme dhe brenda kufijve të asaj që miqtë e Izraelit mund të pranonin”, nga ana tjetër.
Tani, megjithatë, lufta me Iranin ka shkatërruar idenë se një Izrael i armatosur nga SHBA-ja është thelbësor për të garantuar vazhdimësinë e furnizimit me naftë në një Lindje të Mesme të paqëndrueshme, sipas senatorit Welch nga Vermonti.
“Netanyahu e bindi presidentin tonë budalla të hynte në një luftë budallaqe me Iranin. Dhe kërcënimi më i madh për naftën tonë, siç rezulton, është vetë Netanyahu, i cili e shtyu Trumpin drejt një lufte që mbylli Ngushticën e Hormuzit”, shton ai.
Të tjerë thonë se është ende herët të supozohet se përçarja aktuale do të jetë e përhershme.
Menachem Begin, kryeministri i parë izraelit nga partia Likud e Netanyahut, dikur u ankua se presidenti i atëhershëm Ronald Reagan e trajtonte Izraelin si një “shtet vasal”. Në vitin 1981, ai akuzoi gjithashtu disa pjesë të administratës amerikane për antisemitizëm.
Në fund të shekullit të kaluar, presidenti George H. W. Bush vonoi dhënien e garancive për kredi me vlerë miliarda dollarë, për shkak të zgjerimit të vendbanimeve izraelite.
Pasardhësi i tij në Shtëpinë e Bardhë, Bill Clinton, raportohet të ketë bërtitur:
“Kush është superfuqia e mallkuar këtu?”
Këtë reagim ai e dha pas një takimi jo fort miqësor me Netanyahun.
Por marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Izraelit filluan të merrnin një karakter gjithnjë e më partiak pasi Netanyahu u rikthye në pushtet në vitin 2009 dhe zgjodhi të rreshtohej me republikanët.
Përçarja më e madhe ndodhi në vitin 2015, kur Netanyahu mbajti një fjalim në Kongresin amerikan, atëherë të kontrolluar nga republikanët, duke sulmuar përpjekjet e Obamës për të arritur një marrëveshje që do të kufizonte kapacitetet bërthamore të Teheranit.
Ky veprim e zemëroi administratën Obama, e cila më pas nënshkroi, së bashku me fuqitë e tjera botërore, një marrëveshje që vendoste kufizime të rrepta mbi programin bërthamor të Iranit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Trump përfundimisht e anuloi këtë marrëveshje, për kënaqësinë e Netanyahut.
Zyrtarët thonë se manovrat politike të kryeministrit izraelit shkaktuan dëme afatgjata në Washington.
Kur ai iu drejtua sërish Kongresit në vitin 2024, rreth 50 demokratë bojkotuan fjalimin ose u larguan nga salla.
“Ky ishte një gabim i madh në gjykim. Nëse dëshiron të kesh marrëdhënie të mira me administratën, nuk e anashkalon administratën për të shkuar drejtpërdrejt në Kongres. Kjo thjesht nuk bëhet”, thotë një ish-zyrtar i lartë izraelit për fjalimin e vitit 2015.
Michael Oren, i cili ishte ambasador i Izraelit në SHBA gjatë viteve të para të presidencës së Obamës, thotë se e kishte paralajmëruar Netanyahun të mos e përkeqësonte situatën duke antagonizuar presidentin amerikan, i cili në fjalimin e tij të parë të madh për politikën e jashtme kishte bërë thirrje publikisht për krijimin e një shteti palestinez.
Oren, i cili është gjithashtu historian, shton se në lojë ishte edhe një prirje më afatgjatë.
Duke u rreshtuar me Amerikën gjatë Luftës së Ftohtë, Izraeli u shndërrua në një pikë strategjike të pazëvendësueshme në Lindjen e Mesme, në një kohë kur Siria dhe vende të tjera ishin aleate të Bashkimit Sovjetik.
Por, ndërsa politika izraelite u zhvendos gjithnjë e më shumë drejt së djathtës, duke vënë në rrezik një interes strategjik perëndimor, krijimin e një shteti palestinez, mbështetja perëndimore filloi të lëkundej.
Ai thotë:
“E gjithë kjo ka qenë një proces i gjatë, kulmin e të cilit po e shohim pikërisht tani.”
Raundi i ardhshëm
Për dekada me radhë, marrëdhënia mes dy vendeve është mbështetur nga lobimi pro-Izrael në SHBA dhe lidhjet e ngushta ushtarake mes dy ushtrive.
Tani shumë gjëra kanë ndryshuar.
Aipac, grupi më i madh lobues pro-Izrael, i cili ka pasur prej kohësh ndikim të jashtëzakonshëm në Kongresin amerikan, shpenzoi rreth 70 milionë dollarë për zgjedhjet e mesmandatit përmes krahut të tij kryesor financiar, United Democracy Project, sipas organizatës jofitimprurëse OpenSecrets.org, e cila monitoron financimin e politikës amerikane.
Rreth gjysma e këtyre parave u shpenzuan në Miçigan, ku Abdul El-Sayed, kandidati demokrat për senator, i cili është një kritik i ashpër i Izraelit, arriti të fitojë. Fitore siguruan edhe kandidatë të tjerë të njohur, të cilët Aipac ishte përpjekur t’i mposhtte.
Aipac deklaroi javën e kaluar se më shumë se 245 kandidatë që kishte mbështetur fituan garat e tyre elektorale, megjithëse 10 për qind e tyre kishin humbur “në një valë zgjedhore”.
Në një postim në platformën X, organizata deklaroi:
“Komuniteti ynë do ta shtojë mbështetjen për demokratët dhe republikanët që e kuptojnë se një partneritet i fortë me Izraelin ndihmon në garantimin e sigurisë së të dy vendeve, promovon paqen dhe stabilitetin, mbron vlerat demokratike dhe nxit ekonominë tonë përmes tregtisë dhe inovacionit.”
Megjithatë, disa mbështetës amerikanë të Izraelit mendojnë se Aipac shkoi shumë larg me shpenzimet agresive elektorale dhe sulmet publike ndaj kandidatëve.
“Mendoj se ata nuk duhej ta kishin ndryshuar kurrë mënyrën se si vepronin më parë”, thotë një vëzhgues, i cili kërkoi të mbetet anonim për të mos kritikuar një organizatë me të cilën përgjithësisht është dakord.
Ai shton se do të kishte qenë më mirë që Aipac të vazhdonte të vepronte “në prapaskenë”.
“Është e qartë se këto nuk ishin zgjedhje të mira për komunitetin pro-Izrael”, thotë Michael Makovsky, drejtor ekzekutiv i institutit kërkimor pro-Izrael Jinsa.
Ai shton se kjo situatë kërkon “një analizë të thellë dhe një reflektim serioz” nga mbështetësit e Izraelit për të kuptuar se ku kanë gabuar.
Deklaratat e Trump për ndihmën ushtarake amerikane, të bëra pikërisht në kohën kur amerikanët po votonin, dukeshin gjithashtu si një pranim i rritjes së ndjenjave kundër Izraelit. Këtu përfshihet edhe bindja se aleanca me Izraelin ishte të paktën pjesërisht përgjegjëse për luftën me Iranin.
Por, nëse deklaratat e tij synonin të fitonin vota, ato dështuan.
Disa republikanë vënë gjithashtu në dyshim nëse presidenti amerikan, i cili shpesh bën deklarata që habisin edhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt, do t’i qëndrojë vërtet planit që shpalli në Fox News.
“Trump ndonjëherë thjesht thotë gjëra dhe pastaj nuk i zbaton”, thotë Doug Heye, strateg republikan.
Ndikimi i ndërprerjes ose pezullimit të ndihmës amerikane është diskutuar ashpër nga demokratët gjatë viteve të fundit, veçanërisht pasi liberalët amerikanë janë tronditur nga pamjet e vuajtjeve njerëzore dhe shkatërrimit të shkaktuar nga lufta e Izraelit në Gaza.
Ushtritë e dy vendeve kanë bashkëpunuar ngushtë gjatë luftës me Iranin dhe zyrtarët amerikanë thonë se Izraeli ofron informacione të vlefshme të inteligjencës në rajon.
Për shkak të mënyrës se si është strukturuar ndihma financiare, Izraeli i shpenzon shumicën e parave që merr nga SHBA-ja për të blerë armë të prodhuara në Amerikë.
Këshilltarët më luftarakë të ish-presidentit Biden argumentonin se kufizimi i ndihmës amerikane gjatë luftës së Izraelit nuk do të kishte asnjë ndikim në sjelljen e qeverisë izraelite.
Ndërsa këshilltarë të tjerë, përfshirë ekspertë të të drejtave të njeriut dhe të Lindjes së Mesme në Departamentin e Shtetit, theksonin raste të mëparshme kur udhëheqësit izraelitë kishin ndryshuar kursin e veprimit përballë kërcënimit të ndërprerjes së ndihmës nga mbështetësi i tyre më i madh.
Qeveria izraelite dhe mbështetësit e saj në Uashington zakonisht ia atribuojnë antisemitizmit kritikat ndaj marrëdhënies SHBA-Izrael, edhe kur kritikët janë vetë hebrenj amerikanë.
Oren argumenton se, duke fajësuar Netanyahun për faktin se e kishte joshur Trumpin drejt luftës me Iranin, Vance po rikthente një stereotip antisemitik: idenë se hebrenjtë manipulojnë në njëfarë mënyre njerëzit johebrenj dhe i shtyjnë të bëjnë gjëra kundër vullnetit të tyre.
Megjithatë, shumica e hebrenjve amerikanë kanë votuar tradicionalisht për demokratët. Ky trend ka vazhduar edhe në kohën kur kritikë të ashpër të Izraelit, përfshirë El-Sayed dhe kryetarin e bashkisë së Nju-Jorkut, Zohran Mamdani, kanë fituar mbështetjen e partisë.
Një sondazh i muajit korrik nga Pew Research Center, një institut kërkimor, zbuloi se 62 për qind e amerikanëve kishin një opinion negativ për qeverinë e Izraelit. Këtu përfshihej një shumicë dërrmuese e demokratëve.
Sipas të njëjtit sondazh, tashmë edhe shumica e republikanëve nën moshën 50 vjeç kanë një opinion negativ.
Një sondazh i Gallup në shkurt tregoi se, për herë të parë, më shumë amerikanë shprehen në favor të palestinezëve sesa të izraelitëve.
“Gërryerja e pozitës së Izraelit në opinionin publik amerikan, jo vetëm te demokratët, por edhe te vetë hebrenjtë amerikanë, nuk është vetëm rezultat i zhvillimeve të fundit në Iran. Ajo fillon me Gazën”, thotë Olmert.
Kjo ngre pyetjen nëse Izraeli mund t’i rivendosë marrëdhëniet me Shtëpinë e Bardhë nëse Gadi Eisenkot, i cili aktualisht po përpiqet të krijojë një koalicion për të larguar Netanyahun nga pushteti, bëhet kryeministri i ardhshëm.
Disa shprehin optimizëm.
“Nëse vjen një qeveri e re me një qasje të freskët dhe që nuk ndjek qasjen e Netanyahut për sigurinë kombëtare apo marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, dhe dëshiron të rindërtojë një marrëdhënie më gjithëpërfshirëse, që mbështetet nga të dyja partitë, atëherë mendoj se situata mund të përmbyset”, thotë Jeremy Issacharoff, ish-diplomat izraelit në SHBA.
Oren argumenton se Eisenkot mund të përpiqet të rifitojë të paktën një pjesë të mbështetjes perëndimore duke ndalur zgjerimin e vendbanimeve izraelite dhe duke kufizuar veprimet e kolonëve hebrenj që, me dhunë të mbështetur nga shteti, po i detyrojnë palestinezët të largohen nga tokat e tyre në Bregun Perëndimor.
“Ai mund të dalë publikisht dhe të thotë diçka që nuk është dëgjuar prej kohësh: ne jemi të përkushtuar ndaj paqes, ne dëshirojmë paqe”, thotë Oren.
Megjithatë, ish-ambasadori argumenton se ka kufij për atë që Izraeli mund të bëjë për të përballuar ndryshimin e qëndrimit ndërkombëtar.
Pavarësisht se kush do të jetë udhëheqësi i ardhshëm i Izraelit, ai këmbëngul se:
“Ne nuk mund ta ndryshojmë politikën tonë themelore të sigurisë. Askush nuk do të tërhiqet nga Libani dhe askush nuk do të tërhiqet nga Gaza.”
Nga ana amerikane, Aaron David Miller, ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit, i cili tani punon në Carnegie Endowment for International Peace, po sheh tashmë drejt raundit të ardhshëm të zgjedhjeve dhe presionit që ato do të ushtrojnë mbi politikanët.
“Cilat janë mesazhet politike që kandidatët demokratë për president duhet të përdorin lidhur me çështjen e Izraelit?”, pyet ai.
“Sapo t’i shihni ato mesazhe, do të filloni të kuptoni se sa shumë ka ndryshuar marrëdhënia mes SHBA-së dhe Izraelit”.