Shqipëria renditet e dyta në Europë për rënien e parashikuar të popullsisë deri në vitin 2100, me një tkurrje prej 57%, sipas një grafiku të publikuar nga Eurostat.
Në krye të renditjes është Ukraina, e cila prej vitesh ndodhet në luftë me Rusinë, me 19% të territorit të pushtuar dhe rreth 80% të territorit të saj nën sulme të rënda artilerie, ku parashikohet një rënie e popullsisë prej 61.5%.
Pas Shqipërisë renditet Bosnjë-Hercegovina me 56%, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Bjellorusia me përkatësisht 52% dhe 51%.
Sipas projeksioneve të OKB-së, popullsia e Shqipërisë parashikohet të zbresë nga rreth 2.8 milionë banorë në vitin 2024 në rreth 1.2 milionë në vitin 2100.
Kthesa demografike e Shqipërisë ka ardhur shumë më herët se ajo e Evropës në tërësi. Sipas të njëjtës databazë të OKB-së, popullsia e kontinentit europian arriti maksimumin në vitin 2020, me rreth 749,2 milionë banorë.
Pra, Shqipëria e kishte kaluar kulmin 29 vjet më herët. Deri në vitin 2100, popullsia e Evropës projektohet në rreth 592,3 milionë banorë, afërsisht 21% nën kulmin e saj, një tkurrje shumë më e moderuar në përqindje se 63,9% që del për Shqipërinë.
Në fakt, Shqipëria i përket një brezi të vendeve të Evropës Lindore dhe Juglindore që e kanë arritur maksimumin demografik shumë herët. Serbia e pati kulmin në vitin 1987, Bullgaria në 1988 dhe Kroacia në 1990. Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina e arritën atë në 1991.
Në pjesën tjetër të rajonit, seria e OKB-së e vendos kulmin e Kosovës në vitin 1997 dhe të Maqedonisë së Veriut në 2005, ndërsa Greqia vazhdoi të rritej deri në vitin 2010.
Mali i Zi dhe Sllovenia arritën maksimumin shumë më vonë, në 2024. Turqia është një nga përjashtimet e rajonit: në skenarin e mesëm, popullsia e saj vazhdon të rritet edhe për rreth dy dekada dhe kulmon rreth vitit 2047./Hashtag