47-vjeçar shqiptar nga Kosova akuzohet se vrau bashkëshorten e tij 38-vjeçare në mënyrë brutale, duke e qëlluar fillimisht tri herë me pistoletë dhe më pas duke e goditur rreth 40 herë me kaçavidë.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 5 prill 2026, të dielën e Pashkëve, në Sooß, në distriktin e Badenit, në Austri.
Sipas aktakuzës, 47-vjeçari kishte shkuar në banesën e bashkëshortes, nga e cila ishte ndarë, me dhurata për Pashkë. Fillimisht i kishte vendosur ato mbi tavolinën e kuzhinës, por më pas mes tyre kishte nisur një debat.
Në një moment, ai dyshohet se kishte nxjerrë pistoletën dhe kishte qëlluar tri herë drejt 38-vjeçares, në krahun e majtë, në zonën e qafës dhe në fytyrë.
Por sulmi nuk kishte përfunduar me të shtënat. Sipas prokurorisë, 47-vjeçari e kishte goditur më pas rreth 40 herë me një kaçavidë, duke i shkaktuar plagë të rënda që i morën jetën.
Nuk pranonte ndarjen, besonte se bashkëshortja merrej me magji të zezë
Pas krimit qëndronte një histori e gjatë konflikti mes çiftit. 47-vjeçari dhe bashkëshortja e tij kishin qenë të martuar prej 19 vitesh dhe kishin së bashku katër fëmijë.
Marrëdhënia e tyre ishte përkeqësuar që në shkurt të vitit 2019, kur ai dyshohet se e kishte dhunuar fizikisht gruan, duke e goditur dy herë në fytyrë. Pas këtij episodi, 38-vjeçarja ishte larguar prej tij dhe ishte vendosur në Sooß së bashku me fëmijët.
Megjithatë, sipas akuzës, burri nuk kishte mundur dhe nuk kishte dashur ta pranonte ndarjen. Ai kishte kërkuar vazhdimisht të mbante kontakte me bashkëshorten dhe fëmijët, ndërsa konfliktet mes tyre ishin përshkallëzuar veçanërisht gjatë vitit 2025.
Një tjetër element tronditës lidhet me bindjet e 47-vjeçarit. Sipas prokurorisë, ai vuante nga një çrregullim i personalitetit skizotipik dhe ishte i bindur se bashkëshortja kishte aftësi të mbinatyrshme dhe përdorte magji të zezë, nga e cila, sipas tij, po vuanin edhe fëmijët.
Megjithatë, sipas aktakuzës, gjendja e tij psikike nuk përbënte një çrregullim aq të rëndë sa të përmbushte kriteret ligjore për papërgjegjshmëri penale.
Hetimet kanë zbuluar se 47-vjeçari kishte menduar të siguronte një armë zjarri që në vjeshtën e vitit 2025. Ai dyshohet se e kishte blerë pistoletën e tipit Beretta 1934, së bashku me tre fishekë, për 900 euro, nga një i njohur 45-vjeçar, i cili tashmë është edhe ai i pandehur në këtë çështje.
Sipas prokurorisë, shitësi e dinte qëllimin e blerjes, pasi 47-vjeçari i kishte thënë se kishte ndërmend ta vriste bashkëshorten me atë armë. Megjithatë, 45-vjeçari dyshohet se nuk kishte ndërhyrë, pasi ishte i interesuar vetëm për paratë.
Pas blerjes, burri e kishte fshehur pistoletën në afërsi të stacionit të trenit në Sooß, ku e kishte lënë deri ditën e krimit.
Të enjten, më 12 nëntor, 47-vjeçari u paraqit në Gjykatën e Wiener Neustadt për përballjen me akuzat. Sipas medias austriake Heute, ai hyri në sallën e gjyqit me një buzëqeshje në fytyrë, i veshur me një bluzë të zezë me kapuç dhe pantallona të errëta. Duart i kishte të prangosura dhe shoqërohej nga disa punonjës të burgjeve.
Pasi gjyqtarja i kërkoi të sillej siç duhej gjatë procesit dhe i hoqën prangat, ai deklaroi: “Unë nuk i bëj keq askujt. Vetëm nëse është vetëmbrojtje”.
I pandehuri, i cili ka precedentë të mëparshëm penalë, akuzohet për vrasjen e bashkëshortes, ndërsa 45-vjeçari tjetër për sigurimin e armës së krimit, duke qenë në dijeni të planit të tij.
Ngjarja la pas katër fëmijë pa nënën e tyre dhe tronditi komunitetin ku jetonte familja. Ndaj të dy të pandehurve vlen prezumimi i pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës