
Nga kjo e hënë, transfertat bankare në Shqipëri hyjnë në një epokë të re.
Nis zbatimi i sistemit të pagesave të menjëhershme, i cili u mundëson qytetarëve dhe bizneseve të transferojnë para nga një bankë në tjetrën brenda pak sekondash, pa qenë më të kushtëzuar nga oraret zyrtare të bankave apo ditët e punës.
Sistemi i ri, i njohur si IPSA, do të mundësojë kryerjen e transfertave në lekë dhe euro, 24 orë në ditë.
Për të kryer një pagesë, qytetarët mund të përdorin aplikacionin e bankës ose shërbimet e internet banking, duke vendosur të dhënat e përfituesit dhe shumën që dëshirojnë të transferojnë.
Pas konfirmimit të urdhërpagesës, fondet kalojnë në llogarinë e marrësit brenda një kohe maksimale prej 10 sekondash.
Përfitimet janë të shumta. Përveç kursimit të kohës, sistemi pritet të lehtësojë pagesat mes individëve dhe bizneseve, të përmirësojë qarkullimin e parave dhe të reduktojë kostot e transaksioneve.
Gjithashtu, transfertat elektronike në lekë deri në 40 mijë lekë përjashtohen nga komisionet, sipas rregullave në fuqi.
Në një fazë të dytë, projekti parashikon edhe pagesat në pikat e shitjes përmes “qr code”, duke krijuar një alternativë të re ndaj pagesave me karta bankare.
Nisma e Bankës së Shqipërisë synon modernizimin e infrastrukturës financiare, nxitjen e pagesave elektronike dhe reduktimin e përdorimit të parasë fizike.