Dokumenti i KLSH që “nxjerr zbuluar” Zhaneta Beqirin

23 Nëntor 2026, 18:40Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Dokumenti i KLSH që “nxjerr zbuluar” Zhaneta Beqirin

Një dokument i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i zbardhur pas shkarkimit të Zhaneta Beqirit nga drejtimi i Çerdheve dhe Kopshteve të Tiranës, konfirmon se institucioni ka konstatuar shkelje dhe i ka rekomanduar Bashkisë së Tiranës të vlerësojë përgjegjësinë e ish-drejtoreshës për nisjen e mundshme të procedurave disiplinore. Dokumenti hedh dritë mbi një prej çështjeve më të debatuara të ditëve të fundit, veçanërisht pas reagimit të sotëm të Beqirit, e cila mohoi se largimi i saj kishte lidhje me auditimin.

Në pjesën e raportit që i referohet drejtpërdrejt Zhaneta Beqirit, Kontrolli i Lartë i Shtetit shprehet:

“Gjithashtu, mbështetur në nenin 15 ‘Të drejtat dhe detyrat e KLSH-së’, shkronja (c), të Ligjit nr. 154/2014, datë 27.11.2014 ‘Për Organizimin dhe Funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit’ dhe nenin 58 dhe 59 të Ligjit nr. 152/2013, datë 30.05.2013 ‘Për nëpunësin civil’, i ndryshuar, dhe nenit 64 të ligjit nr. 139/2015 datë 17/12/2015 ‘Për vetëqeverisjen vendore’, i rekomandojmë Bashkisë Tiranë, të vlerësojë shkeljet e konstatuara në Raportin Përfundimtar të Auditimit dhe shkallën e përgjegjësisë, për fillimin ose jo të procedurave për masë disiplinore ndaj Titullarit të Drejtorisë së Përgjithshme të Çerdheve dhe Kopshteve, zj. Zhaneta Beqiri.”

Pra, ndryshe nga përshtypja që mund të krijohej pas reagimit publik të ish-drejtoreshës ditën e sotme, KLSH ka evidentuar shkelje dhe ka kërkuar zyrtarisht vlerësimin e përgjegjësisë së saj. Megjithatë, institucioni nuk ka urdhëruar shkarkimin, por ia ka lënë Bashkisë së Tiranës të vendosë nëse duhej të niste procedura disiplinore.

Publikimi i këtij dokumenti vjen vetëm disa orë pasi Beqiri reagoi për herë të parë pas largimit nga detyra, duke deklaruar se vendimi i firmosur nga kryebashkiaku Erion Veliaj nuk kishte lidhje me rezultatet e auditimit.

“Sqaroj për të gjithë, që nuk ka asnjë lidhje mes auditit të KLSH dhe largimit tim nga puna. Ai audit nuk ishte shkak, kurse unë jam pasojë e arsyeve të tjera që nuk kanë të bëjnë me realizimin e detyrave të institucionit dhe timin si drejtuese e tij deri më sot!”, shkroi Beqiri.

Në mesazhin e saj, ajo bëri edhe një bilanc të punës 11-vjeçare në krye të institucionit, duke theksuar se 2.333 punonjës kujdesen çdo ditë për rreth 13 mijë fëmijë në çerdhet dhe kopshtet publike të kryeqytetit.

Por çfarë ka ndodhur përpara këtij reagimi?

Më 20 nëntor, kryebashkiaku Erion Veliaj, ndonëse ndodhet në paraburgim, firmosi urdhrin për shkarkimin e Zhaneta Beqirit nga posti i drejtoreshës së Përgjithshme të Çerdheve dhe Kopshteve.

Në dokumentin e publikuar më herët nga VNA, vendimi argumentohej me mospërmbushjen e detyrimeve institucionale të konstatuara në raportin përfundimtar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i dorëzuar në Bashkinë e Tiranës më 14 tetor.

Urdhri parashikon përfundimin e marrëdhënieve financiare më 24 nëntor 2026 dhe kompensimin e 14 ditëve të lejes vjetore të pashfrytëzuar.

Largimi i Beqirit shkaktoi reagimin e deputetit socialist Erjon Braçe, i cili i kërkoi publikisht Veliajt të anulonte vendimin.

“Ndaj do i kërkoja publikisht kryetarit të bashkisë dhe çdo zyrtari tjetër nën të: Kthejeni pas atë vendim! Për cilëndo arsye është i padrejtë!”, deklaroi Braçe, duke vlerësuar punën e bërë në drejtimin e shërbimit publik të çerdheve dhe kopshteve. (VNA.al)


VoxPop

Video