
Një rrjet tunelesh dhe hapësirash nëntokësore, disa qindra metra të gjata, është zbuluar nën monumentin e Shën Sofisë në Stamboll. Gërmimet dhe punimet për pastrimin e tyre vijojnë, ndërsa autoritetet presin që në të ardhmen të dalin në dritë edhe struktura të tjera.
Zbulimi konsiderohet mjaft i rëndësishëm për një prej monumenteve më të vizituara të trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Shën Sofia është një ndërtesë madhështore e shekullit VI, e ndërtuar fillimisht si kishë mbi rrënojat e një tempulli romak. Më vonë u shndërrua në xhami, më pas në muze dhe, që prej vitit 2020, përdoret sërish si xhami.
Ndërtesa aktuale, objekti i katërt i kultit i ngritur në këtë vend, pas tempullit dhe dy kishave të mëparshme, u përfundua në vitin 537 pas Krishtit. Megjithatë, disa prej strukturave nëntokësore të zbuluara së fundmi mendohet se i përkasin një periudhe edhe më të hershme.
Punimet nisën në fillim të vitit 2025, në kuadër të një projekti trevjeçar për restaurimin dhe mbrojtjen e monumentit. Projekti synon restaurimin e kupolës qendrore dhe përmirësimin e rezistencës së ndërtesës ndaj tërmeteve. Bëhet fjalë për ndërhyrjen më të gjerë në këtë monument gjatë afro 1500 viteve të historisë së tij.

Për shekuj me radhë, në Stamboll kanë qarkulluar legjenda për ekzistencën e tuneleve sekrete nën Shën Sofi. Një pjesë e infrastrukturës nëntokësore, përfshirë një strukturë romake varrimi me katër dhoma, ishte zbuluar që në vitet 1940.
Gjatë punimeve të pastrimit në fillim të vitit 2025, në bodrumet me harqe që ndodhen nën oborrin e dikurshëm të atriumit, u zbuluan struktura të panjohura më parë.
Që prej zbulimit, ekipet kanë punuar për pastrimin, dokumentimin dhe ruajtjen e këtyre hapësirave. Ato përfshijnë tunele, kanale uji, dhoma me qemerë, struktura varrimi dhe një kalim nëntokësor që mendohet se lidhet me një rrugë romake të shekullit V.
Procesi i pastrimit është dokumentuar hap pas hapi përmes teknologjisë së skanimit me laser në terren. Sipas Hasan Fırat Diker, anëtar i Komitetit Shkencor të Shën Sofisë, me përparimin e punimeve pritet të zbulohet e gjithë infrastruktura nëntokësore e këtij monumenti unik.
Deri më tani janë larguar afro 3 mijë tonë mbetje dhe janë pastruar 420 metra tunele. Megjithatë, besohet se rrjeti nëntokësor mund të shtrihet për disa kilometra të tjerë.
Ministri turk i Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy, inspektoi zonën më 20 nëntor dhe bëri të ditur se rrjeti nëntokësor ka shërbyer ndër shekuj për shpërndarjen e ujit dhe largimin e ujërave të shiut. Sipas tij, zbulimet e reja po ndihmojnë gjithashtu në zgjerimin e njohurive mbi sistemin historik të menaxhimit të ujit në Stamboll.
Deri tani janë zbuluar gjashtë dhoma, të lidhura me njëra-tjetrën përmes nëntë tuneleve. Pjesa më e gjatë e tunelit të pastruar arrin rreth 180 metra.

Ministri Ersoy tha se kjo pjesë mund të ketë lidhje me një rrugë romake. Ajo shtrihet paralelisht me fasadën hyrëse të Shën Sofisë, duke nisur përpara Medresesë Fatih dhe vijuar në drejtim të hyrjes së vizitorëve.
Ndërkohë, struktura romake e varrimit ndodhet nën zonën e njohur si Kopshti i Vezirit. Gjatë pastrimit, arkeologët arritën deri në një thellësi prej rreth 1,5 metrash nën dyshemenë e mbuluar nga balta.
Autoritetet besojnë se kjo pjesë i përket një periudhe më të hershme se ndërtimi i Shën Sofisë aktuale, duke nxjerrë në pah shtresat e ndryshme historike që gjenden nën monument.
Përveç restaurimit dhe dokumentimit, synimi është që disa prej këtyre hapësirave të përshtatshme të hapen për publikun, në mënyrë që vizitorët të mund të eksplorojnë edhe pasurinë historike nëntokësore të monumentit. Megjithatë, ende nuk është përcaktuar një datë se kur mund të ndodhë kjo.
Historiani dhe guida turistike Hasan Barış Partal e cilëson zbulimin si një nga zhvillimet më të rëndësishme të viteve të fundit për turizmin kulturor në Stamboll. Sipas tij, nën monumentin madhështor fshihet një tjetër histori magjepsëse e Kostandinopojës perandorake, siç njihej dikur qyteti, dhe e sistemit të gjerë të furnizimit me ujë të pijshëm.
Partal vlerëson se këto kanale nëntokësore mund të kenë qenë të lidhura me ujësjellësit e mëdhenj të qytetit antik, duke ofruar dëshmi të reja për arritjet e jashtëzakonshme inxhinierike të Kostandinopojës. Ai e krahason përvojën e mundshme të vizitorëve në këto hapësira me zbritjen në dhomat e Vatikanit, nën Bazilikën e Shën Pjetrit, ku janë varrosur shumë papë.

Shën Sofia u ndërtua me urdhër të perandorit Justinian I, në kohën kur Kostandinopoja ishte qendra e Perandorisë Romake të Lindjes. Përpara saj, në të njëjtin vend ishin ngritur dy kisha të tjera, të cilat nga ana e tyre ishin ndërtuar mbi një tempull pagan.
Ndërtimi i monumentit nisi në vitin 523 pas Krishtit dhe zgjati pesë vjet. Perandori Justinian urdhëroi guvernatorët e provincave që të dërgonin në Kostandinopojë artefaktet më të çmuara nga rrënojat antike të territoreve të tyre, për t'u përdorur në ndërtimin e Shën Sofisë.
Kostoja e ndërtimit mendohet të ketë arritur në rreth 75 milionë dollarë të kohës, një shumë që, e përshtatur me vlerën e sotme, do të ishte afërsisht 1,3 miliardë dollarë.