Në Prishtinë promovohet monografia “István Schütz: Miku hungarez i shqiptarëve” e autores Mimoza Hasani Pllana

7 November 2026, 16:52Histori SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Në Prishtinë promovohet monografia “István Schütz:

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, në një ngjarje të organizuar nga Ambasada e Hungarisë në Kosovë, u promovua monografia “István Schütz: Miku hungarez i shqiptarëve”, e autores Mimoza Hasani Pllana, kushtuar jetës dhe veprës së albanologut të shquar hungarez, i cili për dekada të tëra kontribuoi në studimin dhe promovimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare.

Në promovim, krahas autores, me kumtesat e tyre u paraqitën akademik Bardh Rugova, redaktor i monografisë, historiani dhe albanologu hungarez prof. dr. Krisztián Csaplár-Degovics dhe Gergely Schütz, djali i albanologut. Në aktivitet morën pjesë edhe ambasadori i Hungarisë në Kosovë, László István Dux, akademik Rexhep Ismajli dhe botuesi Bujar Hudhri, ndërsa ngjarja u moderua nga Arbër Selmani.

Në fjalën e tij përshëndetëse, ambasadori i Hungarisë në Kosovë, László István Dux, vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të István Schütz-it në studimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare, si dhe angazhimin e tij në mbështetje të shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve ’80 dhe ’90. Ai theksoi se Schütz, përtej veprimtarisë akademike, kishte mbajtur lidhje të vazhdueshme me intelektualët kosovarë dhe kishte ndihmuar në qarkullimin e librave shqip në rrethana të vështira politike. Duke përgëzuar autoren për ruajtjen e kësaj trashëgimie, ambasadori shprehu shpresën për botimin e afërt të fjalorit shqip-hungarisht të Schütz-it dhe bëri të ditur se Ambasada po bashkëpunon me Komunën e Prishtinës për emërtimin e një rruge ose sheshi me emrin e albanologut hungarez.

Monografia, e botuar nga shtëpia botuese “Onufri”, me mbështetjen të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, sjell një portret të gjithanshëm të István Schütz-it (1923–2010), duke trajtuar kontributin e tij shkencor, letrar, përkthimor, mediatik dhe diplomatik, si dhe rolin e tij në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-hungareze.

Në fjalën e saj, autorja Mimoza Hasani Pllana foli për frymëzimin që e shtyu drejt hulumtimit të jetës dhe veprës së Schütz-it, duke e ndërlidhur këtë interesim me përvojën e saj personale në Budapest dhe me lidhjen e veçantë që ka krijuar me kulturën hungareze. Ajo theksoi se monografia synon të shërbejë si burim për studiuesit e gjuhës shqipe, letërsisë, historisë, përkthimit dhe marrëdhënieve kulturore e diplomatike.

Autorja shprehu mirënjohje të veçantë për akademik Bardh Rugovën, për këshillimin dhe redaktimin e monografisë, për profesor Krisztián Csaplár-Degovics, për mbështetjen shkencore, si dhe për Gergely Schütz-in, i cili i mundësoi qasje në arkivin familjar të albanologut, duke pasuruar librin me dokumente, fotografi dhe dëshmi të rralla.

Akademik Bardh Rugova, i cili e kishte njohur personalisht Schütz-in përmes Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, solli kujtime nga përkushtimi i tij ndaj shqipes dhe nga lidhjet e ngushta që kishte krijuar me studiuesit shqiptarë. Ai vlerësoi punën hulumtuese të autores dhe rëndësinë e dokumentimit të kësaj figure për historinë e albanologjisë.

Duke e cilësuar monografinë si një kontribut të rëndësishëm për njohjen e Schütz-it, Rugova theksoi: “Ky libër e paguan një borxh.” Sipas tij, vepra e kthen albanologun hungarez në kujtesën shqiptare jo vetëm si studiues të shquar, por edhe si njeri me një dashuri të veçantë për shqiptarët.

Historiani dhe albanologu Krisztián Csaplár-Degovics vlerësoi karakterin e thelluar shkencor të monografisë, përdorimin e burimeve arkivore dhe intervistave, si dhe mënyrën se si autorja e vendos veprimtarinë e Schütz-it në kontekstin historik të albanologjisë hungareze. Ai veçoi lidhjen e profesorit me Seminarin Ndërkombëtar të Prishtinës dhe trajtimin e trashëgimisë së tij leksikografike, përfshirë fjalorin e madh shqip-hungarisht, botimi i të cilit pritet të realizohet së shpejti.

Në këtë promovim, akademik Rexhep Ismajli, mik i kahershëm i István Schütz-it, evokoi kujtime nga takimet dhe bashkëpunimi i tyre shumëvjeçar, veçanërisht gjatë pjesëmarrjeve të albanologut hungarez në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë. Ai kujtoi përkushtimin e Schütz-it ndaj studimeve albanologjike dhe lidhjen e tij të veçantë me komunitetin akademik shqiptar, duke folur edhe për përpjekjet e ndërmarra pas ndarjes së tij nga jeta për ta nderuar, përkujtuar dhe ruajtur në forma të ndryshme trashëgiminë e tij shkencore e njerëzore.

Ndërkaq, botuesi i shtëpisë botuese “Onufri”, Bujar Hudhri, vlerësoi lart përkushtimin dhe punën hulumtuese të autores Mimoza Hasani Pllana për të sjellë para lexuesit një figurë kaq të rëndësishme të albanologjisë hungareze. Ai theksoi se botimi dhe promovimi i kësaj monografie përbëjnë një akt të merituar mirënjohjeje ndaj István Schütz-it, një studiuesi të cilit bota akademike dhe kulturore shqiptare i kishte mbetur borxh për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në afirmimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare.

Një nga momentet më emocionuese të promovimit ishte fjala e Gergely Schütz-it, i cili solli kujtime personale nga jeta e babait të tij, dhoma e punës në Budapest, librat, dorëshkrimet dhe përkushtimi i jashtëzakonshëm ndaj gjuhës shqipe. Ai kujtoi se udhëtimet e të atit në Prishtinë dhe takimet me studiuesit shqiptarë përbënin një pjesë të rëndësishme të jetës së tij.

Duke falënderuar autoren për monografinë, Gergely Schütz e përshkroi veprën si vazhdimësi të përpjekjeve për ta ruajtur dhe përcjellë te brezat e ardhshëm trashëgiminë shkencore dhe njerëzore të babait të tij.

István Schütz ishte ndër figurat më të rëndësishme të albanologjisë hungareze të shekullit XX. Përmes studimeve gjuhësore, hartimit të fjalorëve, mësimdhënies dhe përkthimit të autorëve shqiptarë në hungarisht, ai luajti rol të veçantë në njohjen e letërsisë dhe kulturës shqiptare në Hungari. Lidhja e tij me Kosovën, veçanërisht me Universitetin e Prishtinës dhe Seminarin Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, mbeti një nga shtyllat e veprimtarisë së tij akademike.

Promovimi i monografisë “István Schütz: Miku hungarez i shqiptarëve” shënon një kontribut të rëndësishëm në dokumentimin dhe ruajtjen e trashëgimisë së albanologëve të huaj që i janë përkushtuar gjuhës dhe kulturës shqiptare. Njëkohësisht, libri përfaqëson një urë të re bashkëpunimi kulturor dhe shkencor ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, duke sjellë në vëmendje një miqësi të ndërtuar mbi dijen, respektin dhe dashurinë për gjuhën shqipe./KultPlus.com


Video