
Në Muzeun Britanik në Londër, interesi për Tapetin e Bayeux ka tejkaluar çdo parashikim. Që prej hapjes së ekspozitës më 10 shtator, mijëra vizitorë janë përballur me radhë të gjata dhe mbipopullim.
Drejtori i muzeut, Nicholas Cullinan, ka njoftuar zgjatjen e orarit të vizitave, vendosjen e sinjalistikës së re dhe një audioudhëzues, me synimin për të përshpejtuar lëvizjen e publikut.
Biletat u hodhën në shitje më 1 korrik dhe të gjitha oraret deri në fund të vitit 2026 u shitën brenda një dite. Muzeu Britanik arkëtoi rreth 2.5 milionë paund, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë nga një ekspozitë e tij.
Vetëm gjatë 30 ditëve të para pritet që numri i vizitorëve të kalojë 100 mijë. Edhe pse quhet zakonisht “tapet”, në të vërtetë bëhet fjalë për një copë pëlhure të gjatë rreth 70 metra, të qëndisur me skena dhe figura.

Vepra daton në shekullin XI dhe konsiderohet një prej dëshmive më të rëndësishme për historinë e Anglisë. Shumica e studiuesve mendojnë se është realizuar në Angli dhe më pas është dërguar në Bayeux, në veri të Francës, ku ka qëndruar për shekuj.
Arsyeja kryesore e këtij entuziazmi është historia që tregon: Betejën e Hastingsit e vitit 1066. Në atë betejë, Uilliam Pushtuesi, Duka i Normandisë, mposhti mbretin anglez Harold dhe mori fronin e Anglisë.
Për britanikët, viti 1066 është një prej datave më të njohura të historisë kombëtare dhe shumë e kanë mësuar historinë e tij që në shkollë.
Por Tapeti i Bayeux nuk ngjan me një dokument të vjetër dhe të vështirë për t’u kuptuar. Skenat janë të gjalla, me figura, beteja, anije dhe personazhe që e bëjnë rrëfimin të ngjashëm me një film ose një histori me figurina.
Pikërisht kjo e bën veprën tërheqëse edhe për fëmijët dhe për njerëzit që nuk janë specialistë të historisë. Historiania Leonie Hicks e ka quajtur tapetin edhe “shumë të përshtatshëm për meme”, pasi imazhet e tij janë përdorur ndër vite për të komentuar ngjarje moderne.

Në vitin 1944, revista amerikane The New Yorker përdori stilin e tij për të paraqitur zbarkimin aleat në Normandi. Këtë vit, The New Statesman rikrijoi një prej skenave të famshme të tapetit për të komentuar rivalitetet politike britanike.
Megjithatë, popullariteti ka sjellë edhe polemika. Një biletë kushton 33 paund, ose rreth 39 euro, në disa orare, ndërsa hyrja në muzeun e Bayeux ku vepra ekspozohet zakonisht kushton vetëm 12 euro.
Vizita në Londër zhvillohet me orare të përcaktuara dhe secili grup ka vetëm 40 minuta për të përshkuar gjithë gjatësinë e tapetit. Fotografimi madje u ndalua përkohësisht, pasi krijonte vonesa në radhë.
Interesi është aq i madh sa biletat e ardhshme, që dalin në shitje më 21 tetor, priten me të njëjtin emocion si biletat e festivaleve të mëdha muzikore. Madje The Guardian ka publikuar këshilla për mënyrën se si mund të sigurohen, njësoj si për festivalin Glastonbury.
Ndërkohë, ka edhe mënyra për të shmangur radhët. Hoteli luksoz One Aldwych ofron një paketë që përfshin fjetje, mëngjes, spa dhe vizitë në ekspozitë. Një tjetër polemikë shpërtheu pasi u zbulua se miliarderi amerikan Peter Thiel kishte pasur një vizitë private në gusht.
Kështu, një vepër rreth një mijëvjeçare është kthyer në një nga ngjarjet kulturore më të kërkuara të Londrës: njerëzit presin me orë, paguajnë dhjetëra paund dhe luftojnë për një biletë, vetëm për të parë nga afër një histori të qëndisur në pëlhurë.