DHËRMI – Në vazhdën e pasionit të ri që e ka kapur kohët e fundit, për të mbledhur deputetët dhe strukturat e Partisë Socialiste dhe për t’u tundur para fytyrës një broshurë strategjike, kryetari i PS-së i ka mbledhur sërish ata këto ditë gushti në vilën e pushimit në Dhërmi.
“E di që jeni me pushime, por nuk do t’ju mbaj shumë,” u deklaroi kryetari socialistëve të shushatur, që ende nuk kishin lexuar dy broshurat e para monumentale të quajtura “Pesa: Spitali që na duhet”, dhe “Prania Besnike: Ik po ta mbajti, kulish i qënit”.
Sipas burimeve të Patronazhistit, që mezi presin të identifikohen, kryetari u kërkoi të pranishmëve që përveç punëve të partisë dhe përcjelljes me empati të hallexhinjve që kërkojnë ndihmë në përballjet me administratën shtetërore, ata duhet të mendojnë më shumë për turizmin.
“Ju kujtoni se turizmi është vetëm hotele, plazh, agroturizëm? Jo shokë, ne duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendjes kulinarisë sonë të lashtë, kuzhinës tradicionale. Ja për shembull, a e dini ju se ilirët dhe arbërit e qanin mishin e flamingos? Nuk e dini, se e kini mendjen të hani dardha, ananas, mango dhe banane pas shpinës sime,” i qortoi kryetari.
Ai shtoi se turistët e huaj çmenden për flamingot, qofshin ata të pjekur, të gatuar me patate, të shoqëruar me pilafin tradicional ilir, apo fileto me salcë të bardhë.
“Ndaj unë po ju prezantoj strategjinë e re të partisë, dokumentin strategjik “10 Receta të shijshme me mish flamingosh”. Ta lexoni me kujdes dhe t’ua shpërndani gjithë restoranteve nga Zvërneci në Selenicë, nga Vlora në Orikum, nga Himara në Borsh,” porositi kryetari.
Duke treguar broshurën, ai shtoi: “Ja, ky është libri. Këtë duhet ta puthni mor qafira, se ky e rregullon miletin!”
***
Patronazhisti mëson se një socialist rrethesh, nga ata që nuk marrin erë nga jeta, bëri gafën ta pyeste kryetarin se mos libri me receta flamingosh do shkaktonte reaksion në popull, dhe do t’i hidhte zjarr protestës së Tiranës, që nisi për shkakun e këtyre shpendëve të mallkuar.
“Ça proteste mo, ça proteste,” reagoi kryetari, “unë kam hallin e sezonit turistik dhe të Shqipërisë si sekreti i fundit i Europës, ti më thua protesta. Ata dëmtuan turizmin, unë do ta shëndosh. Pastaj, nëse demek arsyeja që dolën në shesh ishin flamingot, atëherë çështja është e zgjidhur: Ne zhdukim flamingot, kështu që s’ka sebep për të protestuar!”
Në vijim, kryetari i njoftoi të pranishmit se po përgatiste edhe dokumente të tjera strategjike, mes të cilave “Ah moj Bella ç’më bëre, që do ha burgun për ty”, “Manual për zbrazjen e buxhetit të shtetit me gjobat e Arbitrazhit”, “Studim mbi tenderat e AKSHI-t dhe kështjellat franceze”, etj.
Në fund, me delikatesën që e karakterizon, kryetari iu drejtua mysafirëve socialistë, që po mbanin shënime gjithë zell:
“Tani këputni qafën, se po të mos isha unë, do rrinit akoma në opozitë. Po ju jeni mosmirënjohës, harbutë, në rrugë do përfundoni, do endeni si qentë, qafira!”
Pas duartrokitjeve të stuhishme, mbledhja përfundoi.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro kulinarisë cilësore