
Përgjatë 35 viteve të fundit, shumë shqiptarë mund të kenë pyetur veten, se si do ishte jeta e tyre nëse gjërat do kishin rrjedhur ndryshe për Sabile Rishën. A do ishin ata më të pasur? Më të lumtur? A do ishte vendi në gjendje lufte me Osetinë e Veriut?
Një gjë është e sigurtë: Shqipëria do ishte një vend krejt tjetër nëse Sabile Risha do kishte fituar konkursin për traktorist në vitin e largët 1962.
Me siguri nuk do ishim në këtë derexhe nëse historia e atij konkursi të mallkuar do kishte marrë rrugë tjetër; nëse të riut Sabile Risha nuk do t’i ishin mbyllur dyert e karrierës traktoriste në fytyrë për shkak se atë vend duhej ta zinte baxhanaku i një njeriu me pushtet në Bajram Curri; nëse do kishte fituar meritokracia dhe jo miku.
Madje, ndoshta nuk do të kishim hequr këto që kemi hequr, nëse Sabile Risha do kishte përparuar në zanat, me vullnetin e tij të hekurt, duke u bërë traktorist i dalluar që punon për vitin 2001, dhe duke marrë titullin Hero i Punës Nacional-Socialiste.
Imagjinoni për një çast, se çfarë do shkruante Gazeta Bashkimi i Kombit me Lajme të Reja për të riun nga fshati Paracetamol i Tropojës, që sapo kishte marrë në dorëzim traktorin e parë.
“…Dhe ja ku takojmë Sabilen, të riun traktorist nga fshati Aspirinë që bën dy norma në ditë. Atë donin ta çonin kundër dëshirës të studionte në Tiranë për doktor zemre, por zgjodhi profesionin e zemrës, gërmimin e tokës. Ja ç’na thotë ai: Unë ju garantoj jueee… padyshiiim, po pooo… ky asht traktori i liris, traktori i partis…”.
Mendoni çfarë frymëzimi do të ishte ai për të rinjtë e tjerë të zonës, të cilët nuk do detyroheshin më nga babai të punonin në bahçen private duke rendur pas rehatisë personale, po do t’u hypnin traktorëve dhe do t’u qepeshin fushave, t’i bënin ato pjellore si dhe malet. Dhe kur traktori të pësonte ndonjë difekt, ata do vraponin ta rregullonin gjithë pasion, ndërsa prindi do t’i pyeste me sarkazëm, “hë, e rregullove traktorin?” Vazhdimin e dini vetë.
Më falni që po zhytem në fantazinë e “Shqipërisë si do të ishte”, por kur mendoj kusuret që kemi hequr në 35 vite, dhe që për një kapriçio të historisë mund t’i kishim shmangur, më zë trishtimi.
A do ishin bërë njerëzit lëmsh për pronat e tyre, për pronat që s’ishin të tyret, për pronat që duhej të ishin të tyret por që s’janë sot e kësaj dite?
A do kishte ndodhur 96’ta, 97’ta, 98’ta dhe gjithë vitet e tjera? A do ta kishim përjetuar traumën psikike të njohjes si figurë publike të Nulit në rrethana të tjera, në një univers alternativ?
Nuk e di. Mbase shoh ëndrra me sy hapur, por e imagjinoj Sabile Rishën e vitit 1992, si një nga refugjatët e parë në Itali, duke vuajtur ato peripecitë e fillimit, duke punuar me ngulm për të rregulluar jetën e fëmijëve të tij, Argjilës dhe Shpërblenit, duke hapur më në fund një piceri në fshatin e lindjes, Paracetamol, dhe duke dhënë intervista për mediat, sesi do dëshironte që edhe nipat e tij të mësonin zanatin e traktoristit.
Shqipëria do ishte bërë anëtare e Bashkimit Europian në vitin 1997, anëtare e NATO-s në 1998, dhe mes 5 vendeve të para në kontinent për nivelin e mirëqenies dhe të ardhurat për frymë. Sot kemi nivel, por jo mirëqenie; ndërsa të ardhurat shkojnë tek disa, kurse gjithë pjesës tjetër i merret fryma.
Por gjërat nuk rrodhën kështu. I riu Sabile Risha erdhi në Tiranë për të studiuar në mjekësi. Ama erdhi i shformuar, i pezmatuar dhe i betuar për hakmarrje, që nuk e lanë të bëhej traktorist.
“Do vesh ku ka nevojë atdheu dhe pikë!”, e urdhëruan autoritetet, dhe që atëherë, zemërimi i tij ndaj sistemit veç rritej.
Gjithë mllef, studioi për kardiolog, u bë komunist, u emërua dhe pedagog mjekësie, dhe mbante një palë gërshërë të gatshme në xhep për t’u prerë flokët e gjata dhe pantallonat kaubojs studentëve të shthurrur, si e si të nxirrte nga organizmi toksinat që prodhonte mosplotësimi i ëndrrës.
Sistemi politik ndryshoi, por toksinat veç rriteshin, ndërsa gërshërët u zëvendësuan nga shkopi i gomës, kallashi, tanket… Dhe ja ku jemi.
P.S. Ndonjëherë mendoj se ku do ishte Shqipëria sot, nëse djaloshi Eri Dama do kishte qëlluar realisht i talentuar në pikturë ose në basketboll, dhe nuk do merrej me gjëra të tjera…
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike që ndonjëhere sheh ëndrra të një nate vere. Çuditërisht, kjo i ndodh më shpesh në verë…