TIRANË – Një studim i fundit i Komitetit të Artit të Karagjozllëkut, inicialet e të cilit nuk e shohim me vend t’i shkruajmë këtu, ka vërtetuar se përfundimisht, shakatë e Të Gjatit janë ku e ku më të kripura se ato të Duçes.
Siç dihet historikisht, shakatë e Duçes – diktatori fashist italian (çdo ngjashmëri është rastësore) që e nisi karrierën si publicist i majtë dhe socialist i thekur, e vazhdoi duke lënë pa punë, rrahur e futur në burg socialistët, e më tej duke ndërtuar bulevarde, pallate e lungomare, dhe e përfundoi duke vajtur për lesh – kishin një dozë goxha të lartë kripe.
Batutat e tij i shkrinin së qeshuri hierarkët e tjerë fashistë, bashkëpunëtorët e afërt si Taulantio Di Bala, Ulso della Magna, Nico Di Lana, Bella del Villaggio e të tjerë. Ata mbanin barkun me dorë dhe i thoshin njëri-tjetrit, duke bërë kujdes që t’i shihte Duçja, “Është i madh për Zotin, është gjeni i papërsëritshëm, ça fati ka patur ky vend me të!”
Të tjerë bashkëpunëtorë, që nuk qeshnin sa duhet, apo që u bënte dëm kripa dhe nuk qeshnin fare, sigurisht që nuk meritonin t’i rrinin afër Duçes dhe u dëbuan nga rrethi i afërt, si Buongiorno Buscati, Elisa Castrioti-Spiropalla dhe mjaft revizionistë të tjerë.
Kësisoj, deri tani në histori Duçja mbahej si shakatori më i madh mes liderëve globalë. Por jo më. Përparimi i teknologjisë, epoka e kompjuterave dhe sensorëve elektronikë, datimi me karbon, posedimi i satelitëve Albania 1 dhe 2, si dhe përdorimi i avionëve të avancuar Lasgushi, Naimi, Abdyli, Sotiri dhe Zefi, kanë mundësuar prodhimin e kripometrave ekstra modernë. Dhe këto aparatura kanë zbuluar të pashmangshmen: Shakatë e të Gjatit janë bindshëm më të kripura se ato të Duçes.
*
Komiteti i Artit të Karagjozllëkut – inicialet e të cilit harrojeni se do t’i shkruajmë këtu – ka krahasuar të dhënat e kripometrit, duke marrë edhe mendimin e ekspertëve të pavarur mediatikë si Iskander Bixhozi, Lenc di Vangelio, Bero Maze, Ylli Rosaku etj. Sasia e kripës në shakatë e Të Gjatit ishte e padiskutueshme.
Në një nga shakatë e tij të fundit, I Gjati krahasonte përmes fotografive sasinë e paktë të njerëzve në protestën e 37-të para kryeministrisë, me turmën e madhe që po shihte ndeshjet e Botërorit të futbollit në sheshin që mban emrin e tij, dmth Skënderbej. Sigurisht, I Gjati nuk gaboi të merrte foto nga protesta e të shtunës, dhe as i vajti në mendje se ata që protestojnë, mund të jenë të njëjtët që shkojnë edhe të shohin ndeshjet.
Me elegancën dhe taktin që e karakterizon, I Gjati e shoqëroi krahasimin fotografik me vargjet e këngës së tij të dikurshme, “Kjo është Tirana jonë, Tirana e kontradiktës”, duke mos përmendur se i njëjti kantautor, ndjesë pastë, më vonë kishte shkruar këngën “Zemërthyer’, kushtuar pikërisht Të Gjatit, të cilin e përgëzonte për shitjen e suksesshme të idealeve.
*
Një nga shakatë më të kripura të të Gjatit, ishte ajo e lëshuar me nisjen e protestës së flamingove, ku të gjithë protestuesit ishin ose të vënë nga greku, ose nga Irani, ose kundërshtarë të zhvillimit, ose njerëz të Doktorit që gjasme shanin dhe Doktorin, ose Albinistë që donin ta bënin Shqipërinë një provincë të Kosovës, ose dështakë që zhgënjimet e tyre ja mvishnin qeverisë. Ai i akuzoi protestuesit se ishin kundër rritjes së mirëqenies së tij dhe të Ulsiut, dhe se donin të frenonin mirëqenien e Taulantit dhe Bellës.
Por kur e pa që prania e 200 e ca mijë agjentëve të shitur në bulevard, e nxirrte në dritë të keqe qeverinë dhe institucionet e saj që paskëshin lënë të livadhisin kaq shumë spiunë, atëherë deklaroi se së shpejti do të ulej në bisedime me protestuesit e mirë.
“Mes atyre që më akuzojnë se po e shes vendin copa-copa si me qenë çifligu im; që po ndërtoj kulla e resorte me para droge; që u jap tendera dhjetë vetëve; që kam asfiksuar prodhimin vendas; që kam larguar të rinjtë; që po vjedh buxhetin e sotëm dhe shpresën e ardhshme; pra mes atyre, ka edhe nga ata që kanë dalë për halle reale,” pranoi I Gjati, “por unë do ulem me protestuesit e vërtetë një nga një, dhe do t’u jap ku një tender, ku një rrogë shteti, ku një liçensë dhe ku një leje për të futur kontejnerin e vet me banane në portin e Durrësit. Ja, ky është dialog europian!”.
Pas kësaj barcalete, ekspertët e pavarur mediatikë u gajasën së qeshuri dhe e vlerësuan me notë maksimale aftësinë batuteske të Të Gjatit.
*
Megjithatë, talenti i papërmbajtshëm i Të Gjatit për të bërë shaka me kripë, nuk i ka dalë gjithmonë për mirë. Madje, ishte një shaka tejet e kriposur – saqë dikush mund ta ngatërronte me pastërma – zanafilla e gjithë zhvillimeve të mëvonshme shqiptare.
I Gjati pati folur dikur në CNN se ardhja e Trampit të parë në pushtet do ishte katastrofë për globin, por ja që Trampi erdhi vërtet në pushtet. Atëherë ai bëri të pamundurën për ta marrë me të mirë presidentin ngjyrë flamingo, dhe herën e dytë nxorri mësime. Ja dha Zvërnecin dhe Sazanin paraprakisht Ivankës dhe të shoqit: “Merrini, bëni ç’të doni, ndërtoni hotele, pishina, mbillni ndonjë kastravec në bahçe. Mua s’më hyjnë në punë, kot rrinë aty dhe mbledhin pluhur”.
Vajza dhe dhëndri i Trampit refuzuan: “Po ç’e deshe, ne kemi plot! Mbaji për vete se kushedi, pastaj ju jeni vend me halle, na vjen dhe zor mor burrë i dheut!”
Por I Gjati nguli këmbë dhe ata pranuan. Megjithatë, organizmi i prodhon aq shumë kripë, saqë i Gjati bëri një shaka tjetër, po me Trampin, kur ky gjeni i gjeografisë ngatërroi Armeninë me Albaninë. Për ta ndrequr, iu desh të futej në Bordin e Gazës, të ndërmjetësonte konfliktin Indi-Pakistan dhe të qetësonte gjakrat mes dy Koreve, gjithnjë duke treguar barcaleta mbi gjatësinë e tij dhe duke i rënë në gjunjë çdo kryeministreje femër që i dilte përpara.
“Kripa e këtij njeriu të veçantë”, konkludon Komiteti i Artit të Karagjozllëkut – inicialet nuk i shkruajmë, mblidheni mendjen – “prodhohet në sasi kaq të mëdha, saqë sjell vetëm një të keqe: E ka kthyer vendin në shëllirë ku konservohen vetëm politikanë të balsamosur dhe zyrtarë turshi!”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike me dietë të balancuar mes të ëmblave dhe të kripurave