TURP TË KENË / Protestuesit tentojnë të përçajnë qeverinë duke u marrë me emrat e saj të përveçëm!

27 Qershor 2026, 19:58Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Një nga përpjekjet e turpshme të protestuesve për të përçarë qeverinë

TIRANË – Një tjetër gjest të turpshëm kanë kryer protestuesit shqiptarë ditën e djeshme. Siç dihet tashmë, prej ditësh qeveria shqiptare është ngritur kundër protestuesve të pangopur, duke kërkuar largimin e tyre nga bulevardi kryesor i Tiranës si të paaftë, dhe duke vënë theksin tek problemet reale të protestës, që organizatorët jo vetëm që nuk i kanë zgjidhur, por as e kanë vënë ujët në zjarr. 

Por protestuesit tinzarë, në vend që të merren me shqetësimet konkrete që ngre qeveria, rregullisht janë përpjekur ta përçajnë kabinetin, duke u marrë me emra të përveçëm.

Rasti i fundit ishte përmendja e pacipë nga ana e tyre, e shefit Të Gjatë të qeverisë, jo vetëm me postera në bulevard, por dhe përmes një serie postimesh dhe fotosh në rrjetet sociale.

“Kujdes, ky tipi këtu ka 26 vjet që vjedh!”, thoshte një diçiturë, poshtë një fotografie të Të Gjatit, i pasqyruar totalisht në mënyrë jo-korrekte, gjasme duke vjedhur.

Jo vetëm kaq. Një tjetër akuzë ndaj të Gjatit ishte edhe më e pavërtetë. Një pankartë shkruante: “Ky dikur thjesht e pinte kokën, tani edhe na e investon në kulla dhe turizëm elitar!” 

Nuk është hera e parë që protestuesit e stërvitur në inxhinieri sociale dhe në shkëputjen e qingjit të trembur ose difektoz nga tufa, merren me emra të veçantë të Partisë Socialiste, grupit parlamentar apo qeverisë.

Këtë e bëjnë se shpresojnë që kabineti qeveritar të çorientohet dhe të mos përqendrohet në problemet reale të protestës, si spiunazhi greko-iraniano-gjerman, por të rendë pas temave dytësore si korrupsioni, shkatërrimi i ekonomisë nga paratë e drogës, zbrazja e atdheut dhe shitja e copave të fundit tek i pari qen bir qeni që rastis të jetë dhëndrri i duhur në vendin e gabuar.

Kësisoj, një nga këta qingja konkretë ka qenë dhe Bella Balluku, për të cilën protestuesit patën paturpësinë të deklaronin se ndërkaq duhej të ishte në burg. Bella demek ka vjedhur në tendera tynelesh, rrugësh, anijesh me mazut, energjish… ka vjedhur që e vogël, që në bashki, e më pas në Albkontroll, e më pas në qeveri, papushim, pa u ndalur… ka rrufitur si fshesë me korrent çfarë i dilte para, derisa edhe SPAK, që s’para i vëren këto gjëra, tha: “Epo boll tani; çfarë dreq stomaku paska pas kjo gru?”

Në ditët e mëhershme protestuesit, ngaqë nuk kanë argumente, janë marrë me të tjerë emra të përveçëm të dy qeverive, asaj të zyrave, dhe qeverisë së burgut – se siç e dinë të gjithë, I Gjati operon me dy kabinete, një për SPAK dhe një tjetër kandidate për SPAK – në vend që të merreshin me performancën e përgjithshme të qeverisë.

Ndër të shigjetuarit padrejtësisht nga protestuesit si xhepista, skutha dhe kokrra hajvanësh, ishin edhe Taullau Bau dhe Hulusi Banja. Emra të tjerë të përmendur si ilustrime të ekselencës intelektuale socialiste dhe aftësisë së Të Gjatit si gjurmues talentesh, ishin edhe prof dr Zegjine Ç., dhe disa shoqe të saj.     

Por ajo që ka shokuar më shumë socialistët, është përzierja e tyre në të njëjtat lista me opozitën e Doktorit nga ana e protestuesve. Në mënyrë diabolike, këta të fundit pretendojnë se Doktori ka vjedhur e ka vrarë, ndërsa të mëngjërit, si më delikatë që janë, vetëm kanë vjedhur e kanë shitur. 

Kështu, në përpjekje për ta përçarë të gjithë politikën e 35 viteve, protestuesit kanë bërë bashkë nëpër postera e meme, Doktorin dhe Të Gjatin, Albana Vokshin dhe Manastirlleshën, Taullaun dhe Baz Gardhin, Nuk Mokën dhe Zegjinenë.

Kjo e fundit reagoi e nervozuar: “Ua qyqja, si të më bejnë bashkë mua me Nulin ere, me atë onjorantin? Ai ka berë 300 mijë e 400 mijë e 233 mijë gafa! Gazi para tij është yll. O Gazoooo!”

P.S. (apo PD?) Megjithatë, Doktori e ka mbështetur protestën. Ai ka deklaruar se kërkesat e shqiptarëve janë të drejta, I Gjati duhet të ikë, dhe vijë ai në pushtet si gjaku i ri që i duhet vendit. Lidhur me 99% të protestuesve që e duan atë në burg bashkë me të Gjatin, Doktori deklaroi: “Ato janë pakica të infiltruara nga Soros, në bashkëpunim me spiunazhin greko-iraniano-gjerman”. 

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike e përçarë. Paradite shkruan, ndërsa pasdite mban shënim protestuesit në shesh


Video