E GUXIMSHME / Qeveria shqiptare shpëton në çastin e fundit amerikanin me ngjyrë!

13 Korrik 2026, 17:47Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

TIRANË – Me anë të një gjesti të admirueshëm humanitar, qeveria shqiptare ka shpëtuar këtë javë nga mbytja koncertin e këngëtorit amerikan me ngjyrë Kanye West. Këngëtori, pasuria e të cilit vitet e fundit ka rënë ndjeshëm, nga rreth një miliard dollarë, në 850 milionë paund, është aq ngushtë nga gjendja, sa edhe emrin e artit, nga gjithë ai emër i bukur Kanye West, e shkurtoi në Ye, për arsye fondesh.

Sapo morën telefonatën e urgjencës, ekipet e shpëtimit qeveritar dhuruan në mënyrë të rrufeshme 4.2 milionë euro për këngëtorin në nevojë. Kryeministri tha se të ligjtë kishin bërë propogandë që Ye-së së shkretë të mos i shiteshin biletat, dhe në këtë histori nuk kishte fare lidhje justifikimi se Ye-së nuk i punonin të gjitha kandelet njësoj, pasi kishte personalitet pesë-polar. As se Ye-ja kishte deklaruar se afro-amerikanët e tij e meritonin skllavërinë; as se kishte thurrur këngën e famshme “Marrsh nga ditët tona, shoku Hitler”.

“Ai është artist global, edhe pse ka vetëm dy gërma,” sqaroi kryeministri i majtë socialist, “tek e fundit, edhe emri im tre gërma ka, po kjo s’më pengon të zgjidh krizat globale ndërsa ndaj 5 mijë lekësha për pensionistët. A ka bërë gabime Ye-ja? Pooo, ka bërë. Kënga e tij “Mirëseerdhe Adolf xhani, se dhe ne na mori malli”, ishte e ekzagjeruar. Po të gjithë bëjmë gabime. Ja, dhe unë vetë - sado e pabesueshme t’ju duket – bëj ndonjë gabim herë pas here. Si atëherë kur thashë që zotni Trampi është fatkeqësia e njerëzimit, kur në fakt ai është fatmirësia e dynjallëkut. Po pse, këta që bëjnë gabime do t’i lëmë pa martuar ne? Do t’i ngordhim për bukë?”

***

Qeveria e majtë socialiste shqiptare, e cila funksionon me parimin e njohur humanitar, “Ai që ka, t’i japim prapë; ai që s’ka, është mësuar dhe nuk i bën përshtypje”, deklaroi se donacioni për Ye-në, në fakt ishte investim. Sepse do vinin fansat e huaj që kishin prerë biletat; do blinin ujë dhe sanduiçe, do pinin birra, do këndonin në kor hitin e famshëm “Për Adolfin këngë thurr tërë jetën”, do ngjireshin nga të bërtiturit dhe do blinin karamele me mente dhe shurup kolle e kështu me rradhë, dhe GDP-ja do rritej me 5% brenda një nate.

Nga ana tjetër, vetë koncerti do ishte një reklamë për Shqipërinë, duke thithur naziskinë e naziskine nga gjithë bota e qytetëruar, të cilët do mbeteshin të kënaqur dhe do hapnin llafin tek miqtë e tyre neofashistë.

“Kështu xhiron ekonomia, po ju s’e kuptoni,” deklaroi kryeministri në monologun e tij të së dielës, me titull “Flas unë, ju qepeni”. Sipas tij, akuza e protestuesve se ato para mund të shkonin për njëmijë e një probleme sociale që ka Shqipëria, është qesharake.

“Po pse, po të mbetej Ye-a pa lekë, a nuk do përbënte problem social? Me çfarë sy e faqe do t’i dilja unë para Trampit pastaj? Si do t’i thosha mirëmëngjes e mirëmbrëma? Tek e fundit, pensionet e ulëta të pensionistëve shqiptarë nuk janë çështje emergjence, se ata të ulëta i kanë pasur këto 13 vitet e fundit. Ça alarmi ka këtu?”

Lidhur me debatin se Ye-së ja kishin anulluar koncertet shumë vende të prapambetura të Europës, si Britania, Franca dhe ca zgëqe të tjera, pikërisht për shkak të këngëve dhe qëndrimeve të tij publike, kryeministri sqaroi:

“Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut. Edhe buxheti i tij po ashtu. Hebrenjtë në Shqipëri ishin më shumë në fund të Luftës së Dytë, sesa në fillim të saj. Prandaj, nën shembullin e kësaj tradite të mrekullueshme, edhe këngëtarët amerikanë me ngjyrë miliarderë, anti-semitë, pro-nazistë dhe pro-skllavërimit të vetë popullit të tyre, do jenë më shumë në fund të mandatit tim, sesa në fillim!”

P.S. I prekur nga gjesti al-turist i qeverisë shqiptare, këngëtori Ye nuk e përmbajti emocionin dhe shkroi në rrjetin e tij social Gestapo Truth: “Mos e humbni koncertin tim të rradhës në Tiranë, Turqi! Heil Hitler”

Vini Re: Patronazhisti, si rubrikë satirike ka një pyetje modeste: Po i heqim mënjanë pensionistët se ata janë kot. Po sikur gjysmat e këtyre 4.2 milionë eurove t’u jepeshin 20 këngëtarëve të njohur shqiptarë për një koncert jo tre-orësh, por tre ditësh, nuk do ishte pakëz më mirë? 


Video