SHKENCË / Zbulohet në laboratorin e PS-së, pjesëza mikroskopike e protestës që ka vërtet ankesa ndaj qeverisë!

27 Korrik 2026, 15:35Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
I gjati në laboratorin e PS- së

 

TIRANË – Në një epokë tjetër, kur teknologjia nuk ishte zhvilluar në këtë stad dhe interneti e inteligjenca artificiale ishin vetëm nocione të fanta-shkencës, ky zbulim as që do ishte bërë i mundur. Do kishte kaluar në heshtje, ashtu si plot humbje të tjera të njerëzimit, që nuk u kishte ardhur akoma koha për të dalë në dritë.

Por falë aparaturave të fjalës së parafundit të shkencës, ekspertët protestologë në laboratorin e mirëqeverisjes të Partisë Socialiste kanë arritur të veçojnë dhe të stabilizojnë pjesëzën më të vockël të protestës 50 e ca ditore në bulevardin kryesor të Tiranës, e cila as që dihej se ekzistonte: Është fjala për copëzën sub-atomike të atyre protestuesve që kanë vërtet ankesa për cilësinë e qeverisjes.

Sot teknologjia bën mrekullira,” deklaroi i entuziazmuar kryetari I Gjatë socialist, njëherësh kryeministër akoma më I Gjatë i qeverisë, “edhe pse çfarë nuk na thanë kur bëmë tenderin 12 milionë eurosh për këtë laborator. Ja pra, që mundëm të zbulojmë atë partikël mikroskopike të protestës që realisht është e pakënaqur ndaj qeverisjes sime. Vuajtëm pak, por ja dolëm.”

***  

Në fakt, zbulimi nuk ishte i lehtë. Shqiptarët që u ka plasur buzën kjo qeveri - kjo pakicë e papërfillshme që nuk dallohet me sy të lirë - ishin shumë të vështirë për t’u pikasur mes turmave të mëdha të agjentëve grekë, poli-agjentëve iraniano-serbë, diversantëve albinkurtistë të hurit dhe të litarit, apo më keq akoma, mes demokratëve të infiltruar brenda protestës, që për të mos u njohur, bërtisnin “Berisha në burg” më fort se socialistët e zhgënjyer. Bile për t’u maskuar më mirë, kripto-demokratët nuk ishin kaq të ashpër me të Gjatin. Parrulla e tyre ishte “Berisha në burg, I Gjati me detyrim paraqitje!

Sigurisht, qarkullonin disa legjenda urbane sikur demek Zvërneci ishte veç pika që derdhi gotën e protestës; sikur shqiptarët në masë nuk e durojnë dot më qeverinë që e ka ngritur hajdutërinë në art, ministrat që vjedhin jo se u duhen ato para, por se u është bërë ves; kryeministrin që ndan copat e Shqipërisë si byrek, sistemin që bën konkurse pasi zihet vendi i punës; bën tendera pasi është caktuar fituesi; merr paratë pasi ka vdekur pacienti; ndërton shkolla pasi kanë ikur nxënësit, dhe mburret se po i çon në Europë ndërkohë që shumica e shqiptarëve kanë ikur vetë ndërkaq.

Por ishin vetëm tymnajë tymuese; askush nuk kishte parë gjë me sy.

Derisa ndodhi zbulimi i madh: Po, ka tek-tuk ndonjë që nuk i pëlqen dhe aq shumë kjo mënyrë qeverisjeje!       

***  

Pas njoftimit të arritjes shkencore, I Gjati premtoi se si qeveria, ashtu dhe partia nuk do rrinë duarkryq, por do marrin masa drastike. Dhe me të drejtë, sepse siç deklaroi I Gjati me lot në sy, “edhe sikur një i pakënaqur i vetëm nga qeveria jonë të gjendet mes shqiptarëve, unë e konsideroj veten të dështuar”.

Pas analizës së thelluar me ndihmën e protestologëve, u vërtetua se në fakt, në administratë ka ndonjë drejtor që u flet me indiferencë hallexhinjve; ka ndonjë zyrtar që nuk buzëqesh kur i thotë qytetarit të vijë pas tre muajsh; edhe më keq akoma, ka ndonjë sportelist që i mungon totalisht empatia.

Për të gjitha këto, I Gjati hartoi dokumentin e reagimit qeverisës, të quajtur “Vesa”. Dokumenti u kërkon të gjitha hallkave të qeverisjes që përballen me qytetarët, që të jenë të freskët si vesa e mëngjesit, të çelur dhe të buzëqeshur, me humor dhe në formë, sa herë komunikojnë me popullin për t’i thënë, “prona jote nuk regjistrohet, shpirt”, “o zemra ime, duku vitin tjetër”, “vëlla, shko tek farmacia që të thashë, se vetëm aty i gjen këto ilaçe”, “O yll bote, e ke bezdi të bësh dy vjet burg për depozitën e ujit pa leje?” e kështu me rradhë.  

Nuk munguan dhe porositë me gojë.

I Gjati ja bëri të qartë ministrit të Përbrendshëm: “Pashë polic që i hedh protestuesve ujë me piper në sy pa buzëqeshur, fajin do ta kesh ti!”  

Ministres së Shëndetit Publik dhe Spitaleve Private: “Mora vesh se një mjek ka marrë nga pacienti zarfin me indiferencë dhe moskokëçarje, do ta pushosh nga puna ose do ikësh vetë!”

Ministres së Arsimit: “Dëgjova se një pedagog rri i vrenjtur kur ngel studentin e mirë që s’ka dhënë lekë, gjej vrimë ku të futesh!

Pasi secili nga ministrat dhe deputetët morën porositë përkatëse, të gjithë bashkë panë me empati dhe dhimbsuri Të Gjatin dhe thanë: “Sa shumë lodhet e mundohet për këtë popull, i shkreti. Po s’ta di kush, joooo!”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike kritike por empatike, post-antipatike me prirje apatike


Video