Policia merr kontrollin e sheshit “Skënderbej”, shpërndahen protestuesit

28 Nëntor 2026, 19:22Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Policia merr kontrollin e sheshit “Skënderbej”,

Është qetësuar situata pas disa orëve përplasje të dhunshme mes policisë dhe protestuesve.

Molotov, gurë, gaz lotsjellës dhe ujë me presion janë hedhur mes palëve për orë të tëra.

Situata tani duket e qetë, ndërsa policia ka marrë kontrollin e sheshit “Skënderbej”.

Protesta kombëtare e qytetarëve sot më 28 Nëntor, në Ditën e Pavarësisë përshkallëzoi në dhunë përpara Kryeministrisë. Protestuesit hodhën fillimisht gurë dhe molotovë në drejtim të efektivëve, ndërsa edhe këta të fundit u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës dhe me ujë me presion

Sakaq, protestuesit kanë qëlluar me molotovë edhe godinën e Partisë Socialiste. Ata i vendosën flakën Teatrit të Kukullave.

Ndërkohë, ministria e Shëndetësisë në përditësimin e fundit sa i përket të lënduarve në protestë që janë paraqitur në spital, tha se në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 30 persona të lënduar, mes tyre 9 efektivë policie, 12 protestues, 6 përfaqësues të medias dhe 3 kalimtarë. Një prej gazetarëve është shtetase e huaj.

Nga efektivët e policisë, dy janë transferuar për trajtim në QSUT. Ndërkohë, një protestues dhe një përfaqësues i medias kanë lënë Spitalin e Traumës.

Ministria bën me dije se aktualisht në QSUT po marrin trajtim 26 pacientë, të gjithë në gjendje shëndetësore stabël.


Vox Pop

Video