
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka paralajmëruar Ukrainën që të mos lejojë që konflikti i saj me Rusinë të përhapet në Mesdhe, pasi Kievi sulmoi dy anije ruse në Libi.
Ushtria ukrainase bëri të ditur se sulmi i javës së kaluar dëmtoi një anije mallrash dhe fundosi “Merkury”-n, një nga anijet luftarake më të reja të Rusisë, vlera e së cilës raportohet të jetë 150 milionë paund.
Ajo shtoi se anija e ngarkesave, MV Angara, ishte përdorur për të transportuar armë.
Pamjet nga një dron që po afrohej treguan momentin kur ai goditi anën e anijes “Merkury” në një bazë detare në qytetin bregdetar libian të Bengazit, duke shkaktuar shpërthime të fuqishme.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e cilësoi operacionin si “shembullor”, duke bërë të qartë se sulmi kishte për objektiv ushtrinë e Moskës dhe jo vetë Libinë.
Megjithatë, në një bisedë telefonike me Zelenskyn të premten, Giorgia Meloni shprehu shqetësimin e Romës lidhur me këto sulme, duke i thënë liderit ukrainas se forcat e Kievit kishin “shkelur sovranitetin e Libisë” dhe se operacioni “rrezikon ta zgjerojë konfliktin në Mesdhe”.
Në njoftimin mbi bisedën thuhet se Meloni rikonfirmoi mbështetjen e Italisë për Ukrainën, por theksoi se ky përkrahje “nuk mund të përkthehet në pranimin e nismave që vënë në rrezik sigurinë e Italisë dhe të rajonit”.
Në një postim në X, vonë të premten, Zelensky tha se të dy “diskutuan çështjet me të cilat po merremi aktualisht”, duke shtuar se “është e rëndësishme që ta kuptojmë njëri-tjetrin”.
“Konfirmova se operacioni i fundit në Libi u krye pa koordinim paraprak me partnerët tanë evropianë,” tha ai.
“Gjithashtu, theksova përkushtimin tonë për të siguruar që autoritetet tona përkatëse të shkëmbejnë të gjithë informacionin e nevojshëm dhe të mbajnë një komunikim të drejtpërdrejtë, të rregullt dhe efektiv.”
Lufta e Ukrainës me Rusinë, e cila ka hyrë tashmë në vitin e saj të pestë, po zhvillohet gjithnjë e më shumë në ajër përmes përdorimit të dronëve dhe raketave, ndërkohë që asnjëra palë nuk po arrin të sigurojë një avantazh vendimtar në terren.
Operacioni i fundjavës së kaluar, i ndërmarrë 1.500 milje (2.400 km) larg vijës së frontit në Ukrainë, ishte sulmi më i fundit i guximshëm me rreze të gjatë i kryer nga forcat e Kievit.
Një javë më parë, forcat ukrainase goditën Urën e Kerçit – një arterie kyçe furnizimi për Krimenë e pushtuar nga Rusia – si dhe portin rus të Kaliningradit në Detin Baltik.
Rusia i ka bombarduar qytetet ukrainase me raketa dhe dronë, duke vënë shpesh në shënjestër infrastrukturën energjetike të vendit, gjë që ka shkaktuar dëme të mëdha dhe e ka bërë jetën gjithnjë e më të vështirë për ukrainasit e zakonshëm.