Sinjale për luftë? Kina rrethon Tajvanin me avionë luftarakë

27 Nëntor 2026, 17:19Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Sinjale për luftë? Kina rrethon Tajvanin me avionë luftarakë

Tajvani shkon këtë të shtunë në zgjedhjet administrative, ndërsa Kina shton presionin ushtarak ndaj ishullit, duke dërguar 30 avionë luftarakë në zonën përreth tij dhe duke zhvilluar stërvitje për zbarkim në brigjet përballë.

Edhe pse votimet e 28 nëntorit nuk janë një referendum për marrëdhëniet me Pekinin, por për çështje të brendshme si strehimi, transporti publik, rinovimi urban dhe cilësia e spitaleve, Kina nuk e fsheh kundërshtimin ndaj ushtrimit të demokracisë në ishullin që e konsideron pjesë të territorit të saj.

Ministria kineze e Mbrojtjes ka deklaruar se banorët e Tajvanit do të ndiheshin më të sigurt nëse mbroheshin nga Ushtria Popullore, ndërsa Pekini vazhdon ta paraqesë bashkimin me Kinën si një objektiv të pandryshueshëm.

Paralelisht me fluturimet ushtarake rreth ishullit, në provincën kineze të Fujianit, përballë Ngushticës së Tajvanit, po zhvillohen stërvitje me një sistem të ri për zbarkimin e trupave dhe mjeteve ushtarake. Imazhet satelitore perëndimore kanë evidentuar dhjetëra mjete lundruese civile të lidhura me njëra-tjetrën për të krijuar struktura të ngjashme me ura lundruese, të cilat mund të përdoren për të transportuar ushtarë dhe pajisje në bregdet, në rast të një pushtimi.

Stërvitjet kanë vijuar prej rreth dy javësh, ndërsa Ministria kineze e Mbrojtjes i ka cilësuar ato si plotësisht legjitime dhe të arsyeshme. Megjithatë, këto përgatitje shihen si një tjetër sinjal i aftësive që Pekini po zhvillon për një operacion të mundshëm ushtarak kundër Tajvanit.

Pavarësisht demonstrimit të forcës nga Kina, opinioni publik tajvanez duket se është mësuar me këto manovra frikësuese, ndërsa vëmendja e qytetarëve është përqendruar te zgjedhjet lokale. Rreth 19.7 milionë votues nga një popullsi prej 23 milionë banorësh pritet të zgjedhin kryetarët e bashkive dhe drejtuesit e 22 qyteteve dhe qarqeve.

Në zgjedhjet e katër viteve më parë, Partia Kuomintang, e cila mbështet një politikë dialogu me Kinën, fitoi në 14 njësi vendore, kundrejt pesë të Partisë Demokratike Progresiste (DPP) dhe tre të forcave të tjera politike ose kandidatëve të pavarur.

Megjithatë, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 fitoi DPP-ja, e cila ndjek një linjë më të vendosur për mbrojtjen e autonomisë së ishullit. Presidenti Lai Ching-te konsiderohet nga Pekini si një separatist që nxit luftën, ndërsa përplasja mes dy qëndrimeve politike vazhdon të ndikojë në marrëdhëniet mes dy palëve.

Një nga garat më të rëndësishme të zgjedhjeve të së shtunës është ajo për drejtimin e kryeqytetit Taipei, aktualisht nën kontrollin e Kuomintangut. Sondazhet i japin mundësi të mira kandidatit të DPP-së, Puma Shen, deputet në parlamentin kombëtar dhe ish-profesor i kriminologjisë, i specializuar në studimin e dezinformimit dhe të asaj që njihet si lufta njohëse e Kinës.

Ai ka themeluar edhe Akademinë Kuma, e cila trajnon civilët për qëndrueshmëri dhe rezistencë në kushtet e një konflikti të mundshëm ushtarak. Megjithatë, në garën për kryebashkiak, Shen është përqendruar te shqetësimet e përditshme të banorëve, duke premtuar zgjidhje për kostot e larta të banesave, rinovimin e qytetit, transportin dhe sigurinë në rrugë.

Në të njëjtat çështje është përqendruar edhe kryebashkiaku aktual Chiang Uan-an, i Kuomintangut, i cili drejton kryeqytetin që prej vitit 2022. Ndërkohë, vëmendja pritet të rikthehet edhe te çështja e bashkimit të Tajvanit me Kinën gjatë takimit të ardhshëm mes Xi Jinping dhe Donald Trump, që parashikohet të zhvillohet në mesin e dhjetorit, në kuadër të samitit të G20 në Miami. Trump ende nuk ka vendosur nëse do të miratojë paketën e armëve me vlerë 14 miliardë dollarë, e konsideruar jetike për mbrojtjen e ishullit demokratik.


Vox Pop

Video