
Detaje të reja kanë dalë në lidhje me vrasjen e Liridona Ademajt, e cila u vra nga bashkëshorti i saj Naim Murseli, ky i fundit i dënuar me burg të përjetshëm nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Ndërkohë, Gjykata e Apelit në Kosovë, ka lënë në fuqi dënimet ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës. Gjatë këtij vendimi, Apeli ka shprehur se bashkëshorti e ka mbajtur Ademajn prej krahu në momentin e vrasjes, që të qëllohej nga Granit Plava me armë në mënyrë të sigurt.
“Naim Murseli e ka mbajtur me dorë tani të ndjerën, duke e kapur për krahu, krejt kjo me qëllim që e shtëna me armë të jetë e saktë”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Apelit.
Gjithashtu, ata janë shprehur se Plava e ka qëlluar Liridonën me një plumb, i cili i shkaktoi vdekjen, duke u cilësuar nga Apeli si pjesë të planifikimit të detajuar të krimit nga të akuzuarit.
Në arsyetimin e vendimit, Apeli ka vënë në pah disa rrethana rënduese, ndër të cilat edhe fakti se vrasja ishte kryer në praninë e dy fëmijëve të viktimës.
Gjykata ka marrë parasysh edhe sjelljen e të dënuarve pas ngjarjes. Sipas aktgjykimit, ata kishin vazhduar jetën e tyre të zakonshme, duke frekuentuar edhe lokale, pa shfaqur shenja dhimbjeje apo pendimi për krimin e kryer.
“Sjelljet e të akuzuarve para dhe pas kryerjes së veprës penale, ku para kryerjes së veprës penale të akuzuarit e bëjnë planifikimin e detajuar se si ta privojnë nga jeta tani të ndjerën, ndërsa, pas kryerjes së veprës penale, të akuzuarit vazhdojnë me aktivitetet e tyre edhe të argëtimit, duke shkuar në lokale, pra, pa treguar aspak dhimbje për tani të ndjerën”, thuhet në vendimin e Apelit.
Ndërkohë, Apeli ka refuzuar kërkesat e Prokurorisë dhe të përfaqësuesit të familjes së Liridona Ademajt për ashpërsimin e dënimit ndaj Kushtrim Kokallës dhe shqiptimin e burgimit të përjetshëm.
Si arsyetim, gjykata ka theksuar se Kokalla është dënuar për ndihmë në kryerjen e vrasjes dhe se legjislacioni parasheh trajtim më të butë ndëshkimor për personat që ndihmojnë në kryerjen e veprës penale, në raport me autorët e drejtpërdrejtë.
Kujtojmë se Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023 në Bërnicë të Prishtinës, ndërsa ndodhej në automjet me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre.