ZVËRNEC, Kthesa e parë majtas – Të nderuar qytetarë, emigrantë, studentë, katundarë e punëtorë, që nga Shkodra gjer në Vlorë!
Ne që po ju shkruajmë jemi një grup flamingosh zvërneciotë pa parti, që po ndjekim me shumë vëmendje protestën tuaj në mbrojtje të lagunës sonë dhe të ishullit përballë, Sazanit, që është i vetmi ishull i egër i Europës.
Na ka emocionuar pa masë reagimi juaj qytetar kundër pushtimit arbitrar që po u bëhet ujërave dhe pyjeve ku ne, vit pas viti, kalojmë pushimet e verës dhe hamë një çap bukë duke u freskuar në cektinat e mrekullueshme. Do t’i bashkoheshim megjithë qejf protestës suaj, por nuk kemi shumë kohë se ka filluar plazhi, dhe pas dy muajsh jemi sërish për rrugë jashtë shtetit.
Megjithatë, dy fjalë do t’i themi: Ju falenderojmë pa masë që u kujtuat për ne të zestë (edhe pse vijmë paksa në nuancë rozë), ndërkohë që nuk keni bërë zë gjithë këto vite, kur ju hiqnin nga puna, ju vidhnin, ju merrnin pronën, ju rrihnin duke ju bindur se po ju përkëdhelnin, ju rrisnin çmimet duke ju mbushur mendjen se për këtë arritje Shqipëria ishte e para në Evropë, dhe ju shtynin të iknit nga vendi tufa-tufa duke ju bindur se kjo ishte ëndrra juaj në shekuj.
Tani, ju do thoni se ne ishim sebepi, pasi në fakt ju po bërtisni për këto të tjerat. Mirë bëni, se çdo protestë ka nevojë për një shkas. Por, për mendimin tonë - sado që ndihemi të nderuar dhe gati sa s’po fluturojmë nga kënaqësia – mos u ngjirni për ne.
Mos u zini mor të uruar. Zvërneci për ne është thjesht shtëpi vere, si të thuash një Air BnB. Edhe sikur të ndërtohet ky resorti elitar turistik nga Ivanka dhe Xharedi, neve nuk na prish punë. Përkundrazi. Siç tha dhe kryeministri, ne mund të lëvizim mes turistëve, të çukisim ndonjë karkalec në ujë, të dalim fotografi, bile të bëjmë dhe ndonjë lek. Disa prej nesh janë gati edhe të fillojnë punë sezonale si kamarierë; pse të shkojmë nëpër Greqi dhe Itali ku s’na lënë gjë pa thënë?
Pastaj, a i keni parë Ivankën dhe Xharedin? Edhe ata si flamingo ngjajnë, madje nganjëherë na duken si ca kushërinjtë tanë që morën rrugët e Amerikës shumë vite më parë dhe tani s’dinë një fjalë zvërnecshe. Tek e fundit, edhe kryeministri, paçka se i dhemb pak mesi kohët e fundit dhe rri shtrembër, duket si një flamingo i mbetur në tentativë. Pra, jemi tanët.
Kini parasysh dhe diçka. Siç ju thamë më lart, edhe ne nuk jemi tamam vendalinj në Zvërnec. Refugjatë jemi, vemi e vijmë. Dhe kjo ishte arsyeja pse nuk përfituam kur u ndanë tokat me ligjin 7501: Ishim rrugëve të botës, se na morën mendjen reklamat e italianit dhe grekut, dhe kujtuam se kapitalizmi ishte fushë me lule. Kush ndenji, fitoi.
Edhe një herë pra, mos u zini. Edhe po na vodhën, partia jonë është, i yni na vjedh. Të paktën ai flet bukur, ka sharm, thotë barcaleta, vizaton, ndërton grataçela dhe çon njerëzit e vet në burg. Të vjedh dhe nuk e ndjen fare, e ka dorën e lehtë pupël, si ato infermieret me përvojë kur të bëjnë vaksinën. Vetëm Bella Balluken nuk e stërviti dot të vjedhë me elegancë, si flamingo. Ajo e ka dorën e rëndë, si karabullak deti.
E mendoni dot, sikur protesta juaj të sjellë në pushtet edhe një herë, Doktorin e fundit të egër të Europës? Dhe sikur ministrat e ardhshëm të jenë gjithë australopitekët që ka ai rrotull? Atëherë po, do jemi kopshti më i madh zoologjik i Europës dhe do na marrë në mbrojtje dhe Leonardo DiCaprio bashkë me Al Paçinon.
Ose, e dini çfarë? Zihuni. Po po, zihuni që ç’ke me të. Nxirrini ujët e zi edhe Të Gjatit të butë, edhe Doktorit të egër, edhe velociraptores Bella, edhe trogloditit Nuli. Por në qoftë se zgjedhjet e tjera shkoni e votoni prapë për ta, ju lutemi shumë, mos na përdorni më, mos na merrni nëpër gojë dhe as mos na përzini më në punët e tuaja. Kemi namuz ne, nuk duam të bëhemi as gazi i botës, as Gazi i PD-së! Tung
Një grup flamingosh që ju do të mirën
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike fluturake