SHKENCË/ Varësi flagrante mes masave të SPAK-ut për zyrtarët e qeverisë dhe përpjekjeve të Të Gjatit për zgjidhjen e krizave globale

24 Prill 2026, 18:44Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
I Gjati duke zgjidhur një krizë të vogël rajonale në pushimin e madh

TIRANË/ATHINË/ABU DABI – Edhe pse vëzhgues të ndryshëm e kishin vënë në pah edhe më parë, gjithçka kishte mbetur në fazën e hipotezave dhe hamendësimeve. Por zhvillimet e ditëve të fundit i kanë bindur shkencëtarët se ekziston një lidhje e fortë shkak-pasojë, mes shtimit të masave të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion për zyrtarë të ndryshëm të qeverisë shqiptare, dhe shumëfishimit të tentativave të Të Gjatit për zgjidhjen e krizave globale.

Shembulli më i freskët ishte sekuestrimi nga ana e SPAK-ut, e së paku 40 milionë eurove asete të zyrtarëve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, e cila drejtohej nga e pastreha Mirlinda Keqrrita – që jetonte me qera dhe javën e fundit të çdo muaji e shtynte me ushqime me listë. SPAK i akuzon këta zyrtarë dhe biznesmenët e lidhur me ta, për keqinterpretim të shprehjes “informacioni është para”, pasi ata vetëm merrnin paratë, pa dhënë asnjë informacion.

Menjëherë pas këtij lajmi, I Gjati – i pari që shpalli se drejtoresha e tij ishte e pastrehë, nuk kishte makinë e as patentë, hante një herë në dy ditë dhe shfrytëzonte wifi-në e një kafeneje në lagje sepse s’kishte internet në shtëpi - deklaroi nga Athina ku kishte shkuar për një forum ndërkombëtar, se Europa duhet patjetër të flasë me Rusinë për çështjen e Ukrainës.

“Europa ka bërë gabim që mbylli kanalet e komunikimit me Moskën,” theksoi i Gjati për mediat e huaja, ndërsa kishte veshur një palë pizhama elegante. “Unë vërtet nuk flas fare me Rusinë, por im atë ka studiuar atje dhe ka pas kujtime shumë të bukura. Ehhh, çfarë vitesh…”.

*** 

Ekspertët e laboratorit të Gjatologjisë në Fakultetin e Veterinarisë pranë Universitetit Bujqësor theksuan për mediat se nuk është hera e parë që I Gjati u është qepur këmba-këmbës krizave globale, sa herë që ministrave të tij u priten mandate arresti apo u sekuestrohen asete.

Profesoresha Shkurte Gjata, e cila prezantoi gjetjet e reja, rikujtoi sesi në kohën e arrestimit të Terit të Mjedisit, i Gjati mori befas përsipër të ndërmjetësonte një paqe të qëndrueshme mes qirje Miços dhe Baba Rexhepit, duke shastisur si grekët, ashtu dhe turqit.

Pastaj kur SPAK-u iu vu Ben Tigrit, zoti I Gjatë vendosi të zgjidhte krizën e Transnjistrias në kufi me Moldavinë”, tha profesoresha Gjata, “ndërsa episodi më i bujshëm ishte kur po shtrëngohej laku rreth Bella Ballukes. Siç e mbani mend, atëherë ai deklaroi se kishte arritur përparime në pajtimin mes dy Koreve”.

Kronologjikisht, dora-dorës që gjysma e qeverisë binte në burg ose i mbahej pasaporta, I Gjati u mor personalisht me konfliktin Azerbajxhan-Armeni, Indi-Pakistan dhe Kinë-Tajvan, duke ecur nën shembullin e ndritur të babit të Ivankës për vendosjen e paqes nëpër botë.

***

Varësia flagrante mes shtimit të rasteve të verifikuara të hajdutërisë ekselente brenda vendit dhe angazhimit gjithnjë e më të madh të Të Gjatit për çështjet planetare, nuk mbaron me këta shembuj. Lideri ka premtuar së fundi se po punon që shumë shpejt, me ndihmën e satelitëve Albania 1 dhe 2, të mundësojë zbritjen për herë të parë të Hënës në Mars.

“Me ndihmën e Diellës, që për shkak të pozicionit të saj heliocentrik i sheh më qartë këto zhvillime, kemi konfirmuar se kjo është plotësisht e mundur,” deklaroi I Gjati sapo mori vesh që do të thirrej nga SPAK si dëshmitar në gjyqin e Doktorit.

Vetëm ideja se do kalonte atë derë dhe do fotografohej nga mediat, e shtyu udhëheqësin të pohonte ndoshta e kishte të pamundur të vinte në gjyq.

“Jam duke punuar për afrimin e Jupiterit me Saturnin,” tha ai, “dhe gjasat janë të mos jem në Tiranë ato ditë”.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike ndër-planetare


Video