EKSKLUZIVE/ Intervista e Të Gjatit në revistën “Pika Që S’të Bie”: Do ta zgjidhim krizën duke zgjeruar ngushticën e Fortuzit!

27 Mars 2026, 18:23Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
I Gjati duke zgjidhur krizën teksa intervistohet

TIRANË – “T’ia shkurtojmë ditët Të Gjatit”, bërtisnin disa qindra protestues opozitarë këtë ditë pranvere, të pajisur me sfurqe, kosore dhe leje ndërtimi, jo shumë larg zyrave të kryeministrit të Gjatë, ndërsa revista jonë franceze ‘Le Point’, që në shqip përkthehet “Pika Që S’të Bie”, po i merrte një intervistë të gjerë dhe të thellë.

Edhe pse protestat kanë dështuar të zgjerohen, I Gjati thotë që kjo është provë e vitalitetit demokratik të Shqipërisë.

“Normalisht, duhet të dilnin më shumë demokratë në protestë. Por gabimi im është se shumicës prej tyre u kam dhënë ose leje ndërtimi, ose punë në qeveri, ose të dyja bashkë, ndaj nuk dalin. Është e kuptueshme: Të dalësh nga zyra jote në ministri në orën 5 pasdite, dhe në 6 të jesh në protestë, është disi e vështirë. Se kur do hash, kur do çlodhesh…”, pranon fajin ai me zemërgjerësi.

Në vitet 90-të, kryeministri kazmatik i këtij vendi kallkanik me 1.8 milionë banorë, - që zyrtarisht i ka nxjerrë 2.4 milionë, ndërsa revistës sonë i tha se janë 2.7 – zhgarraviste në Paris dhe shiste ikona të vjedhura, ndërsa sot u qepet si rrodhe liderëve të huaj të blejnë veprat e tij, që ai me humorin e tij të gjatë i quan piktura.      

Pika Që S’të Bie: Zoti I Gjatë, t’i biem shkurt, në luftën midis koalicionit SHBA-Izrael dhe Jaranit, ndërsa shumica e kryeqyteteve evropiane bëjnë thirrje për ulje të tensioneve, pse ju mbështesni vijën e ashpër të Uashingtonit?

I Gjati: Shikoni, që tensionet të ulen, në fillim duhet të ngrihen, se ndryshe s’ka kuptim. Por që ta dini ju, neve Jarani na ka sulmuar kompjuterat, dhe këtë nuk mund ta tolerojmë. Bile disa herë na ka sulmuar edhe tostierat, mikrovalët dhe lavatriçet. Ndaj i thamë ambasadorit të Jaranit, lipsu tutje, gjidi edepsyz…

-E keni fjalën për vjedhjen e databazës së gjendjes civile të popullsisë shqiptare…

-Jo, ato i morën patronazhistët tanë, se u duheshin për zgjedhje.  

-Aaa, e keni fjalën për listën emërore të pagave të të gjithë punonjësve të administratës publike dhe sektorit privat…

-Jo, ato i morën ca çuna te AKSHI për t’i shitur, se kishin rrogë të vogël. Seç kishte dhe një krushqi të prishur në këtë mes. Po nejse… A e dini ju se ne kemi mbrojtur hebrenjtë gjatë luftës?

-Po, e keni thënë një milion herë në dy vitet e fundit. Po nuk keni frikë?

-Asiheeer! Ne nuk trembemi nga gjermanët në vitin 2026, edhe pse kemi strehuar hebrenj në vitin 1944. Jemi trima. Ndaj dhe iu bashkuam Amerikës, domethënë Donaldit. Dhe jo vetëm kaq, por i dhamë të bijës, princeshës Sanije, një ishull të bukur për të futur kokën, se kishte mbetur rrugëve e shkreta. Ajo që më ka mbetur peng është se Donaldi ka edhe dy djem, njërin më inteligjent se tjetrin, por s’kemi ç’tu japim se vetëm atë ishull kishim.  

-Ju keni strehuar mijëra opozitarë nga Jarani. Nuk druani një goditje nga vendi që e shpallët terrorist?

-Aspak. Pastaj ku do na gjejë që të na godasë? Ne jemi gjithë ditën të ikur nga shtëpia, në punë me orar pa orar. Të mos harrojmë se kemi strehuar edhe mijëra azganë. Po as Azganistani s’na godet dot.

-Po mirë, kujtdo që ju kërkon të strehoni njerëz nga vende të ndryshme, ju i thoni po? Se jeni dhe vend i vogël…

-Themi po, sepse shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut. Nganjëherë më të rrallë, është edhe e shqiptarit. Kështu ma ka lënë vasijet im atë. Tani, ju do pyesni, po ku ngelet vend për shqiptarin? E kemi rregulluar dhe atë. Sipas strategjisë sonë zhvillimore afatmesme 2025-2030, presim që edhe një milion shqiptarë të tjerë të ikin me qira nëpër Europë, dhe kështu shtëpia e shqiptarit do mbetet vetëm e mikut. Kuptohet, edhe e disave prej nesh që do mbeten këtu për të menaxhuar punët. Se të gjithë s’do ikim, de!

-Po a nuk druani se kriza që sjell përshkallëzimi i luftës me Jaranin, do ndikojë edhe mbi Shqipërinë?

-I kemi marrë masat edhe për këtë. Së pari, sa herë ka kriza, ne ngremë Bordin e Transparencës – është një bord i tejdukshëm, si biçim tyli, transparent domethënë - i cili rregullisht i bën thirrje Çetit të mos ngrejë çmimin e naftës dhe ai shkrihet së qeshuri.

Së dyti, kemi menduar një plan: Përderisa problemi është ngushtica e Fortuzit, ne kemi propozuar ta zgjerojmë atë. E ka marrë përsipër kompania MENDER 2. Dhe kur të mos ketë ngushticë, nuk do ketë as problem.

-Por me këtë qëndrim, a mund të shihet Shqipëria si një “dele e zezë” midis kandidatëve të BE-së?

-Më vjen shumë keq që e thoni këtë, se jeni dhe franceze, nga zemra e Europës. Nuk ka pse të tregohemi racistë edhe me delet. Çfarë ka më pak delja e zezë nga ajo e bardhë? Harta e Helsinkit thotë se delet nuk duhet t’i persekutojmë vetëm nga ngjyra e leshit. Ja, unë në Partinë Socialiste kam turli lloj delesh, por nuk i dalloj. I kam të gjithë njëlloj, mjafton të mos dalin nga rreshti. Se delen që ndahet nga rreshti, e ha SPAK-u. Ndonjëherë hidhet përpjetë një deputet, Berion Draçe. Por ai nuk quhet, se ngaqë është i shkurtër, sado të kërcejë nuk dallohet. 

-Ju morët pjesë në Bordin e Paqes të Donald Trampit. A e bën pjesëmarrja në këtë bord Shqipërinë një kalë Troje të SHBA-së në Europë?

-Mi gru, prapë me racizma ti? Pse ça kanë kuajt e Trojës, se më plase? Shpirt kanë dhe ata, nuk i ka bërë lopa! Të thashë, unë nuk bëjë dallime, qoftë kali i Trojës, patatja e Kukësit, molla e Korçës apo qepa e Drishtit.

Aaa, vetëm diçka: Nuk dua të jetë i kuq, se kali i kuq e ka një huq! Kam një Doktor të kuq këtu që vetëm hedh vickla. I jap kullë, do hidrocentral, i jap rrugë, do miniera. Gjithë vese është dreqi!

-Qartë. Pyetjen e fundit e kam për korrupsionin…

-Sigurisht që do pyesje, se për atë ke ardhur. Me korrupsionin jemi mirë, planin tremujor e kemi realizuar 103.3 përqind, shokët e shfrytëzimit janë të kënaqur…

Dëgjo këtu, këto thashethemet për korrupsion janë pallavra. Që kur ka ardhur Diella – Soleil, si i thoni ju – na i ka futur të dyja këpucët në një këmbë, pastaj të dyja këmbët në një çorape. Prandaj më sheh mua gjithë kohës me benevrekë, për ta shmangur. Na është bërë syri bakërr për një tender.

Por po të më dëgjosh mua, boll u lodhe me këto tema, se je mbledhur je bërë një grusht, më raftë pika. Para se të ikësh, futi ndonjë dopio raki dhe bëj ndonjë xhiro andej nga Blloku, se të vjen shpirti në vend. Kështu bëri dhe Makroni herën e parë, dhe tani çdo muaj e ke këtu, vjen i maskuar si student, se nuk e lë ajo shtriga…

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike e specializuar në përkthimin krijues të intervistave alternative


Video