HABERET E JAVËS/ Jarani shpallet shtet terrorist, Shqipëria do dërgojë skafet e vlonjatëve në Ngushticën e Karpuzit

19 Mars 2026, 17:26Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Viro Pengu gati për t'u nisur drejt ngushticës së Tarabulluzit

-Shqipëria renditet e 9-ta në botë për sigurinë kibernetike sipas Indeksit të Sigurisë Kombëtare! Haberin e hareshëm e dha vetë I Gjati dje, duke harruar të sqarojë se ky indeks ndryshon me orë. Domethënë, ishim të 9-tët pardje në orën 9 e çerek, dhe të 20-tët pas vaktit të drekës.

Por I Gjati, ndërsa lëvdoi me objektivitet dhe paanësi punën e qeverisë për forcimin e sigurisë kibernetike, harroi dhe ca detaje të tjera. Si për shembull, që sulmet ndaj platformave dixhitale të qeverisë janë pakësuar ndjeshëm, sepse sulmuesve nuk u ka mbetur më gjë për të marrë: Pasi krehën gjithë gjendjen civile të shtetasve të Republikës, sakatuan e-Albanian, e nxorën Diellën mes katër rrugëve të Shijakut dhe goditën faqet e tjera qeveritare, tani të gjitha sulmet e armiqve janë përqendruar kundër dy kështjellave të fundit të sigurisë kibernetike: Faqeve të fejsbukut të Ulsiut dhe Piko Meleshit.

Ndërkohë bizneset nuk po arrijnë të kryejnë në kohë veprime në e-Albania dhe marrin gjoba. Por AKSHI-hania thotë se faqja punon për bukuri; ajo ngec vetëm kur dikush tenton të futet aty!

-Më në fund Partia Demokratike do të zhvillojë zgjedhje të reja për të rifreskuar udhëheqjen. Doktori doli personalisht dhe deklaroi se për të fituar kundër të Gjatit, PD-së i duhen njerëz të rinj dhe ide të reja: “Mjaft me gërdallat e vjetra politike që vijnë era naftalinë dhe e kanë mykur partinë. Demokratët kanë nevojë për gjak të ri, apo jo Nuli!”.

“Si urdhëron shef,” u përgjigj Nuli, “për një orë e ke gati”.

Pas kësaj, Nuli i kërkoi forumit rinor të PD të mbledhë anëtarët dhe të dhurojnë urgjentisht gjak të freskët për udhëheqjen. Patronazhisti mëson se me qeset që janë mbledhur, Doktori e shtyn edhe pesë vjet në krye të Partisë.

Ndërkaq, në kuadër të demokracisë së brendshme, Doktori nuk harroi të pyesë kryesinë, a kishte kush ndonjë kundërshtim. Duke mos e duruar dot më situatën shtypëse, i pari që u hodh ishte një tjetër doktor, Alimehmet Mehmetaliu.

“Kam unë një vërejtje, dhe nuk e kuptoj pse kolegët e tjerë nuk flasin. Kështu si po sillemi ne, as për 50 vjet nuk vijmë në pushtet,” ngriti zërin mjeku kurajoz, ndërsa të tjerët ishin zverdhur dhe mbanin sytë në dysheme, “pse nuk e mbyllim dritaren? A nuk e shihni që i fryn në shpatulla Doktorit?” 

-Drejtuesi i klinikës së njohur të dhëmbëve Presi-Dent, Barjam Beu, reagoi ashpër dje, ndaj akuzave se ishte sjellë në mënyrë selektive pasi kishte shtruar në Pallatin e Çetave iftar vetëm për gazetarët që mbajnë Ramazan.

“Nuk është e vërtetë,” deklaroi Barjami, “unë gazetarët i kam si dhëmbët e gojës, i dua të gjithë njësoj. Por mediat që mbajnë iftar sigurisht që duhet të hanin të parat, se kanë gjithë ditën pa vënë gjë në gojë dhe nxjerrin lajme anemike”.

Në vijim, Barjami sqaroi se do të shtrojë darka të tjera ekskluzive, sipas rastit, me gazetarët që hanë mish qengji për Pashkë, apo me ata që hanë hashure. Ndërsa gazetarët që janë vegjetarianë, do t’i lëshojë të kullosin në oborrin e Presi-Dencës.

-Menjëherë pas parlamenti shqiptar e shpalli Jaranin shtet që subvencionon terrorizmin me fondet e IPARD-it, qeveria bëri me dije se Shqipëria do të jetë i vetmi vend i NATË-s që do të ndihmojë Trampin me forca ushtarake në ngushticën e Karpuzit.

“Shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe e Ivankës”, deklaroi I Gjati në një fjalim emocional, “prandaj nuk mund ta lëmë Donaldin në baltë, as në rërën e shkretëtirës së Jarabisë. Kemi marrë vendim ta ndihmojmë mesa mundemi Amerikën të sigurojë ngushticën e Firuzit. Siç dihet, ngushtica e Dordomuzit është jetike për tregtinë e vajgurit, ndaj Jarani nuk ka të drejtë ta bllokojë vetëm pse i ranë ca raketa balistike”.

Mësohet se Shqipëria do të dërgojë në ngushticën e Namuzit skafet e vlonjatëve të mbetura pa punë, në krye të të cilave do vendoset vetë ish-ministri i Mbrojtjes Viro Pengu, i cili rezulton se u shkarkua enkas për këtë mision. Siç dihet, Pengu ka përvojë të madhe detare që kur drejtonte personalisht stivosjen e kontejnerëve të bananeve në Portin e Durrësit.

Vini Re: Patronazhisti është një rubrikë satirike e shqetësuar për ngjarjet e fundit në Ngushticën e Topuzit


Video