AJKA E JURISPRUDENCËS/ Gjykata Kushtetuese vendos: Kjo çështje s’është për ne, çojeni në Kushtetuese!

9 Shkurt 2026, 17:19Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Një nga gjykatëset kushtetuese duke shkruar vendimin

TIRANË – Me një vendim që do të gdhendet si bizhu në gjerdanin e artë të jurisprudencës shqiptare dhe asaj botërore; që do të mësohet si rast në të gjitha universitetet elitare të globit; që do të përmendet në shekuj si momenti që e ndau historinë juridike në para dhe pas këtij akti; që do t’i këndohen këngë rapsodësh me lahutë, kaba me klarinetë, me buzuq, me balada rock dhe me këngë polifonike nga grupi i gatshëm i Bënçës, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë shpalli para pak ditësh verdiktin e saj për çështjen e njohur si dosja “Bella Mafia”.

Gjykatësit më të përgatitur të vendit, të mbledhur kokërr më kokërr si ato gonxhet më të bukura të trëndafilave në kopshtin e sulltanit; të përzgjedhur pas konkursesh të rrepta dhe të kontrolluar për erudicionin dhe sjelljen shembullore që në grupin e dytë të kopshtit, pas javësh të tëra konsultimesh, meditimesh, verifikimesh dhe leximesh, do duhej të vendosnin nëse personazhi kryesor i dosjes “Bella Mafia” - i akuzuar me prova nga prokuroria speciale se ka vjedhur dhe ka abuzuar me fondet publike si ministre – do duhej të vijonte të qëndronte pikërisht në detyrën tek e cila dyshohet se ka vjedhur.

***

Çështja sigurisht që ishte e komplikuar, qoftë edhe për ajkën e kadilerëve të Arnautllëkut. Megjithatë, me guxim shkencor për hapjen e rrugëve të reja, duke patur si kandil ndriçues porositë e plenumit të 5-të të degës së Partisë Socialiste të rrethit dhe mësimet e shokut Ulsi, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese vendosën njëzëri: O vlla, na vjen keq që jeni munduar deri në kasaba, por kjo rixhaja që na keni sjellë nuk qenka për ne, çojani më mirë Kushtetueses!

Ja si e kanë arsyetuar vendimin disa prej yjeve të jurisprudencës.

Sipas gjykatëses Fiola Papapapa, “ne konstatojmë një paradoks kuptimor - dhe rrjedhimisht, një pamundësi për të proçeduar më tej pasi do të binim në një përplasje terminologjike – që në emrin e dosjes “Bella Mafia”. Edhe Bella, edhe Mafia, sikur nuk shkon. Në kuptim të nenit 7501 të Kushtetutës, emri i dosjes duhet të reflektojë një unitet në mesazhin që përcjell, dhe duhet të shkrihet në mënyrë organike me brendinë e materialit që na është paraqitur. Konkretisht, unë Bellën e njoh për Bella, që domethënë bukurane, qoftë me flokë të mbledhura, qoftë kur e hedh Balluken mënjanë si gjyshja ime kur mbushte ujë në krua. Ndërsa epiteti Mafia e devijon natyrën e veprës penale, duke e larguar përfundimisht këtë çështje nga korpusi i tematikës që trajton gjykata jonë. Vendimi im, për ta shpjeguar me parimin e njohur të së drejtës romake, është si më poshtë: Lontano dal mio culo!”

***

Në arsyetimin e vendimit të tij, gjykatësi Kasandër Keci shkruan: “Po e ilustroj fshatçe. Ne na është kërkuar që të saktësojmë nëse një hajdut i kapur, le të themi, me florinj të vjedhur në duar përballë një sënduku të hapur, duhet të vazhdojë të rrijë të afërsi të sëndukut, apo duhet larguar prej andej. Së pari: Kush na siguron ne se sënduku ka akoma para? Sepse në qoftë se nuk ka, hajduti nuk ka ç’të vjedhë më. Dhe në qoftë se ka, ju mendoni se ai tjetri që do vijë, nuk do tundohet?

Së dyti, parë në rrafshin kushtetues: Ç’punë kam unë mor zotëri, të pleksem me Të Gjatin? Më lini rehat se do ushqej kalamajtë. Më besoni, unë një gjermani të plagosur nuk do t’i jepnja as një gotë ujë. Në Korçë ka trazira!”       

Një verdikt shumë më i kthjellët, konçiz dhe lakonik, u përcoll nga gjykatësja Marjana Faqetmenishana, ish pedagoge shumëvjeçare e Magjistraturës, autore e librave të shquar të së drejtës civile, të drejtës tregtare dhe të drejtave të njeriut si “Fatbardh Pikaloshi”, “Aventurat e Gozhdës” dhe “Lepurushi Pjetër”:

“Uaa korba! Ça osh kjo mi? Ç’punë kom un me kte mi? Jo jo jo, s’merremi ne me kto. Mesa di unë, ne jemi Gjykata Kushtuese, domethënë gjykojmë me kushte. Çojani Gjykatës Kushtetuese, hë të keqen. Mos na merrni më qafë!”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike para-juridike post-apokaliptike


Video