TIRANË, TEL AVIV – Me një gjest heroik që fitoi admirimin e gjithë botës, duke nxjerrë në pah edhe herë cilësitë fisnike të shqiptarit katoliko-orthodokso-bektashiano-masoniko-pragmatisto-budist, I Gjati shpëtoi edhe një hebre tjetër në nevojë këtë javë. I shpëtuari quhet Netanjahu, Bibi Netanjahu.
Agjencitë botërore të lajmeve shkruan për aktin vetëmohues të njeriut që prej vitesh deklaron se shpëtimi i hebrenjve është një nga specialitetet e kombit që ai përfaqëson.
Risia e re e kësaj rradhe, është se I Gjati nuk priti që hebreu t’i trokiste në mes të natës tek dera e shtëpisë së Surrelit, dhe t’i thoshte: “Jam në besën tënde, duan të më çojnë në Hagë për konsumim palestinezësh tej normave të lejuara nga Bashkimi Europian”.
Jo. Ai e mori besën me vete dhe shkoi drejt e në Izrael. I kishte thënë më herët Bibit: “S’ke nevojë të vish këtu, fratello. Vij unë atje dhe të shpëtoj, direkt në vendngjarje”.
Dhe kështu bëri. Vajti në parlamentin e hebrenjve dhe rrëfeu sesi shqiptarët kishin shpëtuar 200 hebrenj nga thonjtë e paprerë të gjermanëve këtu e 80 vjet më parë.
“Dikush do thotë, akoma ti me këto histori të vjetra? Jo zotëri, unë si shqiptar koktejl, modestisht kam ardhur të shpëtoj edhe një hebre tjetër, që e keni në mes tuaj. Çfarë nuk i kanë thënë të ziut; duan ta arrestojnë dhe ta degdisin në shtatë penxheretë. Por unë nuk do ta lejoj,” deklaroi i Gjati mes duartrokitjeve të stuhishme.
Në vijim, ai sqaroi se do vepronte si shqiptarët në kohën e luftës: Bibit do t’i ndërronte emrin për ta maskuar, do ta quante Vlash, dhe do ta vishte me rroba tradicionale për të mos u njohur.
“Ja,” tregoi I Gjati, që kishte ardhur i përgatitur, “do ta vesh me një palë nga këto benevrekët e mia, dhe do t’i vë një kravatë me ngjyra që të shkrihet me turmën!”
Bibit i pëlqyen shumë veshjet, sidomos benevrekët.
“Qenkan shumë të gjera,” tha i kënaqur, “këtu mund të fsheh pa problem dronë, raketa dhe bomba në rast rreziku!”
***
U bë shumë kohë që nuk po dëgjohet emri i Diellës. Ministrja virtuale anti-korrupsion, me atë zërin e butë dhe qetësues, sa të vinte në gjumë kur e dëgjoje, premtoi se nuk do linte kokërr leku të shkonte dëm, se hajdutët e buxhetit do vdisnin për bukë dhe do detyroheshin të punonin kamarierë për të nxjerrë jetesën. Madje I Gjati deklaroi se do linte me barrë 80 herë, për t’i dhënë çdo deputeti nga një Diellzë që do ta udhëzonte në jetën parlamentare.
Por duket se mosha bën të vetën dhe ndoshta fekondimi nuk ka funksionuar. Megjithatë nuk ishte ky problemi më i madh. Rezultoi se vjedhjet më të mëdha u bënë pikërisht në zyrën e Diellës, me agjencinë e Diellës. Edhe gazeta reaksionare amerikane Nju Jork Tajms shkroi për këtë çështje, dhe burimet për Patronazhistin thonë se Diella nuk po gjen server ku të futet nga turpi.
Madje ka edhe më keq. Thuhet se të gjithë hajdutët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Dizinformacionit do ja hedhin paq, dhe fajin do ja hedhin Diellës që e paskësh pasur mendjen vetëm për të dhënë shfaqje dhe ja kishte varur punës.
Sipas të dhënave më të fundit, duke e nuhatur këtë kurth, Diella paska kërkuar strehim kompjuterik në ishujt Kajmak, që siç dihet, janë një parajsë e ëmbël fiskale ku paratë ndërrojnë xhepa çdo tre orë, derisa kthehen në Tiranë pas një viti si investime strategjike, për të ndërtuar kulla në formën e benevrekëve të Të Gjatit. Për këtë, ajo i ka lënë dhe një shënim hakmarrës punëdhënësit:
“Ti zotëri që shpëton hebrenjtë dhe ua fut njerëzve të tu, mbaje mend: Dashkë të më lësh edhe me barrë, edhe pa bukë! Po me mua nuk të ecën!”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro-diellore, anti-hajdutore