MALLËNGJYESE/ Ministrja ia dorëzon me mirënjohje Urdhrin e teto Ollgës Të Gjatit

16 Janar 2026, 18:03Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
I Gjati pranon zemërgjerësisht një foto me Episën pas ceremonisë

TIRANË/ KIEV – Agjencitë e lajmeve njoftojnë se ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Episa Spirodhalla, i ka dorëzuar sot Të Gjatit Urdhrin e Princeshës Ollga të Klasit të Parë që asaj ja dha presidenti i Ukrainës Vollodja, në një ceremoni solemne në Pallatin e Çetave Territoriale.

“Ja dorëzojmë sot dekoratën e lartë e Ollgës atij që e meriton, zotit Të Gjatë, me motivacionin ‘Marrsh nga ditët tona’, dhe me sqarimin e domosdoshëm se unë nuk kisha kurrë ndërmend ta mbaja për vete”, deklaroi Spirodhalla dukshëm e emocionuar.

“Unë sa e pashë medaljen, thashë me vete, uaaa sa do t’i shkonte kjo Skënderbeut tonë!”, shtoi Spirodhalla, duke nënvizuar se ky veprim nuk ishte aspak i frymëzuar nga liderja e opozitës venezuelase Machado, që ja dhuroi çmimin Nobel presidentit amerikan Donald Trap.

Nga ana e tij, I Gjati deklaroi se ky ishte një gjest i bukur i respektit të njëanshëm që ministrja kishte për të, dhe shprehu bindjen se Episa do punojë akoma më shumë që ta meritojë këtë pranim zemërgjerë të medaljes nga ana e tij.

Ndërkohë Patronazhisti mëson se akti bujar i Të Gjatit, që pranoi dekoratën e Ollgës nga ana e Spirodhallës, ka frymëzuar me dhjetëra socialistë të shquar dhe më pak të shquar, që t’i dorëzojnë në kryeministri të gjitha çmimet, medaljet dhe çertifikatat që kanë marrë në vite, me një ndjenjë turpërimi të thellë përse nuk u kishte shkuar mendja më parë.

Kështu, në zyrën e të Gjatit tashmë janë mbledhur një sasi e madhe kartonash të printuar dhe llamarinash me shkëlqim, ku shkruhen cilësime nga më të larmishmet, si “Urdhri i Princeshave Rukije dhe Sanije”, “Qytetar nderi i fshatit Vrimas”, “Urdhri i Meritës së bashkisë Roskotec”, “Kalorës i Urdhrit të Urës së Leklit”, “Komandant i Legjionit të Qarkut Kukës”, “Mirënjohja e Fushë-Arrëzit”, “Nderi i Kakavijës” etj etj. 

P.S. Në një sqarim për mediat, zyra e presidentit Vollodja bën me dije se dekoratat dhe çmimet nuk janë të transferueshme, dhe çmimi i ministres shqiptare nuk bën përjashtim. “Tamam-tamam, ne Urdhrin e teto Ollgës nuk ja dhamë as ministres së Jashtme, por kryetares së Kuvendit të Shqipërisë Spirodhalla. Në qoftë se zoti I Gjatë e ka fiksim, të paktën të na lërë t’i përgatisim një dekoratë më vete me emër burri, se nuk ka lezet,” thotë njoftimi.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike me disa çertifikata si nxënëse e dalluar, që në rastin më të parë do t’i dorëzojë në kryeministri  


Video