ZBULIMI/ Një studim i Syçka TV konfirmon dyshimin e vjetër: Nuli nuk mbush!

9 Dhjetor 2025, 17:46Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Nuli në një moment historik zbrazjeje

TIRANË – Duke dëshmuar dhe një herë paanshmërinë, objektivitetin dhe misionin e vet pastërtisht informues, Syçka TV ka publikuar të dhënat e një studimi të thelluar mbi figurën dhe performancën e Nulit në Partinë Demokratike. Duke analizuar dhe krahasuar të dhënat, përfshirë dhe disa episode domethënëse përgjatë karrierës liri-demokratike të Nulit, studimi ka arritur në përfundimin surprizues se, ndryshe nga sa është menduar deri tani – dhe nga sa sugjeron emri - Nuli nuk mbush.

Të dhënat ja paraqiti Doktorit live në emision, vetë Pim Çeka, një nga çekistët kryesorë mediatikë të liri-demokratizmës, duke e vënë disi në siklet të ftuarin gjigand në televizionin e të birit:

“Si shpjegohet Doktor, që lartësia juaj stratosferike intelektuale bie në një kontrast kaq të dukshëm me Numrin 2 të partisë, për të cilin të dhënat tona thonë se nuk performon mirë në procesin e mbushjes? E kam fjalën për Nulin”.

Doktori bëri sikur u zu ngushtë, edhe pse e kishte sugjeruar vetë këtë pyetje.

“Shikoni… zoti Nul së pari nuk është Numri 2, sepse këtë rol e luan nënkryetari i partisë. Ai është një sekretar i përgjithshëm dhe aq… Ndonjëherë kryen dhe funksionin e sekretarit të përveçëm, por është herët për të, që të jetë Numri 2. Për mendimin tim, mbushja është një talent, një prirje, një vokacion i njeriut, si futbolli apo violina. Dikush e ka, dikush s’e ka…”.

*** 

Në fakt, studimi i Syçkës nis që në fillimet e karrierës politike të Nulit, si roje dere në PD dhe sistemues i makinave në parking. Më tej Nuli u gradua si përgjegjës i rekuizitës dhe dekoreve të mitingjeve, ndërsa paralelisht frekuentonte shkollën e natës për mjekësi troglodite. Siç dihet historikisht, zbulimi i njëpasnjëshëm i grupeve armiqësore në parti, nga grupi i naftës, i kulturës, tregtisë së jashtme e me rradhë, pastroi terrenin dhe u dha mundësi për karrierë edhe njëthundrakëve të tjerë, ndër ta edhe Nulit.

Por në këtë fazë, mosmbushja e tij nuk kishte si të binte në sy, pasi frazat më të përdorura të tij ishin “po shef, patjetër shef”, si dhe disa fjalime të shkruara nga të tjerë, që ai përpiqej t’i lexonte me timbrin dhe intonacionin e Doktorit. 

As fakti që si ministër i Punëve të Përbrendshme, Nuli sistemoi me strehim familjarët e tij nga Kukësi, me banesa sociale në Sarandë, nuk u quajt si minus, përkundrazi: Kjo u komentua si lëvizje e zgjuar për të shtuar votuesit demokratë në jugun problematik.

***

Problemet nisën kur Nuli pati mundësinë të fliste, vepronte dhe ndërvepronte në parlament, rrugë dhe në rrjetet sociale pa u konsultuar apo urdhëruar më parë.

Studimi përmend disa përgjigje akademike të Nulit ndaj komentuesve në fejsbuk, nga reagimi lakonik si “Mua të më rruash tr…pin”, deri tek replika e stërholluar intelektuale ndaj një gruaje, me vargjet lasgushiane “Minushe moj minushe/ mendove se gojën e mbushe/ por ja që ngeci në gurmaz/ si një bretkoce fushe”.

Në reagimet e tij në rrjetet sociale, nuk mungon dhe interesimi i sinqertë për shëndetin e familjarëve të komentuesve – pasojë edhe e profesionit të tij si mjek – me shprehjet “Si është mami?”, “vetëm sat’ëme i përgjigjem, jo ty” etj.   

Padyshim një vend të veçantë zë në studim, gjesti epik i Nulit në mes të parlamentit, kur i tregoi gishtin e mesit klikës së narko-qeverisë. Për këtë kryevepër të opozitarizmit, mësohet se një universitet i njohur italian i pat propozuar Nulit titullin Honoris Cazzo. 

Një tjetër episod në studim, përmend urimin e Nulit për festën e Pavarësisë, kur ai shprehu nderim për aktin e pashembullt të Skënderbeut, që ngriti flamurin në Vlorë, duke shkaktuar pakënaqësinë e familjarëve të Jeronim de Radës dhe Dhaskal Todrit.

*** 

Por të gjithë këto momente veç e veç, nuk do bënin zhurmë të madhe. Që Nuli nuk mbushte, filloi të binte gjithnjë e më shumë sy kur u vu re se sheshet e protestave të PD-së sa vinte e po zbrazeshin. Tani edhe anëtarët e kryesisë së partisë dilnin vetëm, sepse familjarët “kishin punë”.

Sado që Syçka përpiqej t’i vendoste kamerat në një kënd që të mos dukej boshllëku, ishte e pamundur. Dhe demokratët nën zë filluan të ankoheshin: “Si të mos zbrazen sheshet, kur kemi një sekretar që nuk mbush?”

Për këtë reagoi edhe një demokrate veterane në Kamëz, mu në sy të Nulit. Por ai nuk ja bëri të gjatë. Iu kthye me gjithë arsenalin e pasuruar nga vite përvojë në politikë. Në fillim i tha me delikatesë, “mua më rruan tr…pin”, pastaj e pyeti për shëndetin e të jëmës, dhe në fund i tregoi gishtin e mesit.

Vini Re: Patronazhisti është një rubrikë satirike anti-zbrazje  


Video