REZYME/ Gjashtë ditët që pataksën Tiranën, Durrësin dhe gjithë Shqipërinë

3 Nëntor 2025, 12:04Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Bella Ballukja duke pranuar kërkesën e SPAK-ut

TIRANË – Edhe pse e dinin që ishte sëmurë rëndë, ditën që vdiq Tosi u mërzitën shumica e shqiptarëve. Kjo sepse duke u kthyer pas në vite, shqiptarët kanë arritur në përfundimin se Tosi ishte kryeministri më bob që kishin patur. Thoshin se linte të hanin nga pak të gjithë, hante dhe ai. Pinte cigare, alkool dhe hidhte batuta si të ishte akoma student. Dukej dhe nga puna ndonjëherë.

Ajo që nuk kuptuan shqiptarët ishte se epoka romantike e Tosit ishte fazë kalimtare: Sepse ngrënësit më të babëzitur, do u rrëmbenin pjatën atyre më të ngeshëm, menefregistë dhe tolerantë. Tosi toleroi, dhe e hëngrën. Por gjene mirë, sepse edhe babëzia paska njerëzillëkun e vet: Të gjithë të mirëushqyerit u mblodhën dhe i dhanë lamtumirën e fundit.

*** 

Ishte një bekim në llojin e vet, fakti që Bella Ballukja u paraqit në SPAK ditën që vdiq Tosi. Edhe pse mediat nuk munguan, vëmendja e tyre shyqyr nuk ishte aq e madhe. Por trashëgiminë e rrotullimit të fjalëve në gojë si me qenë arra, Tosi e la pas. “Pranova kërkesën e prokurorëve lidhur me një çështje nën hetim,” tha Bella për gazetarët, me një fjali të hekurosur që shqip-shqip përkthehet në “më thanë që jam e akuzuar për korrupsion me tenderat”.

Por momenti më domethënës ishte pas lamtumirës së fundit për Tosin, kur Bella dhe ministrat e tjerë u ulën për një kafe të ngrysur. Patronazhisti mëson se Bella u lidh me Diellën për t’i parë filxhanin. Të gjithë kolegët e dëgjuan kur Diella i tha: “Hmmm, do marrësh një haber nga qeveria… ke dhe një rrugë për të bërë. Moj korbë, çfarë fruti ke ngrënë kohët e fundit, dardha?”

***

Para se të paraqitej në SPAK, Bella me urdhër të Të Gjatit prezantoi drejtorin e ri të portit të Durrësit, Liburnin ish ministër të Vetëvendosjes nga Kosova. Ky prezantim në fakt ekspozoi edhe skemën e të Gjatit për freskimin e vazhdueshëm të qeverisë dhe administratës: Ai do furnizonte SPAK-un me zyrtarë dardhangrënës, ndërsa shqiptarët e rajonit do ta furnizonin me drejtorë e ministra. Kjo mënyrë riciklimi ekologjik mendohet që ta bëjë Shqipërinë, eksportuese neto të burgaxhinjve të rinovueshëm deri në vitin 2030.

*** 

E bukura është se ndërveprimi mes shqiptarëve në rajon nuk kufizohet vetëm tek import-eksporti i zyrtarëve. Në SPAK bashkë me Bellën u paraqit edhe Behgjeti i Kosovës, Zvicrës dhe të gjitha Rusive. Në fokus ishte ajroporti i Vlorës dhe akuzat e ngrohta dhe miqësore mes partnerëve se kush po vidhte kë, sa, dhe për llogari të kujt. Pra, kur SPAK ngelet ngushtë, na vijnë në ndihmë edhe vllaznit matanë kufirit.  “Ajroportin do ta bëjmë edhe më të bukur,” tha Behgjeti pasi doli nga SPAK. Kur e pyetën “më të bukur se çfarë”, Behgjeti u përgjigj, “më të bukur nga ai që e kishim menduar në fillim”.

Sipas kësaj teoreme, i bie që nëse Behgjetin e thërrasin dhe disa herë, ajroporti i ri do jetë më i bukuri në botë. Ka rrezik që t’ja kalojë dhe atij të Kukësit.

***

Ndryshe nga Bella, Lalit nuk i pëlqeu vdekja e Tosit, sepse donte që gjithë vëmendja mediatike të binte mbi paraqitjen e tij në Gjykatën Kushtetuese. Por megjithë konkurrencën, Lali e bëri zhurmën e vet jo të vogël. Dhe ajo që bëri më shumë bujë nuk ishte zhgënjimi i tij publik nga këshilltarët socialistë (po të tutë të shesin mër Lal, ndërsa kundërshtarët të blejnë, apo e ke harru aksiomën e vjetër).

Jo, ishte paraqitja e mjerë e juristëve të qeverisë, para të cilëve shkolla e Plepave do dukej si Harvard. Në fakt, shumë shpejt qarkulloi një thashethem se juristët që kishte mbledhur i Gjati, kishin kryer shkollën e Shelgjeve.      

*** 

Të gjithë e vunë re se I Gjati dhe Albini u kënaqën me muhabet në vakinë e Tosit. Analistët politikë Bake Xhani dhe Dhosi Dhoska deklaruan se me këtë ritëm, edhe tre-katër vaki të tjera do mjaftonin që akujt mes tyre të shkrihen plotësisht. “Por kujdes,” paralajmëruan ata, “duhen vaki dhe jo gëzime, se shqiptarët në dasma vriten dhe në vaki bëhen miq”.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike që nuk pi kafe, ndaj s’ka kush t’ja shohë filxhanin  


Video