- Burime nga SPAK njoftuan dje se ministrja Energjike e Infrastrukturës Bella Ballukja do të hetohet deri më një për tenderin flagrant të larjes së makinës tre herë në javë. Siç dihet, ky skandal i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 10 milionë liretash. Si masë paraprake është arrestuar dhe ndodhet nën regjimin 41 Bis, punonjësi i lavazhit, krimineli 22 vjeçar Kiço Pela.
E pyetur zyrtarisht nga Patronazhisti nëse Ballukja po hetohet edhe për dy centralet lundruese të energjisë që nuk punuan asnjë sekondë, apo për tenderin e tunelit të Llogarasë që iu dha në mënyrë misterioze një kompanie turke, zyra e shtypit shpjegoi telegrafisht: “Sevda çok, Tunel jok”.
- Në një deklaratë për shtyp, Spitali i Traumës sqaroi ditën e djeshme se 12 deputetët demokratë që u përplasën me njëri-tjetrin në sallën e parlamentit, teksa vraponin për t’i bërë pyetje gozhduese kreut të SPAK, janë në gjendje të qëndrueshme dhe jashtë rrezikut për jetën.
Momenti më shqetësues ishte situata e deputetit Paçamur Moka, i cili pas një goditjeje të paqëllimshme në kokë nga brryli i kolegut Baz Gardhi, befasisht filloi të sqaronte me detaje teorinë e relativitetit në gjashtë gjuhë të huaja. Në vijim nisi të luante mjeshtërisht Vivaldin në violinë.
Por ky ndryshim celebral ishte i përkohshëm. Pak minuta më pas, Moka u tregoi infermiereve gishtin e mesit dhe të gjithë morën frymë të lehtësuar.
“Qe një alarm i rremë,” saktësuan mjekët.
- Lajmi se ministrja virtuale Diella ka mbetur shtatzënë dhe pritet të sjellë online 83 asistentë - nga një për çdo deputet socialist - ka hedhur dyshime të rënda mbi shkeljen e kodit të etikës dhe ngacmimet në vendin e punës brenda qeverisë socialiste. Por çuditërisht, në vend që të protestonin dhe të kërkonin hetime, anëtaret femra të kabinetit kanë iniciuar një lëvizje të quajtur “Me Too”, kërkesat e së cilës do të qartësohen ditët në vijim.
- Kryeministri I Gjatë javën e kaluar u kishte kërkuar kryebashkiakëve të dorëzojnë listën e tokave që do t’u ofrohen investitorëve taktiko-strategjikë për “Paketën e Maleve”, pa pritur përgjigje nga kadastra nëse mbi këto sipërfaqe ka pretendues, pronarë apo përdorues shekullorë.
“Ose Paketën e Maleve, ose do merrni malet”, paralajmëroi I Gjati. Bashkiakët tentuan t’i shpjegojnë se nuk ishte çështje malesh, por çështje burgu.
“Prandaj,” i thanë, “po munde na nxirr një ligj që na urdhëron të nxjerrim lista trojesh pa dokument verifikues nga Kadastra”.
“Jo moreee,” reagoi I Gjati, “ju dashkeni që unë të ha dardha pas shpinës suaj!”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro shtimit të popullsisë tokësore, qoftë dhe me mjete diellore