
TIRANË / Përmes një bisede të gjatë me pyetje-përgjigje të ngeshme, që rastisi të bëhej përpara një mikrofoni dhe të filmohej me kamera, udhëheqësi më në fund e shoi kuriozitetin mbi figurën e kandidates që kishte caktuar për bashkinë e Tiranës.
“Mirë që u bëra mukajet, se ja, kam qenë shumë i zënë, jo Gaza, jo Ukraina”, pranoi udhëheqësi i veshur me pizhama teksa ftoi kandidaten që hyri në studio duke u dridhur nga emocionet, “dhe thashë të njiheshim ca, se m’u duke fytyrë e njohur aty tek asambleja”.
Udhëheqësi u tregua i sinqertë kur pohoi se kur po mbante fjalimin madhështor në asamble, vështronte herë pas here sallën. Ca emra i kujtoheshin, ca jo.
“Përgjithësisht, më vinin menjëherë në mendje emrat e ministrave që i kishin firmosur ato që u kisha kërkuar. Ja filani, thosha, flori djalë. Po ty të pashë tre-katër herë aty në rradhë të parë dhe hiç mendja. U bëra merak. S”ka mundësi të mos ketë firmosur ky yll bote me faqet si simite, thashë me vete. Kur bam, m’u kujtove: Bageta Manastirlesha!”
Kandidatja u përlot nga elozhet. E mja tashi, mja, ja preu udhëheqësi, tani na fol pak për veten.
Dhe më tej u zhvillua ky dialog…
*
-Këtu në Tiranë ke lindur, po? Nuk je katunare besoj…
-Po po, zoti udhëheqës, në Tiranë brenda. Gjyshin e kam patur soprano, ndërsa gjyshen tenore. Ata këndonin gjithë ditën, ndërsa mami hidhte valle…
-Mirë mirë, po më thuaj si ke qenë me mësime? Apo hidhje valle dhe ti…
-Jooo, ç’ne. Unë isha nxënëse e mirë, por më shumë kam qenë aktiviste. Se gjyshja ime e kishte shtëpinë përballë selisë së partisë, dhe unë rrija gjithë ditën në ballkon për të parë mbarëvajtjen e punëve të partisë. Futu moj korbë brenda të bësh detyrat, më thoshte gjyshja. Më lër rehat ti, i thosha, se sapo hyri në parti shoku Fatos me shokun Gramoz…
-Derisa një ditë zbrite nga ballkoni dhe hyre në parti, po?
-Jo tamam, zoti udhëheqës. Unë zbrita vetëm kur ju pashë Ju: I Gjatë, i pashëm, anti-rrymë, kontrovers, bohem, i shkujdesur, me çorape të kuqe dhe shall çiklaminë… Dhe ju solla me vrap një tufë me lule. Ju ndoshta s’e mbani mend, po ju recitova dhe një vjershë:
Dorën përmbi zemër/Ma vendos ngadalë/ Ajo po rreh fort/ Do t’ju thotë ca fjalë…
-Aaaa po, tani më kujtohet! Domethënë ti ishe ajo qurrashja që më vuri në siklet me atë vjershën enveriste!
-Jo shoku… dmth zoti udhëheqës! Unë e shkreta…
-Shaka moj vajzë, shaka. Po dhe unë prandaj po thosha, ku t’kom pa un ty! Ke qenë e gojës që atëherë. Po pastaj çfarë bëre?
-Mbarova shkollën e lartë për rrobaqepsi ushtarake, por meqë ushtria kishte vajtur për pambuk, u angazhova direkt në fushatën tuaj për bashkinë e Tiranës. Ehhh, çfarë kohësh! Ju shihja dhe nuk kisha të ngopur: Rebel, modern, perëndimor, artist… Ju fituat dhe unë fillova punë në bashki. Në fillim si specialiste e thjeshtë, pastaj si specialiste e komplikuar. Por Lul gjumashi na e vodhi bashkinë. Megjithatë dy vjet më vonë ne fituam zgjedhjet dhe që atëherë, unë s’jam ndarë nga Kanani.
-Bravo, të ka faj lulka! Qenke mirë me filmat e Kinostudios. Po pastaj? Mbaj mend që vije vërdallë andej nga QSUT-ja, apo jo?
-Po ju më caktuat drejtoreshë, zoti udhëheqës. E mbani mend besoj, si ja ndryshuam faqen spitalit, sa tendera kemi bërë, sa lulishte kemi rregulluar! Edhe pacientët thoshin, tani edhe të vdes nuk më mbetet pishmën se jemi të rrethuar nga lulet, pa varja ilaçeve. Pastaj më bëtë ministre të Shëndetësisë…
-Hë! Aty më rri. Ti qenke, për zotin! Kemi qenë bashkë për Covidin, apo jo? Po mo po, dhe thosha, sa fytyrë e njohur! Ilaçe, vaksina, maska, aspiratorë… Sa prokurime kemi bërë atëherë, nuk kishte bërë Shqipëria bashkë në 30 vite. Më fal Bageta, tani të kujtoj shumë mirë. Dhe po bindem gjithë e më shumë se je kandidatja e duhur për Tiranën!
-Nuk kam gjetur momentin e duhur për t’ju falenderuar, zoti udhëheqës. Ky mision fisnik që më keni ngarkuar, është detyra e jetës sime. Unë do përpiqem me të gjitha forcat…
-E di besoj, që edhe po fitove, mandati është vetëm për vit!
-Po po, por unë shpresoj që me ndihmën tuaj, pas një viti të jem prapë kandidate. Sigurisht, pasi t’ja kemi ndryshuar për herë të dhjetë faqen kryeqytetit…
-Pooo mi goc. Pa merak fare. Në qoftë se nuk të ka thirrur SPAK-u deri atëherë, këtu jemi e do llafosim prapë. Se dhe intervistat e mia kështu quhen: Hajt se folim!
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro-dialogut monologist të udhëheqësve