QEVERIA E RE / Hapet platforma “Ministri që duam”. Oferta është e limituar!

7 Shtator 2025, 16:12Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Gjatë prezantimit të platformës socialiste 'I Gjati që deshëm'

TIRANË – Me moton, “Të vëmë në jetë vendimet e asamblesë së fundit socialiste”, vendime që në fakt që i ka marrë po vetë, mësohet se kryetari I Gjatë socialist ka shpallur hapjen e platformës inovative “Ministri që duam”, e cila do të qëndrojë e hapur deri në datën 11 shtator.

Platforma në fjalë, do ta ndihmojë kryeministrin më jetëgjatë shqiptar që pas shokut Mehmet – poliagjent ky në profesion – që të përzgjedhë anëtarët e kabinetit të tij të 19-të qeverisës.

Duket se I Gjati vendosi për hapjen e kësaj gare pas suksesit të platformës tjetër inovative, “Deputeti që duam”, që i solli fitoren publiçitare në zgjedhjet e 11 majit.

Në realitet, ai kandidatët i kishte përcaktuar prej kohësh – si surretërit e rinj, ashtu dhe ata me lekë që do financonin fushatën - , por “Deputeti…” e zbaviti jashtë mase, sepse shkrihej gazit kur shikonte se çfarë ishin në gjendje të bënin kandidatët e shkretë për një çikë parlament.

Aplikuan për deputet derëzinj e katranër me bojë nga Tirana, Jugu, Veriu, rajoni e diaspora. Shumë syresh kishin marrë ekipe profesioniste xhirimi, që videoja prezantuese të dilte yll, si dokumentarët që prezantohen në Festivalin e Venecias. I Gjati dhe Bella Ballukja gajaseshin pasditeve duke parë videot e kandidatëve.

Aman më qafsh, shef,” i thoshte Bella, “shife pak këtë të fandaksurën nga Roskoveci, dashka edhe kjo të bëhet deputete me këtë emër, Zegjine. Komplet katunare!”

“Atë do ta marrim vërtet, se qenka luftarake!”, ja ngriu buzëqeshjen I Gjati, “si thua ti?”

“Jooo,” u gëlltit Bella, “atë sapo do thosha, qenka shpuzë vajza!”

Befas I Gjati iu kthye Bellës:

“Po ti, grifshë, e ke dorëzuar aplikimin tënd?”

Bellës i ranë tavanet e të tria kateve mbi kokë. “Po… si të them… edhe pak punë kam… Duhet shpejt?”

I Gjati e shijoi shumë këtë moment, pastaj ja plasi të qeshurës.

“Po ti je drejtuese qarku moj derëzezë, je automatikisht në listë, apo harrove?”

Atëherë edhe Bella – që iu rikthye tensioni normal - u shkri me shakanë e tejkripur të liderit.

*     

I Gjati është i bindur se të njëjtin shend e hare do përjetojë edhe me “Ministrin që duam”. Dhe në fakt, që në orët e para pati një dyndje aplikimesh jashtë çdo parashikimi, duke qenë se numri i ministrave do jetë maksimumi, 20.

Një keqfunksionim i Inteligjencës Artificiale në renditjen e kritereve që duhet të plotësojnë kandidatët, bëri që “shkolla e lartë” të përkthehej fjalë për fjalë në “high school” dhe rezultati final ishte që pranoheshin edhe kandidatë me shkollë të mesme. Kjo bëri që sistemi i Inteligjencës Artificiale të pranonte edhe lapidarë të inteligjencës natyrale, si kandidatët Selami Jeniçeri, Nard Ndoka, Cjapi i Cërrikut, Ujku i Beratit etj. 

Një tjetër kriter i panegociueshëm është që kandidatët të mos kenë kryer burg për motive të dobëta. “Pranohet vetëm burgu për motive të forta,” thuhet në listën e kritereve, duke mos e sqaruar nivelin e fortësisë. 

Një kriter që ngre shumë pikë është që kandidati/ja të ketë sa më shumë miq në fejsbuk, armiq në Instagram dhe tufa njerëzish që e ndjekin me vrap në rrjetet e tjera. Madje theksimi që kandidati të jetë viral, bëri që të aplikojnë edhe disa individë me grip, kollë të thatë dhe temperaturë 38 e dy vija. 

Ndërkaq, ministri i ardhshëm duhet të ketë aftësinë të flasë duke ecur para kameras, ndërkohë që shoqëruesi – një ose disa - mban shënim në një bllok të vogël, duke mërmëritur “Padyshim”, “Po shef”, “Ide e shkëlqyer” etj. Ky kriter skualifikoi shumë kandidatë, të cilët edhe pas shumë provash, nuk arritën kooordinimin e ecjes dhe të folmes duke parë kamerën. Disave u merreshin mendtë, të tjerë binin e rrëzoheshin. 

Por bonusi më i madh është për 10 aplikimet e para, me porosi të vetë Të Gjatit: Përfituesit mes dhjetëshes, që zgjidhen ministra, do kenë nderin të firmosin personalisht të gjitha projektet, tenderat me shumë para dhe blerjet e mëdha, edhe sikur të mos jenë të dikasterit të tyre. Prandaj nxitoni, nxitoni! Oferta është e limituar!

P.S. Patronazhisti mëson se paralelisht, SPAK ka hapur platformën e vet “Ministrat që na duhen pak ktej nga zyrat”


Video