DRILON/ANKARA/AMSTERDAM – Për hir të së vërtetës, takimet e përvitshme të ajkës së jurisprudencës shqiptare në Drilon të Poradecit nuk kishin ngjallur asnjë dyshim. Atë punë kanë këta avuketërit dhe kadinjtë, thoshin kalimtarët, diskutojnë porositë e vyera të mbretit Zog reformator, që po cfilitet për këtë popull për t’i bërë oksident si turqit e soçëm.
Në fakt, bisedat informale me zë të ulët rreth një tave me koran, të personaliteteve si Hulusi beu, Rakip pasha, dhe një grupi hanëmesh dhe efendilerësh që bënin sikur merrnin vesh dhe tundnin kokën me aprovim, nuk jepnin asnjë indicie se diçka e madhe po gatuhej. Diskutonin terma, fjalë të çuditshme, hapnin fjalorë, u grisnin faqet për t’i bërë kaushë për fara, ndiznin laptopët për të parë filma vizatimorë… Me pak fjalë, vlonte puna.
Por këto ditë gjylja e madhe plasi: Mjeshtrat po përgatisnin Kodin e ri Penal që do zëvendësojë atë të vjetrin që bie era naftalinë. Patronazhisti arriti të përzgjedhë disa nga nenet më domethënëse:
Nenet e Reja të Kodit Penal
(Ceza Kanununun Yeni Maddeleri)
Neni 222 (Madde 222)
-Kush përlyen simbolet e Republikës dhe shan Mbretin, të cilit ja vë këmbët në një çizme gruaja çdo mbrëmje, dënohet me 4 vite burg.
-Kush lyen, patinon apo vesh me letër muri Presidentin, qeverinë, gjyqësorin, Gjykatën Kushtetuese (me përjashtim të asaj shtrigës) apo xhandërmatë; si dhe kush u jep një sherbet gërqele Forcave Luftarake Detare, rraset në hapsanë dhe çelësat hidhen në det.
Neni 333 (Madde 333)
Shpifja (Iftira)
-Kush hedh baltë dhe cënon nderin dhe dinjitetin e shokut Kristofor, si dhe shokëve e shoqeve të tjera të partisë dhe pushtetit në rreth, dënohet të bëjë tre xhiro rreth fushës së futbollit me gjyle në këmbë, të paguajë 3 mijë euro gjobë dhe t’i kërkojë falje trupit pedagogjik. Përjashtim bën vetëm rasti kur balta është me alga nga Deti i Vdekur dhe ndikon në eliminimin e rrudhave të fytyrës.
-Kush guxon të komentojë në TikTok një vendim të gjyqësorit, apo të ndikojë mbi një vendim ende të pamarrë, dënohet me një ftesë nga kryeministri për të investuar në vendlindje, lejim me shkelje syri për të harxhuar të gjitha kursimet plus bakshishet për policin e zonës, dhe pastaj me prishje të befasishme të gjithë strukturave të ndyra pa leje.
-Përjashtohet nga ky dënim kush ka ndërtuar mbi dhjetë kate pa leje, sepse gjynah, është gjithë ai lek.
-Në qoftë se komentuesi i vendimeve të gjyqësorit është gazetar, atëherë gjykata vendos që fusha e Maliqit të kthehet prapë në kënetë, në mënyrë që ky karagjoz dhe të ngjashmit e tij të shkojnë ta thajnë nga e para; dhe pasi ta thajë, të dënohet si sabotator.
Neni 444 (Madde 444)
Bigamia (çok eslilik)
-Lidhja e dy ose më shumë martesave në të njëjtën kohë dënohet me gjobë deri në burgim me 4 vjet. Ky dënim i mbivendoset ndëshkimit që vetë hajvani (ose budallaçka) i ka bërë vetes duke u mbingarkuar ligjërisht me dy ose më shumë gra (burra), kur fare mirë mund të mbante të paktën dy dashnore (dashnorë) – por jo më shumë se dhjetë, për efekt të këtij neni – të mbaronte punët e veta dhe në darkë të shkonte në shpi te burri (gruaja) si njerëzit.
Neni 555 (Madde 555)
Pasurimi i paligjshëm (yasadisi zenginlesme)
-Pasurimi i paligjshëm nëpërmjet shtimit të pajustifikuar dhe domethënës të saj, që nuk mbështetet nga rroga dhe të ardhurat e deklaruara të zyrtarit, dënohet me 2-7 vjet burg. Nëse pasurimi nis i paligjshëm dhe ligjërohet rrugës, zyrtari bëhet ministër drejtësie, gjyqtar ose, në rastin më të keq, investitor strategjik plus deputet (e).
-Për efekt të këtij neni, zyrtarët këshillohen që të bëjnë lek të madh, në mënyrë që t’ja vlejë ai dy-vjetsh i qelbur burgu, se nuk u bë qameti.
-Shtetasit e Republikës Mbretërore të Shqipërisë, që kanë treguar pakujdesinë të mos jenë zyrtarë dhe të vonojnë me tre ditë pagesën e energjisë dhe/ose ujit, dënohen me varje në litar, sekuestrim të pasurive deri në kushëririn e tretë dhe heqje të të drejtave zgjedhore për 5 vjet. Në rast se brenda një jave pas varjes, shtetasi tregon pendim, i rikthehen të drejtat zgjedhore.
Neni 666 (Madde 555)
Klonimi i njerëzve pa leje (izinsiz insan klonlamasi)
-Zbatimi i praktikave eugjenike me qëllim krijimin tërësisht apo pjesërisht, të humanëve të dallueshëm, krijimi i qenieve njerëzore identike me anë të klonimit, qoftë në QSUT, në spitalet rajonale, ato private ose në klinika të ndryshme dhe qendra shëndetësore verore, dënohet me burgim nga 5-12 vjet. Përjashtim bëjnë gocat e talentuara të Dubait që janë bërë ndërkaq klone të njëra-tjetrës, ende pa hyrë në fuqi ky ligj.
Neni 777 (Made 777)
Mirëmbajtja e mjeteve motorike (motorlu tasitlarin bakimi)
-Kontrolli teknik i mjeteve duhet kryer brenda afatit të përcaktuar me ligj. Kush kapet me kolaudim makine të skaduar me dy ose më shumë ditë, i merret patenta, i pritet njëra dorë (ajo më e mira) dhe me atë dorë që i ka ngelur, dërgohet të punojë për tre vjet me një dorë si qërrues sardelesh tek një nga fabrikat e Lucës, që të vërë mënd.
-Në qoftë se dorë-munguari tenton të klonojë ilegalisht dorën e prerë sipas nenit 666, i shtohet dënimi sipas parashikimit ligjor.
-Në qoftë se makina me kolaudim të skaduar vlen mbi 60 mijë euro dhe përfshihet në aksident duke vrarë dy ose më shumë policë rrugorë dhe/ose civilë, drejtuesi i saj këshillohet t’i vërë gishtin kokës se po vazhdoi kështu, do marrë njerëz në qafë.
Shënimi i autorëve: Siç duket qartë, kjo bazë ligjore është marrë fjalë për fjalë nga kodi penal holandez
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike. Sakën se i merrni seriozisht maddetë e mësipërme, se vallahi-bilahi, nuk ju flasim më me gojë. Se janë shakara me zarar këto, aman…