VRULL REVOLUCIONAR / Partia Socialiste nis kursin e analfabetizmit për deputetët e rinj

14 Qershor 2025, 20:01Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Deputetet e rinj socialiste gjate kursit

TIRANË – Me dorën dukshëm të pastërvitur, Përmeti shkroi ngadalë me shkumës në pllakën e vogël, fjalën që kishte kërkuar zysha. Fryu me kujdes që të iknin copëzat e shkumësit, e pa një copë herë dhe pasi mbeti i kënaqur, tha “Mbarova zyshe!”.

Zysha Volta Llaçka u afrua me një hije të rëndë autoritare, i hodhi një sy pllakëzës dhe me një gjakftohtësi mizore, ja theu në kokë Përmetit të shkretë. Ky nuk bëri zë. Qafën e kishte të skuqur nga dackat që kishte ngrënë prej zyshës, por çuditërisht nuk ndihej. Madje ca atje në klasë pëshpërisnin se tepelenasit krenar kjo i pëlqente.

“Çfarë fjale të thashë të shkruaje?”, e pyeti thatë zysha.

“Më..më dheu,” mërmëriti Përmeti.

“Po ti çfarë shkrove?”

“Më… më… dheri. Më fal zyshe, më ishte thyer shkumësi”, tha ai, me shpresën e fshehtë se Volta do t’i fekste dhe një pëllëmbë tjetër edukonjëse. 

***

Përmeti nuk është vetëm. Ashtu si Përmeti, plot 53 deputetë të rinj të Partisë sonë të lavdishme Socialiste, kanë përveshur mëngët dhe i kanë hyrë kursit veror të analfabetizmit para se të hyjnë në parlament, me porosi të kryetarit të përgjithshëm të Partisë, një tip i Gjatë me atlete të bardha, që çdo të huaji që takon, i thotë se ‘mbase me sy të lirë nuk duket’, por ai është shumë i Gjatë. 

Të ardhur nga të gjitha fushat e jetës dhe frontet e prodhimit, deputetët brenda verës duhet së pari të mësojnë shkrim e këndim. Në këtë pikë, pati pak rezistencë nga Përmeti dhe Zegjineja e Roskovecit. Të dy këmbëngulën se do mësonin vetëm shkrim, pasi në këndim ishin zhivë: Në çdo zijafet a sebep, ishin të parët që ja merrnin këngës.

Po ashtu paralelisht me abetaren, të rinjtë do mësojnë përmendësh kushtetutën, funksionimin e Parlamentit, ndarjen e pushteteve dhe përqindjen që duhet t’i kërkojnë biznesit të madh si tarifë suksesi, sa herë do kalojnë ndonjë ligj të ri.

Që kursi është tejet i ngjeshur, e tregon edhe fakti që ndërkohë, kursantët duket të mësojnë si të mbajnë higjienën personale, të heqin morrat dhe detaje të tjera të jetës së përditshme: Djemtë si të rregullojnë antenën, ndërsa vajzat si të qëndisin dhe të thurrin çentro, se nesër-pasnesër do shkojnë tek burri.   

***

“Ta dija kaq të zorshme, kisha ndenjur në Tepelenë, ose të paktën atje te Ura e Leklit,” tha në fillim Përmeti kur doli lajmi i kursit. Por u mësua shpejt.

Sapo hyri në klasë zysha Volta Llaçka, Përmeti ja futi fishkëllimës si në vendlindje, dhe mërmëriti mjaftueshëm sa të dëgjohej, “ec aty zysha! Do më bësh nonjë mësim privat, mooojj!” Por atë çast i erdhi një takë këpuce kokës nga Volta – që diplomacinë e ka pasur armën e saj të fortë - dhe Përmeti vendosi se ky ishte kursi i duhur.

Zegjineja nga ana e saj, ishte duke xhiruar një video brenda në klasë, duke i bërtitur si gjithnjë, Baz Gardhit të shkretë: “Bazo, ku je o yll! Tani që kam marrë juridikun, edhe abetarja më duhet dhe do vij në Parlament bashkë me shoqet të të bëj copash…”; kur në klasë hyn profesori Piko Meleshi.

Zegjineja u zverdh e u skuq nga hijeshia e Pikos, pastaj e kapi Përmetin për jake dhe e paralajmëroi: “Këtë presorin e dua unë, mos ma ngaj!”

***

Kur dëgjoi që procesin edukativ të deputetëve të rinj të gjithë filluan ta quanin kurs, I Gjati u vrenjt, njësoj si Duçja kur pa që Terraçini kishte ndërtuar një port të vogël.

“Ç’është ky kurs mo, në kohën e Çerçizit jemi ne? Jo po Mësonjëtore. Do ta quajmë akademi politike!”, vendosi ai.

Në fakt, Përmeti hoqi ca deri sa ta mësojë fjalën, por tani e thotë pa problem dhe nuk bën gafa si dikur.

Kështu, kur shokët i thanë një ditë, pse nuk vjen në plazh, ai u përgjigj: “Aha, nuk kam kohë vëlla, ka thënur kumandari, nuk do shkojmë asgjëkundi pa mbarur këtë Apokaliptiken!”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike në dilemë nëse Përmeti deshi të thoshte, Politike, Apokaliptike, apo Eukaliptike

Video