
TIRANË – Një raport i fundit i Bashkimit Europian që vlerëson gjendjen e fëmijëve në kontinent, përpiluar nga Eurostat, jep të dhëna tronditëse për Shqipërinë.
Raporti thekson se rreth 48 për qind e fëmijëve poshtë 6 vjeç në Shqipëri janë në kufirin e varfërisë. Kjo shifër është më shumë se dyfishi i mesatares së BE-së.
Të dhënat e raportit në fjalë, në pamje të parë duken tronditëse dhe pritet të shfrytëzohen nga opozita teksa fushata elektorale i afrohet mbylljes. Por një seri institucionesh kanë reaguar, duke sqaruar situatën e vërtetë në terren përtej perdes së shifrave.
***
Në një deklaratë për mediat, Instituti Shqiptar i Statistikave ra dakord me të dhënat e Eurostat-it, dhe sqaroi se rritja e nivelit të varfërisë së fëmijëve shqiptarë lidhet drejtpërdrejt me shkallën skandaloze të papunësisë në rradhët e kësaj kategorie.
“Është e frikshme kur e dëgjon kështu si shifër, por duhet ta pranojmë se niveli i papunësisë në këtë grup-moshë është tek 98%,” sqaron INSTAT, “ndërsa ai 2%-sh i papërfillshëm që e siguron vetë jetesën, angazhohet kryesisht në punë të pakualifikuara dhe me të ardhura të pasigurta, si qëndrimi në trotuar me dorën zgjatur, shitja e kaushave me bajame nëpër kafene, karafilave për Shën Valentin, e tufave me mimoza në pranverë etj.”
INSTAT saktëson se pavarësisht se sektori i turizmit, ai i ndërtimit, apo profesionet e lira si elektriçist, hidraulik, etj, kanë mungesa të mëdha fuqie punëtore, shqiptarët nga 0-6 vjeç nuk tregojnë asnjë lloj interesi për këto fusha me të ardhura të garantuara.
***
Edhe më i ashpër ishte prononcimi i Shërbimit Kombëtar të Punësimit.
Duke u distancuar prerë nga të gjitha shfaqjet e dembel-llëkut dhe vagabondazhit, Shërbimi u ofroi mediave të dhënat e pesë viteve të fundit:
“Kontrollojini të gjitha rubrikat. Po gjetët qoftë edhe një shqiptar apo shqiptare të moshës 4-5 vjeçare të ketë ardhur për të kërkuar punë në zyrat tona, ptu të na e bëni. Ne e kemi ngritur disa herë këtë problem, por nuk e dimë, ndoshta është kjo kultura jonë disi ballkanike, orientale, e shtriqjes sa gjerë e gjatë në krevat, apo e dhënies pas lojrave të kota… Ky brez e ka kokën shkëmb, nuk dëgjon për qamet”.
***
Edhe Ministrja e Shtetit për Adolishentat dhe Qurramanët, Bora Muuuuzhaqi, shprehu shqetësimin e saj për nivelin skandaloz të papunësisë tek moshat 0-6 vjeç.
“Qeveria po punon shumë, por kemi një problem me këtë kategori,” deklaroi Muuuuzhaqi, “brezi i shqiptarëve që ikën në Greqi e Itali dhe u kërciti kurrizi në punë, është zëvendësuar nga këta që i gjetën të gjitha gati. Duan lodra, tableta, celularë, të hanë e të pinë, të llastohen. Po nuk ua plotësove tekat, ja fusin të qarit, ndërkohë që shokët e tyre në Indi, Vietnam, Kamboxhia, etj, mbajnë familjen me bukë.”
Megjithatë, ministrja kaloi në një notë optimizmi kur deklaroi se ndonëse ngadalë, ky botëkuptim i prapambetur është duke ndryshuar.
“Ne kemi në dorë disa projekte zvicerano-suedezo-hollandezo-norvegjeze, në total rreth 120 milionë euro, me të cilat shpresojmë të rrisim nivelin e punësimit për këtë kategori. Fokusi kryesor është tek ndërgjegjësimi i prindërve se mbajtja me ushqim e strehim i këtyre parazitëve, i demotivon ata nga kërkimi i punës. Shenjat janë të mbara”, deklaroi Muuuuuzhaqi.
Vini Re: Edhe pse nuk duket, Patronazhisti në thelb është rubrikë satirike, e cila kësaj here kishte një problem teknik me tastin e gërmës uuuuu