
TIRANË/DURRËS/PËRMET – Edhe pse fushata zgjedhore po arrin kulmin e saj, qeveria shqiptare nuk e ka larguar vëmendjen nga sezoni turistik që është në prag.
Patronazhisti mëson se me kërkesë të ministres mjedisore të Turizmit, Milera Kumbaraja, ditën e djeshme kabineti qeveritar ka miratuar një fond emergjent prej 200 milionë eurosh për të tërhequr sa më shumë turistë të huaj.
Në një dalje pas mediave – të cilat u detyruan të ktheheshin për të parë se kush po fliste – ministrja Kumbaraja deklaroi se fondi i jashtëzakonshëm do të shpenzohet për litarë, konopë, rrypa dhe ushkure të markave prestigjioze, në mënyrë që të sigurohet tërheqja e sa më shumë vizitorëve.
“Ishim para një muaji në Përmet dhe Gjirokastër,” sqaroi ministrja, që nuk dihet pse turizmin shqiptar e lidh gjithnjë me një punishte reçeli në Përmet dhe një grua plakë që bën kafe turke në Sokakun e të Marrëve në Gjirokastër, “dhe pashë që turistët e huaj rrinin shumë pak. Blinin ndonjë kavanoz reçel, rrufisnin ndonjë turke të mesme dhe kërcisnin e iknin. Mendo, nuk rrinin as për të parë filxhanin. Unë u thosha, po rrini more njerëz ta shohim fatin, mbase merrni ndonjë haber nga qeveria! Ata hiç. Më tha dhe ajo plaka e shkretë, “çfarë t’u bëj, nuk rrinë, veç t’i lidh me litarë”. Dhe aty më lindi ideja!”
***
Sipas një plani të detajuar, sasi të bollshme litarësh do të stacionohen në pikat kryesore hyrëse në vend, si Aeroporti i Çetit, Portet e Durrësit, Vlorës, Sarandës dhe Korçës, si dhe pikat kufitare tokësore. Me të mbërritur në territorin shqiptar, turistët do të paketohen në grupe 10-15 personash dhe do të tërhiqen për të parë atraksionet më të bukura të vendit.
Plani parashikon që edhe ata vizitorë që kanë menduar të rrinë 3-4 ditë, të detyrohen të qëndrojnë për 3 deri 4 muaj në vendin e shqiponjave. Atyre do t’u ofrohet edhe një telefonatë ndërkombëtare falas për t’i kërkuar shtëpisë të dërgojë para.
Por plani për tërheqjen e më shumë turistëve nuk mbaron këtu.
Në aeroportin e Çetit këto ditë sheh më shumë betoniera dhe buldozerë sesa taksi. Në hyrjen kryesore të aeroportit është duke u hapur një gropë e stërmadhe, ku parashikohet të bien rreth njëmijë turistë njëherësh, megjithë bagazhet. Ata pastaj do të mblidhen me vinça, paketohen me litarë dhe do të çohen në kalanë e Krujës, Rozafës, Beratit, Syrin e Kaltër, Butrint, Rivierë etj.
Duke folur për planin e ri, I Gjati deklaroi se për turizmin, ka qenë gjithmonë i gatshëm të mos kursehet, por ta hapë kumbaranë.
“Jemi duke menduar jo vetëm për tërheqjen, por edhe për thithjen e vizitorëve të huaj, sidomos atyre elitarë,” deklaroi I Gjati. Ai sqaroi se po përgatitet preventivi për blerjen e një fshese gjigande me korrent, që do të thithë çdo jaht të huaj që kalon nëpër ujërat shqiptare. Fshesa është e projektuar për të seleksionuar pronarët e pasur, miliarderë e sheikë, ndërsa mbetjet, dmth pastruesit, marinarët, kamarierët, do të hidhen mbrapsht në ujërat ndërkombëtare.
“Nuk duam turistë sufllaqesh,” bëri të qartë I Gjati, “ata le t’i marrë Kroacia, Monte Karlua, Porto Finua me soj e sorollop!”
“Ashtu është shef,” miratoi ministrja Kumbaraja, duke i futur një lugë reçel në gojë, “Na më raftë pika, se s’ke vënë gjë në gojë sot gjithë ditën”.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike turistike