
TIRANË – Në një tjetër shembull transparence financiare dhe përdorimi me nikoqirllëk të parasë publike, Ministria e Energjisë Infrastrukturore dhe Makinave të Pastra njoftoi se ka përfunduar me sukses tenderi i vogël 15 mijë eurosh, por jetik për mbarëvajtjen e punëve në këtë dikaster, ai i mprehjes profesionale të lapsave.
Sipas kërkesave të tenderit, kompania mprehëse duhet të ketë minimalisht 10 mprehëse profesionale lapsash të markës “La Voce del Padrone”; selia e kompanisë duhet të ndodhet brenda qytetit të Tiranës, mundësisht jo më shumë se 200 metra nga ministria; të ketë shërbim me tre turne dhe të punojë edhe për Pashkë dhe Novruz. Në një turn duhet të punojnë minimalisht katër ekspertë njëherësh, të cilët sipas përcaktimeve ligjore duhet të veshin kominoshe ngjyra kaltëroshe.
Sa u përket karakteristikave të veçanta, mbetjet e lapsave të mprehur duhet të pastrohen me fshesë me kompresor, ndërsa njollat e mundshme nga majat e thyera të lapsave duhen të lahen me solucion dhe jo me furçë. Kalendari dhe orari i kryerjes së shërbimit është dy herë në ditë, nga ora 7.00 deri 9.00 çdo ditë të javës dhe lapsat duhet të presin në rradhë jo më shumë se gjysmë ore.
Sipas deklaratës së ministrisë, e cila për efekt transparence është shkruar në letër kalk, kompani fituese lapsamprehëse është shpallur firma “Kalemi Holding”, e cila për këtë qëllim ka krijuar një joint venture me kompaninë e njohur të sektorit, Karandash Sh.P.K.
Patronazhisti mëson se ministrja Infrastrukturore Pastërtore Bella Ballukja, si masë sigurie - në rastin tragjik që të gjitha majat e lapsave thyhen njëherësh – ka blerë me prokurim të drejtpërdrejtë për 30 mijë euro, edhe një sasi prej dy thasësh plot me stilolapsa, si rezervë strategjike në rast thatësire të tejzgjatur për shkak të ngrohjes lokale.
***
Nuk është ky rasti i vetëm dhe i izoluar kur Ballukja ka treguar se harxhon me shumë kursim paranë publike, madje mbledh edhe thërrimet dhe i bën kokodash. Për këtë asaj i atribuohet edhe një thënie proverbiale që vartësit e kanë vath në vesh:
“Dëgjoni këtu, paraja publike është si shtëpia publike, të gjithë e duan dhe e dinë ku është, por të paktë janë ata që dinë ta përdorin me masë dhe takt”.
Do mbetet në histori episodi kur Bella, e alarmuar nga pejzazhi i shëmtuar i bregut të Vlorës pranë Petroliferës, vendosi dy stoli të paçmuara në formë anijesh të maskuara si prodhues energjie, që zbukuruan panoramën dhe nxitën turizmin elitar.
Me një qera simbolike prej 90 mijë euro në ditë secila, këto anije simpatike që kanë vite të ankoruara, u quajtën Tigri 2 dhe Tigri 3 – pasi Tigri 1 iku në Zvicër. Por veç kësaj, Ballukja organizoi dhe një tender shtesë për largimin e turistëve të tepërt që mblidhen si bletët për të kundruar anijet gjenerator, të cilat deri tani nuk kanë gjeneruar asnjëherë energji, por vetëm sharm, klas dhe nikoqirllëk si ai që posedon me shumicë ministrja.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro-stilolaps