OPERACIONI/ Ministrja e Bujqësisë shpërndan pulat me salmonelë në bastionet e PD-së: Mos i gatuani shumë se u ikën shija!

2 Prill 2025, 17:16Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ministrja bujqësore rurale duke shpjeguar vlerat e salmonit

TIRANË – Një goditje poshtë brezit mund të quhet gjesti që ka bërë ministrja e Bujqësisë Adila Nenaj, ndërsa ka nisur fushata për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit në Shqipëri. Dhe është poshtë brezit në kuptimin e parë të fjalës, pasi siç mëson Patronazhisti, salmonela ndër të tjera shkakton edhe diarre.

Por le ta marrim me rradhë. Disa analiza rastësore të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit - autoriteti; kur do, shteti përdor sarkazmë edhe në emërtime - zbuluan se dhjetëra tonë fileto pule të mbetura që kur Brazili shpalli pavarësinë nga mongolët (në fakt pakot kështu shkruanin, Pula e Lirisë), hynë në Shqipëri bashkë me salmonelën. Edhe pse drejtori i Autoritetit u bërtiti laborantëve, “ç’janë këto analiza vend e pa vend, lëreni biznesin të punojë”, dëmi ishte bërë.

Kështu, autoritari, që është edhe kandidat për deputet, vendosi të vonojë shpalljen e analizave, derisa një pjesë e salmonelës së pafajshme që kishte ardhur nga ana e anës, të shpërndahej tek konsumatori. Në këtë pikë, autoritari u këshillua me Ministren eprore bujqësore e rurale, Adilën.

“Gjynah shefe, janë dhjetë tonë fileto nga më e mira, pse ta djegë gjermani?”

“Mirë e ke. Më mirë një pulë sot, sesa një vezë mot. Pula të shkojë tek ata që kanë më shumë nevojë,” tha ministrja, “si për shembull te Rrugica e Salës, në Paskuqan, Kamëz, Kukës, Tropojë, Kavajë, Lazarat etj”.

*** 

Deri këtu në rregull. Mirëpo duhej organizuar shpërndarja. Patronazhistët e PS-së – dhe këtë Patronazhisti si i brendshëm e di mirë – nuk mund të bridhnin nëpër lagje me fileto pule në duar. Tek e fundit, partitë politike sapo kishin firmosur Kodin e Etikës bashkë me KQZ-në, ku shkruhej qartë se këto zgjedhje do zhvilloheshin pa fileto.

Ja që në ndihmë erdhi vullnetarisht një deputet socialist që ka edhe një linjë supermarketesh. Për fat, Vullnetari kandidon në të njëjtin qark me Adilën.

“Zonja Ministre, siç thotë populli: Toka i takon atij që e punon, pula i takon atij që e tregton! Ma jepni mua se e shpërndaj unë fileton tek shtresat në nevojë, me çmim të lirë dhe të mirë,” propozoi Vullnetari.

Adila ra dakord: “Shkëlqyeshëm! Vetëm thuaju shitëseve t’i porosisin konsumatorët demokratë – doja të thoja, të ngratë – mos ta gatuajnë shumë të shkretën se ikin të gjitha vlerat!”

*** 

Operacioni shkoi fjollë, madje më mirë nga sa pritej, sepse grosistët e ilaçeve raportuan edhe rritje të xhiros së hapeve kundër diarresë.

Por se nga doli fjala – me siguri ndonjë nga ata laborantët e paskrupullt - se populli po hante salmonelë të ndotur me fileto pule, dhe gjithë çështja rrezikoi të kthehej në skandal.

Por Adile Nenaj i kishte marrë masat. Si ish-punonjëse bankare, ajo kishte njohuri për kompanitë që bënin pisllëqe dhe pastaj ndërronin emrin, ri-regjistroheshin, shkriheshin me të tjera, përziheshin e treteshin derisa humbnin.

“Pse mos ta bëjmë këtë punë dhe në shtet?”, mendoi Adila. Dhe një të thënë e një të bërë. Doli në televizort dhe deklaroi solemnisht:

“E para e punës, nuk ekziston asnjë skandal, sepse ne kemi zbatuar protokollin more zotëri! E dini ju ç’është protokolli? Është si portokalli, po me nuancë tjetër. Ai thotë që kush ha salmonelë, mund të aplikojë në e-Albania në çdo ditë të javës! E dini ju ç’është salmonela? Është femra e salmonit.

E dyta, AKU-ja do të shkrihet fare, dhe do bëjmë një më të mirë. Do ta bashkojmë me policinë pyjore, Rojen Bregdetare dhe Gjeologji-Minierat për të shtuar efikasitetin e qeverisë. Dhe drejtorinë e re do ta regjistrojmë në ishujt Kajmak. Ka për të dalë një drejtori që, ç’të hash!”

Vini Re: Patronazhisti është një rubrikë satirike e pa-protokolluar

Video