BUMERANG / I Gjati premton të qeverisë me AI, mijëra buxhetorë të alarmuar gati të votojnë Doktorin!

29 Mars 2025, 11:35Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

TIRANË – Ajo që nisi si një ide lojcake e të Gjatit për të llastuar imagjinatën e dynjasë me simbolika moderne, kompjutera, programe e kshu gjërash; rrezikon t’i kthehet në atë shkopin e aborigjenëve australianë në formë L-je, që sa më fort ta vërvitësh tutje, as më shumë gjasa ka të të kthehet surratit.

Hë, bumerang është termi teknik.

I Gjati pra, i njëjti që këmbëngulte 15 vjet rresht se nuk ishte politikan; ai që nëpër komisione hetimore dhe emisione mbrëmësore theksonte se nuk merrte vesh nga shifrat pasi me ato merreshin ekspertët; po ai që nënvizonte se ishte një piktor i thjeshtë me pasion për basketbollin, ose anasjelltas; këto muajt e fundit i ka mëshuar vendosmërisht futjes dhe përdorimit të Inteligjencës Artificiale (AI) në çdo sektor të administratës publike dhe në menaxhimin e fondeve.

Madje I Gjati bëri leckë edhe SPAK-un që nuk ka një regjistrator inteligjent kur bën ato seancat e lodhshme të pyetjeve, po ka lënë një sekretaricë me makinë shkrimi të hedhë shkel e shko në letër pyetje-përgjigjet.

“Pjesa dërrmuese e qeverisjes do kryhet me inteligjencë artificiale; e-Albania është pesë e hiç para asaj që do vijë; jo vetëm dokumentet e qeverisë dhe ligjet e BE-së, por edhe tenderat do kryhen nga programe, jo nga njerëz,” ka deklaruar I Gjati herë pas here, duke u kukurisur me zë të ulët, “dhe po pati vërejtje, SPAK-u le të arrestojë dhe marrë në pyetje softuerat e kompjuterave pastaj…”.

Kulmi ishte ditët e fundit, kur i Gjati deklaroi se kishte folur me Mira Muratin që punonte tek ChatGPT, dhe ajo i kishte thënë se kapacitetet e AI-së ishin të frikshme.

“Pa pa pa ça t’bon AI-ja plako,” tha ai gjatë një videomesazhi tirons nga zyra e vet me pizhama, “infermier, mësues, jurist, ekonomist…  ça t’dush mër vlla. Kshu do e bojm Shqipninë vallahi”.

***  

Në këtë pikë lexuesi mund të pyesë se ku hyn këtu shkopi i shtrembër australian. Puna është se ndërsa premton qeverisjen e ardhshme kompjuterike, I Gjati ka nisur të bredhë lart e poshtë atdheut për të kërkuar votat e njerëzve. I mbledh ato me nikoqirllëk, pesë thërrime në Përmet, një grusht njerëzish në Roskovec, një dorë e vogël në Elbasan e kështu me radhë.

Por ndërkaq I Gjati ka harruar alarmin që ka mbërthyer gati 200 mijë punonjësit buxhetorë të çdo niveli, nga qendra në bazë, nga ministritë në shkolla e spitale, bashki e ujësjellës, polici e zjarrfiksa.

Burimet bëjnë të ditur për Patronazhistin se administrata po zien nga zërat se pas zgjedhjeve të 11 Majit, shumica e tyre mund të zëvendësohen nga programe si Diella e e-Albanias.

Kjo e fundit jo vetëm që është hazërxhevap, por nuk e ka për gjë as të heqë kostumin zadrimor dhe të dalë me rroba banje në ekran, se as e martuar nuk është, as prind patriarkal nuk ka, dhe është e gatshme të bëjë çdo gjë për të ruajtur vendin e punës.

Bile ka nga ata që thonë se I Gjati as për ministrat nuk do ketë nevojë. Do mbajë vetëm Bella Balluken për shkak të zërit lozonjar, që as Diella nuk e imiton dot, dhe me të tjerët do ushqejë SPAK-un.           

***  

Për këtë arsye, mësohet se administrata qëndrore, ato lokalet, buxhetorë nga më të larmishmit, anembanë vendit, me mënyra të ndryshme po kontaktojnë me Doktorin dhe stafin e tij me mesazhin e qartë:

“Doktor! Jemi gati të votojmë për ty nëse na premton se nuk do na heqësh nga puna kur të vish në pushtet. Tek e fundit, gjysma jonë demokratë kanë qenë më përpara, por na gënjeu gjatoshi dhe shkuam dhjetë vjet me Ballin. Nga ana tjetër, ti edhe po të duash, nuk na zëvendëson dot se nuk ke aq njerëz, t’i ka marrë të gjithë gjermani. Hë, si thua? Se edhe kalamanët qeshin e gëzojnë kur na vjen zotrote!”

Nuk dihet përgjigja përfundimtare e Doktorit, por disa nuanca mund të kuptohen. Së fundi, ai jo vetëm që nuk e ka prishur terezinë nga përshkrimet e të Gjatit si buf kënete, por e ka përqafuar këtë krahasim.

Me një buf pe allçie në tavolinë, Doktori pranoi hapur para mediave se po, ishte buf kënete, “që është një shpez i zgjuar, simbol i mençurisë dhe inteligjencës”.  

Buxhetorët e kanë kapur mesazhin: Pranojmë dhe inteligjencë kafshësh, vetëm aman, atë artificiale jo…   

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike natyrale

Video