INCIDENTI/ I thonë që Soros ka bërë marrëveshje me Trampin, Doktori bie në masë

12 Shkurt 2025, 17:27Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Doktori feston fitoren bashkë me amerikanin çudibërës

TIRANË/UASHINGTON – Doktori kishte bërë be e rrufe që do bënte festë nëse Lali arrestohej nga banda kriminale e SPAK-ut. “Por unë e di që atë nuk e prekin”, kishte shtuar, “se SPAK-u është krijesë e Sorosit dhe komandohet nga I Gjati për të luftuar mua që solla demokracinë dhe biznesmenët e ndershëm si Abi”.

Prandaj u krijua një situatë shumë e komplikuar ditën kur u arrestua Lali. Po atë ditë, Doktori po prezantonte amerikanin që kishte ndihmuar fushatën e Trampit të fitonte zgjedhjet, në këmbim në të një pagese 20 milionë dollaro. Doktori nuk tha se sa do ta paguante mikun, por siguroi se paratë do dilnin nga kuotizacionet e anëtarëve të PD-së.

Në prezantimin festiv të ardhjes së amerikanit, Doktori siguroi edhe njëherë sa sapo të fitonte zgjedhjet, amerikani – por edhe ai bashkë me amerikanin - do ta shkrinte fare SPAK-un, këtë vegël të krimit, këtë organ të Sorosit që gërhet mbi dosjet e krimit, këtë bandë anti-kushtetuese të mbrujtur në llagëmet e errëta të anti-ligjit……

Pikërisht atë moment i thanë se Lali ishte arrestuar.

***  

Disa reporterë pa përvojë që u mungon takti, e pyetën Doktorin nëse ende i qëndronte deklaratave se SPAK ishte ende organizatë kriminale. Ai kaloi në tilt dhe instiktivisht i ndryshoi dialekti: “Ndigjo… Unë ju siguroj jueee… Padyshim… Por jo mor zotëri, nji sekond, nji sekond… Se ka dhe ndonji prokuror qi ban detyrën… Ta baj ftyrën si kpuca… Se demokracia mor zotëri…”.

Shyqyr që aty pranë u ndodh Albana V. e cila e futi në makinë dhe u tha gazetarëve të pacipë, “më vonë do kemi një deklaratë, ikni tani. Edhe nga rruga, hajt”.

Demokratët e entuziazmuar me prezantimin e amerikanit që do t’u fitonte zgjedhjet, u merakosën me episodin, sepse panë që Doktorit i kishin mbetur sinapset e trurit në frenato.

Megjithatë morën disa masa. I pari ishte Belo Këllëfi, që deklaroi se sa herë që SPAK do bënte detyrën, ai do ishte i pari që do t’i përgëzonte prokurorët. Si i deleguari i Doktorit në Amerikë, që takoi edhe Trampin në një miting rrugës për në tualet, Këllëfit i ishin rritur pikët, deri aty sa edhe Nul Moka kishte filluar t’i rrinte afër. Madje Nuli tentoi të arrinte një të mesme mes mesazheve të Doktorit dhe të Belos, ndaj tha para mediave:

“SPAK-u do ta shkrijmë dhe do ta përgëzojmë, sapo të vijmë në pushtet!”

*** 

Nga gjithë kjo histori, duket se më qejfmbeturi po del Baz Gardhi. Atij nuk i vjen mirë që edhe pse ka shkuar në Amerikë më shpesh se Këllëfi, nuk ka korrur kaq sukses sa Belo. Si të mos mjaftonte kjo, atij i sëmboi në zemër kur para ca ditësh Doktori tha para mediave se PD-ja njeh ligjërisht vetëm burrin dhe gruan, mamanë dhe babanë, dhe familjen e shëndoshë kreshnike shqiptare.

“Ato perversitetet me prindin një dhe prindin dy, shpikje të Sorosit, do t’i fshijmë sapo të formojmë qeverinë,” tha Doktori duke parë nga Bazi.

Prandaj Bazi mendoi që ta ngarkonte edhe ca kartën e memorjes së Doktorit, i cili dukej se nuk po i përpunonte më si dikur informacionet kontradiktore. 

Kështu, të nesërmen e prezantimit të amerikanit çudibërës, Bazi iu afrua me lezet Doktorit dhe i tha gjasme i merakosur: “Doktor, sapo fola me ca miq të besuar në Amerikë dhe më thanë se Sorosi ka bërë një marrëveshje të fshehtë me Trampin për të ndërtuar bashkë një rezort turistik në Polin e Jugut!”

Doktori e pa si i fantaksur dhe filloi të mërmërisë:

“Soros, ky manipulator i financave globale, ky hajdut filantrop, mirëbërës kriminal i shoqërive demokratike…dy milion dollaro, viti tretetetë, viti tretenëntë…” dhe filloi t’i dalë tym nga tëmthat.

***

“Nxitoni, nxitoni, gjeni një elektricist se Doktori ra në masë,” dha alarmin Baz Gardhi dhe kryesia e PD-së u mblodh e shqetësuar.

Patronazhisti mëson se Doktori e kaloi krizën, pasi PD-ja ka gjithmonë një ekspert për fshirje serverash. Deri tani Bazi ka shpëtuar se Doktori s’mban mend gjë, ndërsa kur e pyeti Muli çfarë i tha shefit që u katandis ashtu, ky ja ktheu:

“Asgjë për Zotin! I sugjerova që nëse fitojmë zgjedhjet, ti duhet të bëhesh President i Republikës”.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro-kibernetike

Video