SFIDA/ Doktori nuk bindet me teatrin e të fikëtit, derëziu Gone duhet të kalojë sprova të tjera!

29 Dhjetor 2024, 14:48Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

TIRANË – Ditët e fundit, trupa e Teatrit të Operas dhe Baletit të Partisë Demokratike vuri në skenën vallen e njohur “Arrëthyesit”.

Sipas agjensive të lajmeve, valltarët dhe valltaret profesioniste të kësaj trupe spikatën me plastikën e tyre, shprehjen dinamike të elementeve tradicionale të kërcimit popullor dhe mungesën e mahnitshme të shtyllës kurrizore.

Mes kërcimtarëve tashmë të profilizuar qartë tek artdashësit, duket se në rolet qëndrore të prime balerinës Gone Markagjon Gjonmarkaj ka filluar të zëvendësojë Baz Gardhin, pasi ky i fundit ka të paktën dy vite që hidhet gardh më gardh e hu më hu, dhe gjasat janë të ketë ngecur diku.

Ndaj sipas mjekëve sportivë të PD-së, Gardhi nuk do të jetë në 100% të formës deri në fund të sezonit.

Ishte pra, Gjonmarkaj, protagonisti me lëvizjet e prera kreshnike të zonës së origjinës, krenarinë dhe burrninë e trimit me tipare të skalitura që njëherë flet dhe boll ma. Në shesh ishin hedhur thasë me arra e lajthi, që valltarët duhej t’i thyenin teksa kërcenin.

Ngjarja artistike mori madje tipare Gjergj Elez Aliane, pasi dihet botërisht që Gonia sapo ishte ngritur nga shtrati ku dergjej me nëntë plagë shpirtërore të shkaktuara ngaqë disa policë e shtynë me përbuzje.

Mësohet se në mënyrë informale, drejtoria e policisë së Tiranës i ka kërkuar falje Gones, duke e vënë në dijeni se herës tjetër do ta shtyjnë në mos me dashuri, të paktën me indiferencë.

*** 

Ashtu siç e do zakoni i maleve – dhe i bregut të Velipojës dhe Shqipërisë së Mesme dhe Fierit – në atë valle fisnike ku këndohej kënga e Doktorit (mos e ngatërroni me këngën e famshme Alo-Alo Abulanca) u ngritën si turtuj e turtullesha të gjithë pingpongistët e viteve në fundit në PD, që kishin vajtur sa nga Luli te Doktori e mbrapsht, nja njëzet herë, duke e akuzuar si autokrat, lëvduar si hero, sharë si hajdut e vrasës, duartrokitur si përmbysës i komunizmit dhe anatemuar si anti-amerikan.

Baz Gardhi përpiqej të ndiqte ritmin e Gones; zemërdridhuri Luan i Baçajve nga Fieri drodhi edhe belin në përpjekje titane për të siguruar një vend në listën e deputetëve; Jorida në fillim kërcente dukshëm nga halli, por nga gjysma e dytë i dha një hov gjallërimi, sepse e pa që po ja kalonin.   

Gjasat janë që në atë sallë, dikush vëzhgonte dhe mbante shënim gjithçka. Ndoshta një listë pikësh; një tabelë performance apo diçka e ngjashme.

Por ajo që Patronazhisti di me siguri, të paktën sa i përket Gjonmarkajt, është se fakti që u ngrit si feniksi nga rrëzimi tragjik i protestës, për të hedhur valle, përbën vetëm një provë të vogël në listën e 12 bëmave herkuliane që Doktori i ka kërkuar të kryejë, për ta vënë në listën e sigurtë të deputetëve.

***   

“Ajo ditë tetori e 2021-it më mori në qafë mua, pa ndryshe s’do bëja këto cirqe,” është shprehur në rreth të ngushtë Gone Gjonmarkaj, kur e pyetën si ka mundësi që qëlloi kaq pehlivan, pasi ata e dinin djalë serioz.

E kishte fjalën për deklaratat dramatike që bëri në mbrojtje të proamerikanit Luli, që dëboi Doktorin pasi këtij të fundit Amerika i dorëzoi Katil Fermanin dhe e shpalli Kara, dmth të Zi. Që atëherë Gonia ashtu i thoshte, Kara-Saliu.

“Në qoftë se Kara-Saliu i kompleksit Partizani dhe Gërdecit rikthehet në PD, unë dal nga politika,” kishte shpallur asokohe Gonia.

Shumë ujëra rrodhën që atëherë, Doktori e fali atë, Baz Gardhin dhe një sërë hunjsh të tjerë, por kushtet e fshehta erdhën më pas: Që të futen në listën e sigurtë të deputetëve, domethënë që të hyjnë prapë në shishe, të gjithë shejtanët duhet të kryejnë vepra dhe akte të ndryshme besnikërie.

Patronazhisti mëson se në këtë pikë ka hyrë në lojë gjithë familja e Doktorit.

Madje gjysh Kara-Saliu u kërkon mendje edhe nipave e mbesave, “hë në keqen gjyshi, ça t’i themi xhaxhi Gones të bëjë kësaj rradhe?”

Dhe një mbesë nga Gjermania u kujtua: “Gjyshi, gjyshi, thuaji të qethë flokët si i fundmi i mohikanëve!”. 

Ky është edhe shpjegimi për ata që u shastisën kur e panë Gonen të qethur ballaboks në një mbledhje të jashtme në Bruksel.

Bëmat e tjera që mund të kalojë Gjonmarkaj mbeten ende mister. Mbase ndonjë nipçeje të Doktorit i shkrepet ta shohë Gonen të dalë me panolina në rrugë; ndoshta Zeni i vë gjithë kandidatët në garë se kush mbledh më shumë boronica.

Por deri tani, ne dimë se Gonia ka filluar të zhgrapsë një vjershë epike për Doktorin, për të përsëritur suksesin e vargjeve legjendare të Fredit të Lelajve, “Koha e Doktorit të pakohë”.

Titulli i vjershës së Gones është “Ku t’i kërkoj rrënjët e tua, o Kara-Sali!”

*** 

Ndërkaq, Patronazhisti mëson se sindromi i valles është përhapur pa dallim feje, krahine dhe ideje. Trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, u zhvendos në një lokal në Kavajë, ku të gjithë ambasadorët i kërcyen Të Gjatit dhe të shoqes, vallen “Chi Balla il Napoleone”, ku mungonte bonapartisti Taulant Balla.

Por atë që s’ja bënë kandidatët për deputetë Doktorit, e plotësoi kryetarja e Parlamentit, Episa Spirodhalla. Ajo ftoi ca gazetare në Pallatin e Brigadave dhe u dha një kurs falas, sesi kcehet ‘Vallja e Tropojës’.     

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike, kështu të gjitha ngjarjet e mësipërme përputhen plotësisht me realitetin

Video