
TIRANË/ROMË – Sapo ja konfirmuan kalimin e parave në llogari të tij, Çesku i shkroi të Gjatit: “Grazie vostra Altezza, siete un tesoro!”
Nuk i thoshin shaka, 110 milionë euro kokërr më kokërr. Skema kishte funksionuar aq për mrekulli, sa këto ditë që ishte duke pritur marrjen e parave, Çeskut ndonjëherë nuk i besohej. Edhe pse ngjante paradoksale, ai kishte frikë se I Gjati mund ta mashtronte; dhe kush, ai, nipi i mbretit të plehrave të Romës Manush Çerroni, Françesk Beketi, që kishte mashtruar gjysmën e Europës plus Dojçe Bankën.
“Ky I Gjati seç ka një magnetizëm prej shejtan budallai,” thoshte me vete kur e njohu për herë të parë, shumë vite të shkuara, “bën si naiv, pastaj i fut një batutë apo barcaletë në gjuhë të huaj, kërcen si pehlivan nga filozofia në pikturë, nga ikonat e vjetra në gjeopolitikë; duhet bërë kujdes me këtë tip, por më kujton veten; duket që diç do bëhet në të ardhmen”.
Çesku e kishte njohur si Ministër të ri Kulture, emëruar nga miku i tij kryeministër, Tos Qorri. Dhe parandjenja se do bënin punë të mira bashkë nuk e kishte zhgënjyer. 25 vjet më vonë, I Gjati ia shtoi asetet me 110 milionë euro.
***
Më poshtë është historia e vërtetë e marrëdhënies mes Çesk Beketit dhe Të Gjatit, që u kurorëzua para pak ditësh me një prikë të majme. E bukura është që lajmet u ngjirën duke folur për konflikt epik, përplasje gjigande dhe luftë mes dritës dhe errësirës (dhe drita medemek ishte I Gjati, ndërsa errësira Çesku, meqë kishte marrë përsipër të ndërtonte një hidrocentral në Tepelenë, që s’e filloi kurrë).
“Më marrshi plehrat (asnjëherë nuk thoshte më marrshi pleshtat),” thoshte Çesku me vete dhe qeshte, “prisni ju prisni, nesër avazi”. Kaq shumë vite në vendin e shqipeve, seç kishte mësuar ca shprehje tipike shqiptare që i pëlqenin shumë. Por le ta nisim nga nisja.
Pas një njohjeje sporadike, Çesku dhe I Gjati iu rikthyen kontakteve kur ky i fundit u bë kryeministër, në 2013-ën. Pak muaj më parë, Çesku kishte hapur kanalin televiziv Muzg Channel. Nipi i manjatit të plehrave kishte mbledhur në Muzg gjithë ajkën e paskremuar të gazetarisë shqiptare me në krye Sonën, pa kishte sjellë dhe ca italianë me Simona Veturën në krye, dhe i kishte përzier bashkë si biçim makiato. Nga njëra anë Sona, nga tjetra Simona, dhe Çesku i trullosur vetëm jepte para.
Në këtë gjendje rastisi që u takua me Të Gjatin.
“Hë more Çesk,” i tha I Gjati, “urime për biznesin e ri, sa të vajti televizioni?”
“Lëre lëre,” iu përgjigj Çesku, “se u pendova. Më morën mendtë Sona me Simonën, s’u panë nga vajtën 5 milionë euro deri tani. Kushedi kur do t’i nxjerr këto që harxhova”.
I Gjati qeshi. “Se ti vjen dhe nga familje magjistarësh, nxirrni para edhe nga plehrat, kujtove se Shqipëria është fushë me lule? Na pyet edhe ne, që lamë leshtë në këtë humbëtirë për t’i bërë njerëz këta katundarët, dio mio”.
Aty Çeskut iu shkrep t’i bënte një propozim.
“Dëgjo Lartësia juaj, mora vesh që përqindja jote tani ka shkuar 25%, apo jo?” Lartësia pohoi me kokë. E kuptonte nga xixat në sytë e Çeskut, kur ky kishte diçka me vlerë.
“Atëherë kaq e dua dhe unë. Do të të jap një ide plehrash, nga ato që tallesh ti. Por po e realizove ama, dua çerekun e parave, mos të kemi llafe. Mendja paguhet. Përndryshe të lëshova njerëzit e dajos nga Roma…”.
***
Kështu ndodhi, që pasi ranë dakord, Çesku i shpjegoi të Gjatit skemën e inceneratorëve: “Do ngresh ca kompani, do bësh një ofertë të pakërkuar, do shtiresh sikur i ke ndërtuar inceneratorët, do marrësh paratë nga bashkitë për ton, e në total shkojnë nja 430-450 milionë euro… Vër të tjerët të merren drejtpërdrejt, që po shkoi diçka keq, të shkojnë ata në burg”.
Burime që bëjnë be e rrufe, i thanë Patronazhistit që kjo është e vërteta e kësaj historie. Çesku e mbylli televizionin Muzg, gjasme në përplasje me Të Gjatin, por në fakt e kuptoi se ishte punë pa leverdi dhe paratë po ja hanin Sona dhe Simona. Pas demek sherrit me qeverinë shqiptare, hapi gjyq për fyerje të rëndë në dinjitet dhe priste, vit pas viti, si do shkonte puna e inceneratorëve.
Dhe ja tek erdhi dita e lume për të marrë çerekun e parave, sipas premtimit. Edhe pse të Gjatit skema nuk i kishte shkuar fiks sipas parashikimit, ai e mbajti llafin.
Çesk Beketi u mallëngjye.
“Me burra të tillë, Shqipëria nuk vdes kurrë,” tha me vete dhe një lot rrëshqiti nga faqja dhe ngeci në mjekër, “mund të pakësohet, të shkojë 300 mijë banorë gjithsej, të shitet pjesë-pjesë, por ama nuk vdes!”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike e dhënë pas skenarëve alternativë