
Një episod i pazakontë është regjistruar në AFC Champions League Two, ku arbitri sirian Hanna Hattab u zëvendësua në pushimin mes dy pjesëve të ndeshjes ndërmjet Al Jazira dhe Gol Gohar, mes akuzave se ishte nën ndikimin e alkoolit.
Sipas raportimit të GOAL, disa vendime të diskutueshme të arbitrit shkaktuan reagime nga lojtarët dhe stafi teknik, veçanërisht pas një incidenti në minutën e 32-të.
Pas një ndërhyrjeje të parregullt ndaj futbollistit të Gol Gohar, Ali Asghar Ashouri, në mesfushë, Hattab thirri portierin e Al Jazira, Ersin Destanoglu, duke e ndëshkuar me karton të verdhë.
Vendimi shkaktoi habi te portieri turk dhe bashkëlojtarët e tij.
Pamjet nga ndeshja tregojnë trajnerin e skuadrës iraniane, Mehdi Rahmati, duke bërtitur: “Është i dehur!”.
Megjithëse akuzat mbeten të pakonfirmuara, Konfederata Aziatike e Futbollit (AFC) ndërhyri në pushimin mes dy pjesëve, duke zëvendësuar arbitrin.
Menaxheri i Gol Gohar, Heydar Afsari, deklaroi pas ndeshjes se klubi kishte paralajmëruar zyrtarët se nuk do të vazhdonte të luante nëse situata mbetej e pandryshuar.
“Arbitri në ndeshjen kundër Al Jazira nuk ishte në gjendje normale dhe madje edhe lojtarët e Al Jazira na thanë të njëjtën gjë”, deklaroi Afsari.
Sipas tij, futbollisti i Al Jazira, João Milson, duhej të ishte përjashtuar me karton të kuq, por arbitri ia kishte regjistruar kartonin portierit.
“Arbitri u zëvendësua pasi informuam AFC-në”, shtoi ai.
Ndeshja përfundoi me fitoren 1-0 të Al Jazira-s, falë një goli të brazilianit Anderson Talisca.