Historike! Lara Colturi i siguron fitoren e parë Shqipërisë në Botërorin e Skive Alpine

21 Nëntor 2026, 16:01Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Historike! Lara Colturi i siguron fitoren e parë Shqipërisë

Skiatorja që përfaqëson Shqipërinë, Lara Colturi, ka shënuar një moment historik duke siguruar fitoren e parë në karrierë dhe të parën për vendin tonë në Kupën e Botës të Skive Alpine.

20-vjeçarja triumfoi në garën e Slalomit të zhvilluar në Gurgl të Austrisë me kohën totale 1 minutë, 45 sekonda e 47 të qindtat, duke bërë që himni kombëtar shqiptar të dëgjohet për herë të parë në një kompeticion të këtij niveli. Fitorja i jep asaj gjithashtu kryesimin në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës, me 260 pikë.

Pavarësisht kushteve atmosferike jo optimale dhe shikueshmërisë së kufizuar, Colturi u rendit e dyta pas zbritjes së parë (51.94), pas Anna Swenn Larsson dhe para emrave të njohur si Paula Moltzan, Emma Aicher e Camille Rast. Në zbritjen e dytë (53.53), ajo konfirmoi formën e lartë duke kaluar në vendin e parë, për të lënë pas në podium dy suedezet, Sara Hector (+0.27) në vendin e dytë dhe Anna Swenn Larsson (+0.30) në vendin e tretë.

Pas dy vendeve të dyta në Gurgl në dy dimrat e mëparshëm, ku në vitin 2024 arriti podiumin e parë në moshën 18 vjeç e 9 ditë, Colturi arrin tashmë kuotën e 10 podiumeve në karrierë (7 në slalom dhe 3 në slalom gjigant).

Ky sukses shënon gjithashtu podiumin e saj të tretë në po aq gara gjatë sezonit 2026–2027, pas dy vendeve të dyta të siguruara në Soelden dhe Levi.


Video