VJEN NDIHMA E PARË NGA AMERIKA / Tramp urdhëron SPAK-un ta zbresë Berishën një kat më poshtë

10 Nëntor 2024, 15:43Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Belo takohet me statujen e Trampit

UASHINGTON/TIRANË – Të gjitha ata që talleshin pas fitores historike të Donald Trampit, sikur presidenti i ardhshëm i Amerikës mezi ç’priste të merrej me Shqipërinë sapo të merrte detyrën, nga sot e tutje kanë mbetur të shushatur. Sidomos ata tipat mediatikë që ironizonin deklaratat e kanalit zyrtar të Partisë Demokratike, Syni TV, sipas të cilit Trampi do anullonte vendimin e Departamentit të Shtetit për statusin non grata të familjes Berisha deri te kushërinjtë e dytë.

Sepse ja, një hap i parë për të zhbërë padrejtësinë ndaj Doktorit, u hodh nga Donaldi ende pa mbaruar mirë festa e fitores. Ndoshta simbolik, por premton shumë për të ardhmen e afërt. Dhe SPAK s’ka nga t’ia mbajë.

***

Kthesa e madhe filloi me udhëtimin e Belo Këllëfit drejt Amerikës, kur ai arriti të takohej – pa paguar kokërr leku – me statujën prej dylli të Donaldit. Këtë të fundit e kishin vendosur në korridorin që të çon për në tualetin e një salle të madhe ku Trampi kishte një takim elektoral.

Belo më parë kishte pyetur i merakosur organizatorët: “Se mos është ndonjë takim me pagesë? Se unë jam në opozitë, s’kam para. Sapo pagova këstin e fundit të mbjelljes së flokëve”.

Por e qetësuan: “Pa merak. Zoti Tramp kurrë nuk shtrëngon duart e fansave me pagesë. Për t’u paguar është vetëm bileta 50 mijë dollarëshe për hyrjen në event”.

I lehtësuar, Belo pasi priti rradhën, shkoi dhe i foli një minutë papushim statujës së Trampit, për padrejtësinë që i ishte bërë Doktorit me shpalljen non-grata.

“Në fakt,” iu përgjigj Tramp dyllsi, “mesa kujtoj, dosjen Doktorit tuaj ja qëndisi departamenti i shtetit kur isha unë president, pastaj shpalljen e bëri administrata Bajden. Gjithmonë m’i përvetësonin sukseset…”.

“Jo, zoti President,” kërceu i shqetësuar Belua, “nuk ishte suksesi i juaj, por dështim i majtistëve amerikanë. Ishte kurth i Xhorxh Sorosit. Ju do ta ndihmoni Doktorin, apo jo? E kanë lënë të shkretin në katin e tetë të një pallati, gjithë ditën flet me vete ndërsa në darkë flet me ne, mbështetësit”.

Fati i madh i Belos, se ndërkohë po vinte Donaldi i vërtetë, të cilit i shkohej në banjo. Kur dëgjoi që një plak shqiptar e kishin lënë në majë të katit të tetë, ndaloi dhe u kujtua:

“Aaaa, Albania. Ju paguat biletën 50 mijëshe, po? Të fala kryeministrit tuaj, më ka thënë dhëndri se keni ishuj të mrekullueshëm!”

Belo u alarmua: “Po Doktori, zoti Tramp? Atje, në kat të tetë…”

Trampi urdhëroi dyllin e vet të mbante shënim: “Shkruaj, Shqipëria, doktori, kati i tetë, duhet zgjidhje”, dhe iku.

***

Belo u kthye në Tiranë me deklaratën publike se nuk kishte paguar asnjë lek, dhe me të falat private të Trampit për Të Gjatin, si falenderim për Sazanin dhe Zvërnecin. Këto të fundit ia çoi armikut përmes vjehrrit të vet, që rastisi të ishte shok i Të Gjatit.

Ndërsa Doktorit i tha se nga Trampi kishte marrë premtimin që diçka do bënte për statusin non grata.

“E pashë vetë kur e shkroi: Duhet zgjidhje,” i tha Doktorit, “vetëm se kishin shtrenjtë biletën e hyrjes, 100 mijë dollarë. Besoj se Zeni e ka parasysh”.

E vërteta e plotë ndoshta nuk do të merret vesh kurrë, por dje në zyrat e SPAK erdhi një seri telefonatash nga Shtetet e Bashkuara, pas të cilave prokurorët specialë vendosën të zbusin masën e arrestit shtëpiak të Doktorit. Ata arritën në konkluzionin se kati i tetë ishte shumë e rëndë si masë për një person moshë të thyer. Ndaj urdhëruan që për lehtësim, Doktori të zbresë në katin e shtatë.

“Personi nën hetim duhet ta zgjidhë vetë çështjen e pronësisë së apartamentit me banorin e katit të shtatë. Mund të këmbejnë banesat, ose t’i ofrojnë në këmbim të njëjtën sipërfaqe banimi tek kompleksi Partizani,” thoshte shkresa…

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike berishoidale sazanistike

Video