TIRANË – Dita kur I Gjati vendosi seriozisht të bëjë diçka për pensionet, ishte kur ca kohë më parë, një pensionist socialist (dmth një i moshuar që nuk punonte më, jo që nuk ishte më socialist), i tha në mirëbesim gjatë një prej takimeve me bazën: “Ti e di që unë nuk e ndërroj votën o kryetar. Por po munde, bëj diçka për pensionet, se jemi keq. Pensioni më i mirë në vend është 400 mijë lekë. Provoje kot për kuriozitet, të jetosh një muaj me kaq para!”
Po atë ditë I Gjati thirri Bella Balluken. “Më thuaj pak, se ti shtrigë merr vesh nga matematika e komplikuar: Sa euro bëjnë 400 mijë lekë?”
Me kursin zyrtar janë pak më pak se 4 mijë euro, ja ktheu Bella, pasi pyeti një nga zv.ministrat i cili kishte një shok që kishte mbaruar për matematikë.
“Atëherë dëgjo këtu,” e porositi I Gjati, “Do më mbash në monitorim, dua që muajin tjetër unë si person të mos harxhoj më shumë se 4 mijë euro, okej?”
***
Afërmendsh që eksperimenti dështoi vajtueshëm. Edhe pse u përpoq të hante pak, të bënte kujdes me dritat dhe kafen ta pinte veresie në punë, që mos të harxhonte shtëpinë, I Gjati nuk e kuptoi nga i vajtën paratë. Kur Bella e njoftoi se fondi mbaroi brenda 10-ditëshit të parë, ai u lemeris.
“Pu pu pu si ikin lekët! Kanë të drejtë pensionistët e gjorë. Në këtë vend mor vlla, po e thyeve 500 euroshen, nuk e pe më nga shkoi!”
Dhe e mblodhi mendjen. Duhej bërë diçka për pensionet, aq më tepër që ja, erdhi 2025-a, po afronin zgjedhjet dhe vota e atyre firaunëve u duhej me se s’bën. Do fillonin takimet elektorale dhe s’kishte si t’u dilte përpara.
Plus që së fundi e kishte shkelur ca: U kishte thënë ca demokratëve të Doktorit atje në Nju Jorkt:
“More zotërinj, unë jam anti-komunisti i parë në vend, po ç’të bëja që PD-në e zunë kryekomunistët si Doktori dhe u katandisa të shkoja me socialistët, se ata të shkretët të paktën janë të urtë!”
Tani i duhej pak marifet për t’i bindur të vetët se e kishte për t’u tallur me ata të fandaksurit demokratë.
Së pari, i kërkoi Bellës t’i bënte një kurs të përshpejtuar pensionesh se ajo nepërka i kuptonte këto gjëra. Bella mori një fletore vizatimi dhe ca lapsa me ngjyra, për t’ja bërë më të lehtë shpjegimin, dhe iu fut punës.
***
Pasi e përvetësoi skemën e pensioneve – Bella e lavdëroi se në kursin individual që kishte bërë, ai ishte i pari i klasës – I Gjati nisi takimet.
Po kur s’do, s’do. Që në takimin e parë për pensionet, ai bëri një gafë. U tha pensionistëve për kompliment, se ata ishin njerëzit që e kuptonin më mirë politikën se të gjithë, prandaj ishin me socialistët. Ishte një truk që e kishte përdorur dhe herë tjetër, prandaj u zu gafil kur kësaj here xhaxhot u ngritën në protestë, si për t’i thënë: Ja si e kuptojmë ne politikën, kulish!
Dilnin në tubim para kryeministrisë, jo me pesë apo dhjetë kacidhjarë, por me qindra. Madje dhe Doktori u bë xheloz, teksa i shihte nga dritarja, me dylbitë që ja kishte bërë dhuratë SPAK-u si institucion, me shënimin “Hyp atje dhe shih Stambollin”. Sikur t’i kisha dhe unë kaq protestues, mendonte me vete.
I Gjati nuk po kuptonte gjë fare. Sa më shumë takohej e u shpjegonte sesi do përpiqej ta ndreqte skemën difektoze të pensioneve, aq më shumë rritej pakënaqësia. Madje tek emisioni i Fevzos, - siç e dini, Fevzo në distancën kohore mes shkrimit të dy librave, del në televizor – u bë nami kur një grua e moshuar e vuri të Gjatin me shpatulla për kartonxhezi tek studioja e Klanit.
“Provoje zoti kryeministër, të jetosh me 200, qoftë dhe 250 mijë lekë në muaj,” i tha.
“Po e di moj zonjë që është e vështirë,” ja ktheu I Gjati që kushedi pse, kishte humbur nja 20 centim gjatësi në atë përballje, “jua qaj hallin, se e bëra provë me dyfishin e shumës që thoni ju, dhe prapë nuk del. Bëra një eksperiment të jetoja me 4 mijë euro në muaj, dhe i harxhova për 10 ditë….”.
Në studio u krijua një ilaritet që detyroi Fevzon të fuste reklamat e Sandrit. Disa pensionistëve u kishin rënë të fikët nga shuma e papërballueshme për veshë të pamësuar. Ndërsa një plak kishte nxjerrë këpucën dhe ja vërviti të Gjatit, pastaj po e kërkonte këpucën mbrapsht se u kujtua që s’kishte të tjera.
***
Incidenti duhej ndrequr urgjentisht. Thirri në ndihmë Piko Meleshin (ai e thërriste me përkëdheli Niku Akriliku) dhe i kërkoi të organizonte një forum serioz dhe dinjitoz me pensionistët, ashtu siç dinë korçarët. Aty do ua tregonte ai se ç’ishte skema e pensioneve.
Takimi nisi mirë shumë. I Gjati u emocionua kur jo vetëm që nuk e kritikuan për ato broçkullat që kishte thënë në Nju Jorkt, por e duartrokitën si dikur në konferencat e partisë së rrethit, ku vinin edhe shokët nga Komiteti Qëndror. Një pensionisteje entuziaste, iu mor fryma nga emocionet:
“Unë jam… ashtu siç kemi qenë ahere, me partinë tonë… siç qe ahere koha, ashtu jemi prapë…. Të na rroni ju shoku Edi, dhe shokët e tjerë, por sidomos ju…”.
I Gjati u argëtua pa masë. Mirë mo mirë, i tha, e morëm vesh që je dorë e vjetër, po dua t’ju shpjegoj pak pensionet. Dhe nxorri ca shënime me ngjyra nga ato që kishte bërë me Bellën:
“Të dashur pensionistë! Për të shëndoshur skemën e pensioneve, që edhe ju të përfitoni më shumë pension në një të ardhme të largët, matematikisht ka dy mënyra: Ose të shtojmë moshën e pensionit, pra të punoni më gjatë; ose të ulim jetëgjatësinë e përfituesve të skemës. Mirë po unë ju pyes, a mundeni ju të punoni më gjatë, të lodhi e të torturohi në punë?”
Atë çast u hodh entuziastja që i merrej fryma: “S’ka gjë shoku Edi, le të ulim jetëgjatësinë!”
Salla shpërtheu në brohoritje madhështore për shokun Edi, shokun Piko Meleshi dhe shokët e tjerë…
VINI RE: Patronazhisti është rubrikë satirike pensionistike, që beson se nëse I Gjati u thotë dhjetë miqve të tij mega-biznesmenë të deklarojnë saktë pagat e punonjësve të tyre, s’ka fare nevojë për këto cirqe